Jack Rosen takon Erion Veliaj: American Jewish Congress do të ndihmojë Tiranën si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022
Jack Rosen, presidenti i Kongresit Hebre Amerikan (American Jewish Congress), njëherësh edhe Kryetar i Këshillit Amerikan për Botën Hebraike (American Council for World Jewry), zhvilloi një takim në SHBA me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Takim i shkëlqyeshëm me mikun tim të mirë Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Më pëlqeu të mësoja për zhvillimet pozitive në Shqipëri dhe për zgjedhjen e Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022. Kjo është një mundësi e rëndësishme edhe për American Jewish Congress për ta mbështetur atë”, shkruan Rosen në Twitter.
Kryebashkiaku i dhuroi “Kullën e Sahatit”, simbolin e kryeqytetit shqiptar.
“Jam i gëzuar që takoj mentorin dhe shokun e vjetër Jack Rosen në fund të vizitës time në SHBA. Puna fantastike e Kongresit Hebre Amerikan që lidh kryetarë bashkie në të gjithë botën me kolegët e tyre në Izrael ka patur sukses të jashtëzakonshëm! Tirana krenohet si një qytet që shpëtoi të gjithë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shkruan Veliaj në Twitter.