Albspirit

Media/News/Publishing

THIRRJE KUVENDIT PER T’U TERHEQUR NGA VENDIMI PENGUES PER GAZETARET

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë i bashkohen shqetësimit të kolegëve gazetarë dhe organizatave të tjera të medias e lirive e të drejtave të njeriut, mbi vendimin e papritur e të padrejtë të Kuvendit të Shqipërisë, për të kufizuar gazetarët në punën e tyre për raportimin e zhvillimeve nga komisionet parlamentare dhe seancat e kuvendit, duke i izoluar ata në ambiente, ku nuk mund të shohin vetë atë cfarë ndodh, e të komunikojnë me anëtarët e parlamentit apo drejtues e përfaqësues të institucioneve që raportojnë në kuvend.
Eshtë e papranueshme që ky ndryshim i rregullores së Kuvendit, që prek direkt punën e mediave është marrë në mënyrë të njëanshme, e pa u konsultuar me gazetarët e organizatat e tyre, por duke u imponuar si një detyrim me tipare të qarta censure për punën e gazetarëve dhe të drejtën e tyre kushtetuese për të informuar në mënyrë të paanshme publikun.
Vendimi i njëanshëm i Kuvendit cënon një nga parimet kushtetuese, që është detyruese për vetë kuvendin, transparencën në raport me publikun.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin keqardhjen që Kuvendi i Shqipërisë, institucioni më i lartë kushtetues në vend, i dalë nga vullneti i qytetarëve zgjedh t’u fshihet atyre, duke përdorur këtë kufizim flagrant ndaj mediave.
I bëjmë thirrje Kuvendit të tërhiqet nga ai vendim, që cënon mediat në ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, si dhe të drejtat universale të informimit publik e të lirisë për të marrë e dhënë informacion, cënimi i të cilave është një kthim i rrezikshëm pas për vendin tonë dhe aspiratat e tij integruese.
Please follow and like us: