Albspirit

Media/News/Publishing

Albin Kurti: Kosova duhet të padisë Serbinë për gjenocid

Në 22 vjetorin e çlirimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer popullsisë kosovare.

Këto komente, Kurti i bëri në Poklek të Drenasit, ku u mbajt manifestimi qendror për shënimin e Ditës së Paqes.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera. Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka thënë Kurti.

22 vite më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

https://aab-edu.net/u-promovua-libri-krime-serbe-ne-kosove/

https://lajme.rtsh.al/artikull/-serbia-duhet-paditur-ne-hage-thirrja-e-cerciz-lolocit-qe-sapo-ka-ribotuar-krime-serbe-ne-kosove-

 

Please follow and like us: