Pirro Fotiadhi: Dr. Arqile GJINI, MODELI I MJEKUT PROFESIONIST, I PËRKUSHTUAR NË MBROJTJEN E SHËNDETIT TË QYTETARËVE!
Portret i paautorizuar kushtuar mjekut misionar, të përkushtuarit intelektual, Dr. Arqile Gjini
Në vend të prologut…
Personalitete dhe figura të respektuara, individë të cilët me modestinë dhe përulësinë e tyre, me famën e anonimitetit dhe guximin e profesionalistit, ofruan dhe lanë gjurmët e shndritshme të një pune të larmishme. Me aftësitë dhe performancën, me qasjen e tyre humanitare dhe mënyrën se si nxitën dhe motivuan ndryshimet pozitive që lidheshin me ofrimin e përkujdesit shoqëror e atij shëndetësor, duke lënë si trashëgimi të vyer, misionin shumëdimensional, kontributin e tyre vetëmohues, si edhe punën e tyre humanitare, në një shoqëri gjithëpërfshirëse.
Pesha e shumëfishtë e përkujdesit të shëndetit, ishte dhe mbetet një imperativ që rëndon mbi shpinën e përgjegjësisë individuale të mjekëve. I tillë ishte natyrisht edhe roli dhe misioni profesionali Dr. Arqile Gjini, si një prej personaliteteve më të respektuara të bluzave të bardha të qytetit të Vlorës. Që për afro gjysëm shekulli, duke u mbështetur fuqimisht në fushëveprimin e partneritetit dyadik dhe raportin e ndërvarur mjek-pacient, bazuar në vullnetin e fuqishëm, u fokusua dhe iu përgjigj me profesionalizëm të rrallë kësaj sfide humanitare.
Si frymëzues dhe mbartës i një vizioni tejet të rëndësishëm që lidhej kryekëput me kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve dhe qytetarëve në nevojë, Dr. Arqile Gjini, me virtyte dhe parime të rralla njerëzore, me zellin përkushtues, dëshmonte seriozitetin dhe përgjegjësinë misionare, në mbrojtjen e shëndetit të përgjithshëm të individëve dhe komunitetit.
Me dinamikën dhe pozitivitetin e tij,me energjitë dhe pasionin e tij, Dr. Arqile Gjini, si një simbol aktiv mirësie, ofroi me bujari buzëqeshje dhe gëzime në portretet e qytetarëve dhe të afërmve të tyre. Që ai me durim e këmbëngulje, me shumë sukses kuroi dhe i nxorri jashtë rreziqeve për jetën, duke u bazuar kryesisht në rrugët e mjekësisë tradicionale, por pa lënë mënjanë edhe aspektet e trajtimeve alternative.
Dr. Arqile Gjini, një emër dhe një personalitet, një njeri vullnetfortë me shpirt human, një mjek i palodhur, dhe me një etikë të shkëlqyer. Që anashkalonte faktorin kohë dhe natë apo ditë, përkujdesej me merak për shëndetin e qytetarëve të thjeshtë, në të gjitha zonat, madje edhe në ato tejet malore, ku ai shërbeu me devotshmëri. Ndonëse sot mbushen 13 vite që heshturazi u largua, të gjitha ditët përjetohen me të njëjtën dhimbje, me të njëjtin trishtim.
Ndaj në këtë ditë simbolike përkujtuese, me mirënjohje dhe respekt, nëpërmjet këtyre aradhave modeste, vlerësojmë dhe nderojmë personalitetin e spikatur autoritar të Dr. Arqile Gjinit. I përkushtuar dhe fokusuar në kredon e tij jetësore, që thesari dhe pasuria më e madhe në jetë, është eskluzivisht shëndeti i njeriut, me praninë e tij aktive shumëvjeçare, emrin e tij e lidhi me misionin e ndritur të emisarit dhe kujdestarit mbrojtës të shëndetit të qytetarëve.
Dr. Arqile Gjini realisht ishte një njeri krejt i veçantë dhe i ekuilibruar, një mjek pasionant dhe modest, optimist dhe shpresëdhënës. E gjithë rruga e jetës së tij, megjithëse fatkeqësisht e shkurtër, ishte magjepsëse, bazuar në vlerat themelore të një kontributi vetëmohues. Një jetë dhe karrierë që dallohej për modestinë e spikatur, për korrektesën dhe seriozitetin, për solidaritetin dhe humanizmin dhe prej dashurisë së pashtershme për jetën.
Dr. Arqile Gjini, përpos faktit se ishte një mjek i jashtëzakonshëm, njëherazi ishte një njeri i ndritshëm, mendjekthjellët dhe një familjar i shkëlqyeshëm, me një moral dhe integritet të rrallë.
Shpesh herë edhe fjalët nuk mjaftojnë dhe përkojnë me saktësinë në portretizimin e figurës së Dr. Arqile Gjinit. Sepse ai ishte ishte shumë i thjeshtë dhe tepër i dashur, një njeri autentik, me zemër të madhe, që i vetëdijshëm, jetën ia kushtoi mbrojtjes së shëndetit duke demonstruar vetitë më humane njerëzore. Nxitës njëherazi i besimit të plotë tek pacientët, në arritjen e rezultateve pozitive në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore.
Dr. Αrqile Gjini, një prej mjekëve krejt të veçantë, me një personalitet unik, me një komunikim të ngrohtë e të jashtëzakonshëm, një mjek i përkujdesur dhe vizionar në kujdesin ndaj shëndetit.
Me vullnetin e hekurt,me përgjegjësinë e lartë në përmbushjen e misionit të tij humanitar, Dr. Αrqile Gjini u shndërrua në një njeri tepër i dashur, duke gëzuar simpati admiruese tek breza e gjenerata të panumërta vlonjatësh, si tek kolegët, po ashtu edhe tek miqtë, por edhe tek pacientët, të cilëve ai u shërbeu me orar dhe jashtë orarit, me një përkushtim madhor e të jashtëzakonshëm pasionant.
Rrugëtimi jetësor dhe karriera profesionale…
Në agun e një dite të ftohtë Nëntori në Palasë, starton përballja me jetën e Arqile Gjinit. Teksa kalendari shënonte datën e 18 Nëntorit të vitit 1940, në vatrën e familjes së thjeshtë palasiote, por të respektuar dhe nderuar të Jorgji Gjinit, përjetohet gëzimi i ardhjes në jetë të një vogëlushi.
Fëmijërinë e brishtë e kalon në gjirin e familjes, ku qysh në hapat e para jetësore, prindërit e tij e edukuan me ngjizjen e virtyteve të jashtëzakonshme dhe universale. Në çdo hap të jetës të ndiqte parimet e ndershmërisë, të respektit ndaj të afërmve dhe cilitdo njeriu të thjeshtë. Të ishte shembull i drejtësisë, humanizmit duke i rrënjosur edukatën e punës dhe të nderit,si simbioza që lartësonin cilindo individ në rrugëtimin jetësor dhe atë profesional. Paralelisht me këto, ende fëmijë i parritur, Arqilea ngjizet me dashurinë për arsimimin, për dijen, për shkollimin, për përparimin.
Kësisoj starton dhe hedh hapat fillestare të shkollimit, pranë familjes, në vendlindjen e tij, në Palasë. Vitet natyrisht që përkojnë me konjukturat e mbizotërimit të varfërisë e njëherazi të përpjekjeve modeste të riparimit dhe rimëkëmbjes të pasojave shkatërrimtare të Luftës Çlirimtare. Duke u hedhur bazat e nevojshme për një jetë më të mirë e një perspektivë plot shpresë dhe dritë.
Duke vijuar shkollën 7-vjeçare, bie në sy impenjimi, këmbëngulja, pasioni dhe mençuria e tij dhe synimi për të arritur rezultate maksimale në përvetësimin e dijeve. Falë rezultateve të larta të arritura prej tij, në vitin 1954, pasi përfundon mësimet pranë kësaj shkolle, i akordohet e drejta e studimit, në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Parakushti i rezultateve të suksesshme të arritura nga ana e Arqile Gjinit edhe gjatë vijimit të kësaj shkolle, konsistonte në përgatitjen sistematike në lëndët shkencore bazë, në zgjerimin e hapësirave të njohurive, në rolin aktiv dhe angazhimin në klasë. Impakte këto që lidheshin kryekëput me vetëbesimin e tij, duke ndikuar njëherazi pozitivisht në arritjet e tij në lëndët mësimore, si edhe në formimin e koncepteve, shprehive etj. Ky angazhim përkon me vitin 1958, teksa Arqile Gjini përfundon me rezultate të shkëlqyera ciklin mësimor pranë Politeknikumit të Mesëm Mjekësor në Tiranë.
I armatosur me prirjet dhe ambicien për të ngjitur shkallët e lartësive në shkencën humane të Mjekësisë, pas përfundimit të Politeknikumit të Mesëm Mjekësor, i akordohet bursa respektive për të vijuar studimet në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Mjekësisë. Duke motivuar kësisoj edhe startin e realizimit të ëndrrave jetësore, në rrugën e përgjatë, të profesionit të nderuar të mjekut misionar.
Edhe gjatë vijimësisë së studimeve universitare, Arqilea me pasionin dhe seriozitetin që e karakterizonte, me mendjemprehtësinë e tij, shquhet për rezultate të larta, ashtu sikundër njëherazi edhe për angazhimin e tij thelbësor, në përmbushjen dhe kryerjen e praktikave mësimore spitalore.
Një udhëtim dhe sfidë kohore, sepse vetë Mjekësia në thelbin e saj, konsistonte në një proces të pambarimtë të të mësuarit dhe studiuarit sistematik, gjatë gjithë jetës. Për rrjedhojë Arqile Gjini, fokusohet tanimë dhe angazhohet në aspektin e formimit universitar, në përvetësimin e dijeve dhe njohurive profesionale dhe atyre didaktike, për t’u formatuar si një mjek me një performancë të denjë. Me bluzën e bardhë, Arqile Gjini do të lidhej pazgjidhshmërisht, si kauzën e jashtëzakonshme të gjithë jetës së tij.
Edhe vitet studentore për Arqile Gjinin, përkojnë me një periudhë kohore shumë aktive, e padyshim të mbrujtura me vullnet, përkushtim dhe sakrifica për të arritur në majat e larta të dijes. Sepse arritja e suksesit në një universitet, nuk lidhet kurrësesi vetëm me talentin, por gjithsesi edhe me përkushtimin maksimal tek studimet. E duke ofruar më të mirën prej vetes, duke guxuar dhe ndërmarrë sfida të reja, duke investuar kohë të mjaftueshme studimore edhe në përmbushjen e praktikave mësimore. Si një student i zellshëm dhe tepër sistematik,pasi përfundon me sukses dhe rezultate të larta ciklin e studimeve respektive, në vitin 1963, Arqile Gjini, diplomohet si Mjek i Përgjithshëm.
Pas përfundimit të studimeve, Dr. Arqile Gjini, si djalosh energjik, si pjesëz e gjeneratës së mjekëve të rinj, emërohet në rrethin e Pukës, ku mungesa e personelit mjekësor ishte problematike. Aty u angazhua dhe shërbeu për 8 vite rradhazi, fillimisht në periferitë e saj ashtu sikundër në vijimësi edhe në spitalin e këtij qyteti.
Qysh në hapat fillestare të rrugëtimit dhe karrierës së tij profesionale, duke i qëndruar stoik dhe besnik «Betimit të Hipokratit», Dr. Arqilea dëshmon impenjimin, përkushtimin dhe vullnetin e tij të jashtëzakonshëm. Dëshirat dhe impaktin e një njeriu korrekt në kryerjen e detyrës, një performancë admiruese profesionale dhe përgatitje shkencore, duke ofruar potencialin e dijeve të tija në mbrojtje të shëndetit të banorëve pukjanë, e duke u afirmuar si një mjek me shumë dinjitet, i aftë dhe i zoti si rrallëkush.
Mjeku modest, Dr. Arqile Gjini, i ngjizur me dashurinë e pakufishme për profesionin human të mjekut, me pjekurinë dhe optimizmin për vetë jetën, fjalëpak dhe i papërtuar, i palodhur për t’u gjendur në çdo moment, aty ku e thërriste nevoja imperative. Monopateve dhe udhëve të vështira, përmes kodrave dhe maleve, në shërbim të pacientëve, në çdo portë apo shtëpi, në ditët me diell, ashtu sikundër edhe në mote të stuhishme me shi apo me borë, nuk e e njihte orarin zyrtar. I spikatur për shpirtin e tij të sakrificës, me entuziazmin e tij të përhershëm, ai ndodhej përherë në krye të detyrës, si një misionar parandalues në rolin e shpëtimtarit të jetës së njerëzve të thjeshtë.
Madje falë punës së tij vetëmohuese, falë intuitës profesionale, falë papërtueshmërisë dhe humanizmit të tij të spikatur, falë edhe aftësive drejtuese dhe organizative të shfaqura, falë emrit të mirë dhe respektit të jashtëzakonshëm që krijoi në fshatrat dhe periferinë e Pukës, Dr. Arqile Gjini emërohet edhe shërben për një periudhë kohore edhe si Drejtor i Shërbimit Shëndetësor të rrethit të Pukës.
I mbrujtur thellësisht me filozofinë e parimeve hipokratike, Dr. Arqile Gjini, si një shërbëtor i artit të tij mjekësor, dëshmonte maturi dhe urtësi, në gjithë proceset e domosdoshme të mjekimit. Paralelisht ai me mendjemprehtësi, për të qenë sa më i dobishëm për pacientin, i shpërblente dhe relaksonte me metoda të çuditshme racionale dhe efektive, duke ofruar një trajtim respektiv tepër të kujdesshëm, që sillte respektivisht rezultate pozitive mbresëlënëse.
I vlerësuar dhe respektuar për prestigjin dhe përgjegjësinë e profesionit të mjekut, pas një përvoje tepër të vyer të fituar në një trevë malore me terren tepër të vështirë, në vitin 1971, Dr. Arqile Gjini transferohet në rrethin e Vlorës. Fillimisht emërohet si mjek në Spitalin rural të Lokalitetit të Bratajt. Me shpirtin e tij të sakrificës, me thjeshtësinë dhe përkushtimin që e karakterizonte, ai kontribuoi me gjithë energjitë e tij, duke ofruar gjithë potencialin e njohurivë të tija shkencore, në mbrojtje të shëndetit të banorëve të kësaj treve.
Në Dhjetor të vitit 1971, si një misionar protagonist, i përkushtuar në parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, Dr. Arqile Gjini emërohet dhe starton karrierën e tij profesionale në Poliklinikën e qytetit të Vlorës.
I nxituar dhe motivuar për perfeksionimin e njohurive shkencore, ashtu sikundër edhe i interesuar për t’u njohur me arritjet dhe evoluimin e përçdoditshëm të mjekësisë, Dr. Arqile Gjini kryen specializimin respektiv dhe në vitin 1972 emërohet në Spitalin Rajonal të rrethit të Vlorës.
Një personalitet i cili reflektonte optimizëm dhe energji pozitive, Dr. Arqile Gjini, në rrugëtimin e tij jetësor dëshmoi se ishte një mjek brilant dhe tepër i përkushtuar në profesionin e tij. Përherë i papërtuar dhe në krye të misionit të tij humanitar në shërbim të pacientëve, duke ofruar ndihmesën e përkujdesin e tij të specializuar tek cilido qytetar që e kishte të domosdoshme.
Dr. Arqile Gjini, si simbol dhe një personalitet krejt i veçantë, me etikën e rrallë, me humanizmin e tij admirues, me dashurinë e pakufishme,me buzëqeshjen dhe mirësinë e një mjeku të papërtuar, që nderoi dhe shenjtëroi betimin e Hipokratit, si edhe uniformën e bluzës së bardhë, rrezatonte besim dhe siguri, luajal dhe elastik,përjetonte emocionalitetin dhe ndjenjat e pacientit, duke u përballur dhe sfiduar me sjelljen e tij, çdo specifikë eventuale apo nevojë imperative në aplikimin e terapive kuruese si edhe në shërimin e sëmundjeve.
Për përkushtimin dhe seriozitetin, për sukseset dhe efektivitetin, për rezultatet dhe korrektësinë e tij shembullore, në fillim të viteve 90-të Dr. Arqile Gjini emërohet si Shef i Shërbimit të Patologjisë, një detyrë dhe mision të cilin ai me kompetencë, përgjegjësi, etikë dhe punën e palodhur, mundi t’ia dilte mbanë për shumë vite rradhazi. Sepse sekreti i suksesit dhe madhështisë së tij, ishte natyrisht puna, sakrifica dhe përkushtimi. Sepse me ngrohtësinë karakteristike, me shkëlqimin e mirësisë dhe humanizmit të pashoq, me sjelljen qytetare si një mjek elitar, me prezencën e tij, mundi të ofronte shpresë, optimizëm dhe balsamin e shërimit në jetën e mijëra e mijëra qytetarëve që e kishin të domosdoshme angazhimin dhe ndihmesën e tij.
Dr. Arqile Gjini, me të përzgjedhurën e zemrës së tij, kolegen doktoreshë Kozeta Salati, në Shtator të vitit 1979, krijon familjen e tij, duke u kurorëzuar me martesë. E në vijimësi duke sjellë në jetë birin e tyre Gjergji, në vitin 1980, si edhe të bijën Alba, në vitin 1982. Familja model, bashkëshortja e tij e dashur dhe të dy fëmijët e tij, ishin natyrisht mbështetje e palëkundur dhe një motivim i fuqishëm, në karrierën e tij brilante profesionale si mjek dhe misionar.
Dr. Arqile Gjini, ndonëse për efekt moshe duhet të dilte në pension, ai me papërtueshmërinë e tij karakteristike, vijoi veprimtarinë aktive dhe kontributdhënien e tij të vyer, duke bashkëpunuar e kontribuar në klinikën private së bashku me Dr. Maksi Gegën, madje deri në momentet e fundit të papritur dhe të beftë të jetës së tij.
I vlerësuar për aftësitë, për meritat e veçanta në aspektin etik, human por edhe profesional, Dr. Arqile Gjinit, i besohet për dy mandate rradhazi, posti i Presidentit të Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve për qarkun e Vlorës. Falë angazhimit, përvojës së tij të çmuar, falë punës së palodhur dhe pasionante, ai ofroi një imazh dhe frymëmarrje krejt të re për këtë organizëm profesional në rrethin e Vlorës, duke dëshmuar gjallëri, seriozitet, vlerësime korrekte dhe objektive
Për gjithë veprimtarinë dhe kontributdhënien e tij të spikatur e të ndritur, Dr. Arqile Gjini, më 22.04.2009 është vlerësuar për profesionalizmin e lartë intelektual, për ndershmërinë dhe korrektësinë, si një mjek parimor e pa kompromise, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me «Medaljen e Punës për Merita të Veçanta Civile» (Pas Vdekjes), ndërkohë që më 6 Prill 2011, dekorohet nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika me medaljen e «Mirënjohjes së Qytetit të Vlorës».
Dr. Arqile Gjini, një shpirt i shqetësuar, ndër mjekët e spikatur dhe njëherazi një ndër personalitetet e mjekësisë vlonjate, që gëzonte një nderim dhe respekt të jashtëzakonshëm.
Misioni dhe filozofia mjekësore e Dr. Arqile Gjinit konsistonte tek vijimësia dhe koherenca e njohurive dhe përvojave të pedagogëve të tij, të kolegëve ashtu sikundër edhe si një praktikues dhe zbatues i përpiktë i njohurive bashkëkohore që promovoheshin me përgjegjësi në librat mjekësorë ashtu sikundër edhe revistat apo buletinet mjekësore. Sepse aftësitë dhe përsosja e artit kurativ mjekësor realizohen jo vetëm përmes studimeve sistematike të thelluara, por njëherazi edhe përmes trajnimeve të specializuara ashtu sikundër edhe përmes besimit eventual të mjekut, në punën e tij por edhe të mënyrave që ai përzgjedh dhe si ai i praktikon ato.
Në vend të epilogut…
13 vite më parë, në vitin 2008, krejt papritur pushoi së rrahuri zemra njeriut human, e mjekut misionar, e modelit të spikatur të përkushtimit dhe vetëmohimit, Dr. Arqile Gjinit. Ndonëse vitet ecin dhe faktori kohë luan rolin e saj, ai është fiksuar dhe do të kujtohet si një prej mjekëve specialist tepër human dhe i shquar për formimin dhe përgatitjen e tij shkencore
Gjithë rrugëtimi jetësor i Dr. Arqile Gjinit, i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij të rëndë profesionale, konsiston në simbiozën e përfshirjes të madhështisë së mjekut dashamirës, që me mjeshtëri di të përcaktojë me saktësi jo vetëm fjalët e ngrohta, por edhe veprimet konkrete terapeutike që përdor, për të transformuar dashurinë e tij për njeriun, në një përkujdesje imediate tepër të çmuar.
Si një intelektual rrezatues, si një mjek i mirë, si një bashkëqytetar modest, si një misionar me përkushtim e profesionalizëm,Dr. Arqile Gjini kontribuoi për vite e dekada rradhazi si një mjek i përkushtuar, në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve vlonjatë.
Dr. Arqile Gjini, spikati për ndjeshmërinë shpirtërore dhe emocionale. Një mjek i shquar, një njeri i mirë familjar dhe një bashkëpunëtor i denjë në Shërbimin Shëndetësor të trevës së Vlorës. Një mjek modest, rrezatues dhe me vlera, tepër i dashur dhe i sjellshëm me kolegët ashtu sikundër edhe me gjithë pacientët e qytetarët, të cilët e nderonin dhe e vlerësonin. Duke ofruar për një numër dekadash dhe vitesh, shërbime të rëndësishme në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, si nga ana njerëzore po ashtu edhe nga ana shkencore.
I vlerësuar për reputacionin e tij shkencor, shoqëror dhe profesional, Doktor Arqile Gjini padyshim që ishte një personalitet që ka lënë gjurmë të ndritura në fushën e mjekësisë dhe parandalimit, ashtu sikundër edhe në jetën social-shoqërore të rrethit të Vlorës.Në çdo moment të jetës së tij, ai anashkaloi gjithçka, duke u ndodhur pranë atyre që kishin nevojë për të, duke ofruar me vetëmohim gjithë performancën e potencialit të dijeve të tija profesionale-shkencore.
Me moralin dhe punën e tij të palodhshme Dr. Arqile Gjini, përpos se ishte një njeri i jashtëzakonshëm, kishte një dimension tjetër, dhe kjo e shquante dhe e bënte të veçantë, si një person por edhe si personalitet i mjekësisë dhe si njeri. Pikërisht, ndonëse sot mbushen 13 vite të mungesës së tij fizike, Dr. Arqile Gjini është fiksuar në memorien e të gjithëve, për stilin e tij, për ngrohtësinë, për fisnikërinë, për urtësinë, për qetësinë, për thjeshtësinë, për buzëqeshjen e tij karakteristike. Sepse ai veçonte jo vetëm prej performancës dhe formimit të tij të thellë shkencor, por gjithsesi edhe prej moralit të lartë, prej inteligjencës, prej pasionit të tij admirues për mjekësinë, prej humanizmit të tij krejt të papërsëritshëm.
Prania shpirtërore dhe morale e buzagazit Dr. Arqile Gjini, si një mjek tepër i përkushtuar dhe i zoti në profesionin e tij, me shpirtin e sakrificës dhe energjitë e pashtershme, natyrisht që është një pikë referimi për të gjithë. E natyrisht jo vetëm për aktualitetin e sotshëm, por edhe për gjeneratat e brezave të ardhshëm të mjekëve. Sepse humbja e pazëvendësueshme, mungesa e tij, hyn tek zbrazëtia e atyre figurave të spikatura, që ofruan dhe lanë gjurmë të jashtëzakonshme e të ndritura, në historinë e mjekësisë moderne vlonjate.
Prezenca admiruese e Dr. Arqile Gjinit në ato momente krejt të vështira për jetën e pacientëve dhe qytetarëve, fjala e ngrohtë e tij mishëronte një epokë tejet origjinale dhe një mentalitet krejt tjetër krahasuar me atë të sotmin. Sepse mjeku dhe misioni i tij hipokratik, ishte përkujdesi, parandalimi, ndihmesa e specializuar e çdo përpjekje respektive për shpëtimin e jetës njerëzore, pa kurrfarë amoraliteti e rryshfetdhënieje. E për këto impakte apo detaje të ofertës dhe shpirtzemërgjërësisë së këtij misionari të përkorë, ne të gjithë bashkëkohësit e tij, ndihemi krenarë dhe borxhlinj përpara figurës së tij.
I pasionuari i shkencave mjekësore Dr. Arqile Gjini, fizikisht nuk ndodhet mes nesh i pranishëm. Ai tanimë i përket Përjetësisë së Ndritur dhe do të jetë i përhershëm në kujtimet dhe memorien tonë, të gjithë bashkëkohësve të tij, të kolegëve, pacientëve dhe miqve të tij të panumërt, si një personalitet brilant dhe i pavdekshëm!
Sepse profesionalizmi dhe kontributi i papërtuar, ndihmesa dhe vlerat madhore të njeriut të mirë dhe humanistit të madh, mjekut profesionist të rrallë, Dr. Arqile Gjini, janë gdhendur thellë në kujtesën tonë pashlyeshme si edhe të bashkëkohësve bashkëqytetarë të tij të Pukës e të Vlorës.
Me përulje, faleminderit Dr. Arqile Gjini!
Për ndihmesën tuaj të vyer, por edhe për mënyrën tuaj perfekte e mbresëlënëse të komunikimit, të shërimit dhe sjelljen tuaj.
Faleminderit, për ndërgjegjen profesionale,për besimin,për shpresën dhe sigurinë që na përcollët me prezencën tuaj, jo vetëm si mjek por edhe si njeri.
Pasioni juaj për mjekësinë dhe puna juaj vetëmohuese dhe e palodhur, realisht përherë do të na frymëzojnë.
I paharruar qoftë kujtimi yt dhe u prehsh në paqen e Përjetësisë, miku ynë Dr. Arqile Gjini!
I përjetshëm nderimi dhe mirënjohja për personalitetin dhe figurën e nderuar, Dr. Arqile Gjini!
Athinë, 26. 06. 2021.