5 spiunët e Kembrixhit dhe si u zbuluan
Në të gjithë historinë e spiunazhit nuk ka patur spiunë më të rrezikshëm se sa spiunët e Kembrixhit. Ndryshe nga të tjerët, të cilët shisnin informacione apo dokumenta sekrete për para apo përfitime materiale, spiunët e Kembrixhit kishin vetëm motive ideologjike ndaj konsiderohen në histori si më të rrezikshmit.
Këta spiunë ishin Donald Maclean, Guy Burgess, Kim Philby, Anthony Blunt dhe John Cairncross. Ata u rekrutuan prej sovietikëve teksa ishin ende studentë në Universitetin e Kembrixhit në Angli.
Të pestë vinin prej familjesh të larta angleze, i priste një e ardhme dhe sukses i sigurtë, por nën idealizmin e moshës dhe kohës, idedologjia komuniste iu duk mëjoshëse dhe më e drejtë se sa ajo kapitaliste perëndimore.
Të pestë ishin të bindur se Marksizëm–Leninizmi i Komunizmit Sovjetik ishte sistemi politik më i mirë i disponueshëm, dhe mbrojtja më e mirë kundër fashizmit.
Ata i ngjitën me shpejtësi shkallët e karrierës në Angli, dhe arsyeja kryesore ishte që ta dëmtonin Anglinë, Shtetet e Bashkuara, e mbarë botën kapitaliste perëndimore sa më shumë. Dhe ia arritën. Dëmi i shkaktuar prej tyre ishte kolosal ndaj sigurisë dhe planeve perëndimore.
Donald Maclean (1913-1983) Emri i koduar: Homeri
Donald Maclean ngjiti shkallët e karrierës në Ministrinë e Jashtme Angleze në Tetor të 1935, si pjesë e Shërbimit Diplomatik të Madhërisë së Tij. Ai u bë i pari spiun i Kembrixhit që depërtoi në korridoret e pushtetit. Në fillim të vjeshtës së vitit 1938, Maclean u caktua në një pozicion prestigjioz në Paris. Në pranverën e vitit 1944 u dërgua në ambasadën angleze në Uashington, ambasadë e cila kosiderohej prej Winston Churchill si më e rëndësishmja e të gjitha institucioneve jashtë vendit.
Maclean, tashmë një diplomat i rëndësishëm në Uashington, kishte akses tek dokumentat më sekrete si angleze ashtu edhe amerikane. Në Shkurt 1946, ai kaloi një javë në Bermuda duke negociuar me Shtetet e Bashkuara për të drejtat e bazave ushtarake në Atlantik. Falë Maclean, Stalini zotëronte hartat e të gjitha bazave amerikane në Europë.
Që nga Gushti 1947 deri në Qershor 1948, Maclean ishte përfaqësuesi i Britanisë për Energjinë Atomike Britanike në Uashington, ndaj ai bëri shumë vizita tek zyrat qendrore të Komisionit të Energjisë Atomike. Në vitin 1947 ai u bë sekretari i Komitetit të Politikës së Përbashkët e cila koordinonte politikën nukleare Anglo-Amerikane-Kanadeze. Ligji i McMahon, i cili dhe themeloi Komisionin e Energjisë Atomike në gusht 1946, ndalonte Amerikën të ndante informacione nukleare me Britaninë.
Por pavarësisht nga Ligji McMahon, Donald Mclean vazhdoi të kishte akses të palimituar në informacionet atomike në Uashington. Ai zotëronte një lejekalim me të cilën hynte i pashoqëruar në ambientet e Komisionit të Energjisë Atomike. Duke punuar përpara hundës së zyrtarëve amerikanë dhe FBI-së, Maclean tradhëtoi sekretet atomike amerikane dhe si rrjedhojë Bashkimi Sovietik prodhoi bombën e saj të parë atomike, më herët nga ç’pritej.
Më 24 qershor 1947, Stalini i bëri bllokadë Berlinit duke mbylluar të gjitha rrugë-kalimet dhe duke ndërprerë rrymën elektrike të qytetit. Katër ditë më vonë, Presidenti amerikan Truman shpalli se Shtetet e Bashkuara po dërgonte gjashtëdhjetë avionë B-29, me kapacitet atomik, në bazat e saj ushtarake në Angli dhe Gjermani. Ishte Trumani dhe jo Stalini ai që po bënte presion të rremë. Maclean e dinte se qysh në fillim të vitit 1947 Shteteve tëBashkuara u ishte mbaruar uraniumi, ndaj ai ishte në gjendje të këshillonte strategjistët e Kremlinit se prodhimi i uraniumit në SHBA ishte i ngadalshëm apo nuk egzistonte fare.
Maclean ishte sabotator i Perëndimit dhe këshilltar i Lindjes. Si sabotator ai operonte përtej linjës së armikut, duke mashtruar makinerinë e politikës së jashtme perëndimore dhe duke shkaktuar konfuzion midis diplomatëve Anglo-Amerikanë, Ai shkaktoi kaos midis diplomatëve britanikë dhe amerikanë, kaos i cili kontribuoi rëndë në prishjen e marrëdhënieve të veçanta Anglo-Amerikane.
Guy Burgess (1911-1963)-Emri i koduar: Hicks
Guy Burgess iu desh më vonë se Maclean të arrinte akses në sekretet shtetërore. Burgess ishte një individ shumë i vështirë. Ai ishte i alkoolizuar dhe homoseksual.Ai nisi karrierën e tij si regjizor në BBC dhe në vitin 1938 zuri një vend pune në Shërbimin Informativ Sekret Anglez, për shkak të talentit që kishte në marrëdhëniet ndërkombtare. Në vitin 1946, Burgess u bë asistent personal i Hector McNeil, ministër i shtetit në Ministrinë e Jashtme. Teksa punonte në Ministrinë e Jashtme, Burgess i jepte sovietikëve çanta plot me dokumenta të Ministrisë së Jashtme të cilat fotokopjoheshin në ambasadën sovjetike pastaj iu ktheheshin atij. Boris Krotov, oficeri i tij ndërmjetës rus gjer në 1947, i merrte çantat e Burgess në një fshat jashtë Londrës.
Në vjeshtën e vitit 1948, Burgess u transferua në Departamentin e Lindjes së Largët. Në Gusht 1950 ai u caktua sekretar i dytë në ambasadën britanike në Uashington. Atje ai ishte në gjendje të informonte Moskën për detajet e formulimit të politikës britanike mbi Republikën Popullore të Kinës dhe Koresë gjatë periudhës së luftës në Kore e cila nisi në qershor 1950. Ndonëse ishte vetëm një oficer i gradës së katërt, Burgess kishte akses të shpeshtë në vlerësimet e intelligjencës në Komitetit të Përbashkët të Inteligjencës, Zyrën e Luftës dhe zyrat kryesore të Gjeneralit Douglas MacArthur në Komandën Supreme të Aleatëve në Tokio. Një informacion i një rëndësie të veçantë për Moskën duhet të ketë qenë një analizë e detajuar e inteligjencës ushtarake në Prill 1950 mbi ndihmën e Rusisë ndaj forcave komuniste kineze, të cilat tregonin të gjithë informacionin që kishte mbledhur Perëndimi dy muaj para luftës në Kore.
Ndikimi i Maclean dhe Burgess në Moskë, arriti kulmin në periudhën pas filimit të luftës në Kore. Kremlinit duhet ti jenë dukur me shumë vlerë dokumentat e siguruara prej Maclean kështu që ata mund të këshillonin Kinën dhe Korenë e Veriut mbi strategjitë dhe pozicionet negociuese. Përveç dokumentave të klasifikuara që u siguruan rusëve, Maclean dhe Burgess i shtuan atyre edhe llustrën e tyre personale anti-amerikane duke e shtuar frikën sovjetike se Shtetet e Bashkuara kishin për qëllim ta kthenin luftën në Kore në një luftë botërore.
Kim Philby (1912-1988) Emri i koduar: Sonny, Stanley
Agjenti në perëndim i cili ndihmoi më shumë Kremlinin dhe KGB-në ishte Kim Philby. Teksa ishte komandant në qendrën e Shërbimit Informativ Sekret Anglez në Turqi, 1947–1949, ai tradhëtoi agjentët që shkelën kufirin rus si edhe kontaktet, së bashku me familjet e tyre brenda Bashkimit Sovietik.
Në vitet 1949–1951, Philby ishte përfaqësuesi i Shërbimit Informstiv Sekret Anglez në Uashington.Detyra e tij ishte të bashkëpunonte me CIA-n, funksion i cili e lejoi ti jepte ndërmjetësit të tij rus informacione sekrete angleze dhe amerikane.
Ai njoftoi KGB-në për operacionin e sponsorizuar nga Shërbimi Informaiv Sekret Anglez për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, në tetor të vitit 1949, për përpjekjen tjetër në verën e 1950, dhe për parashutat e hedhura nga CIA në nëntor 1950. Nerguti, njëri nga agjentët që mori pjesë në një nga këto operacione në Shqipëri, tha më vonë me dëshpërim ‘Philby shkaktoi një dhimbje të madhe. Ai tradhëtoi misionin tim.’
Philby ishte përgjegjës edhe për kapjen e parashutistëve në Ukrainë në 1951. Ai i dha rusëve informacione të sakta për tre grupe agjentësh të hedhur me parashutë në Ukrainë prej Shërbimit Informativ Sekret Anglez. Këto operacione të dështuara në Shqipëri dhe Ukrainë përmenden nga vetë Philby tek libri i tij Lufta ime e heshtur. Në këtë libër ai përmend edhe përfshirjen e tij në zhdukjen e Kostantin Volkov, Zv-Konsull i Rusisë pranë Konsullatës së Përgjithsme në Stamboll, i cili kishte kërkuar azil politik. Në shkëmbim të plotësimit të kërkesës së tij për azil politik, Volkovi kishte premtuar tu jepte britanikëve listat dhe rrjetet e agjentëve rusë që operonin në Perëndim.
Gjithashtu, ai tha se njihte emrat e vërtetë të tre agjentëve rusë që punonin në Britani. Në krye të çështjes Volkov u caktua Kim Philby, ndaj merret me mend përse u zhduk Kostantin Volkov.
Zyrtarët e lartë amerikanë dhe britanikë, madje edhe CIA, kishin konsiderata tepër të larta për Philby. Ai diskutohej të bëhej drejtori i ardhshëm i MI6, dhe ishte në listën e marrjes titullit të kalorësisë, ‘Sër’, titull që jepet nga vetë kreu i monarkisë britanike. Në vitin 1940, ai u rekrutua nga Shërbimi Sekret Britanik dhe u vendos në Sektorin D. Në vitin 1941, u transferua në Sektorin V dhe u vendos në krye të inteligjencës britanike në Spanjë dhe Portugali. Në 1944, u caktua si kreu i Sektorit IX, ironikisht ky sektor kishte për qëllim të operonte kundër Komunizmit dhe Bashkimit Sovietik.
Në vitin 1946 bëhet drejtor i Shërbimit Informativ Sekret në Turqi. Në 1949, bëhet përfaqësues i Shërbimit Informativ Sekret Britanik në Uashington, si një officer i lartë i kësaj të fundit që kishte si detyrë të bashkëpunonte ngushtë me CIA dhe FBI. Tradhëtia e tij i tronditi të gjithë dhe shkaktoi një konfuzion dhe mosbesim midis shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike. “Dëmi më i madh që bëri Philby,” shkroi historiani Christopher Andrew, “ishte se bëri që oficerët e shërbimeve sekrete ango-amerikane të enden kuturu në një shkretëtirë pasqyrash, duke kërkuar më kot për gjurmët e një mashtrimi të madh imagjinar sovietik.”
Si u zbuluan dhe si përfunduan spiunët e Kembrixhit?
Dekripti Venona, që dha disa informacione që pasuan kapjen e spiunëve të skreteve atomike, Julius dhe Ethel Rosemberg, zbuloi identitetin e një agjenti rus me emrin e koduar Homer.
Homeri ishte Donald Mclean.
Duke e kuptuar që laku po u afrohej, më 25 Maj 1951, Burgess dhe Maclean u zhdukën. Ata u arratisën në Rusi. Philby u thirr në Londër për hetim dhe iu kërkua të jepte dorëheqjen nga Shërbimet e Jashtme. Kërkimet për kapjen e “Njeriut të Tretë” filluan menjëherë por nuk kishte asnjë fakt apo provë që Philby ishte spiun rus. Në darkën e 23 janarit 1963, Philby zhduket. Bashkimi Sovietik shpalli se Kim Philby kishte fituar azil politik në Moskë.
Pas arratisjes së Philby, inteligjenca britanike zbuloi edhe dy spiunë të tjerë sovietikë: Anthony Blunt, Emri i koduar: Tony, Johnson, dhe më pas John Cairncross, Emri i koduar: Liszt, duke e plotësuar ekspozimin e plotë të rrjetit të pesë spiunëve të Kembrixhit.
Përfshirja e Blunt dhe Cairncross u mbajt e fshehtë për shumë vite: deri në 1979 për Blunt, dhe 1990 për Cairncross.
Blunt dhe Cairncross arritën të marrin imunitet nga prokuroria, por Donald Maclean, Guy Burgess dhe Kim Philby nuk u kthyen më kurrë në perëndim.
Burgess vdiq prej alkoolit në vitin 1963. Maclean u caktua si Kolonel i KGB dhe vdiq në vitin 1983 nga një atak në zemër. Kim Philby u dekorua në vitin 1965 me ‘Urdhërin e Flamurit të Kuq’ të Bahkimit Sovietik, një nga dekorat më të larta të dhëna ndonjëherë nga Moska.
Në shkurt të vitit 1987 shkrimtari i njohur britanik Graham Greene, një prej miqve të vjetër të Philby, e takoi atë në Moskë, dhe pa se sa i zhgënjyer ishte ai me sistemin komunist. Nuk ishte ai sistem që kishte imagjinuar dhe për të cilin kishte tradhëtuar vendin e tij.Philby vdiq një vit më vonë në 1988 i varrosur me nderimet më të larta ushtarake sovietike.
Tradhëtia dhe arratisja e këtyre spiunëve britanikë e shkatërroi bashkëpunimin anglo-amerikan në ndarjen e informacioneve dhe armëve atomike. Të pesë këta spiunë kishin qenë në gjendje ti siguronin rusëve informacione tepër të rëndësishme anglo-amerikane.
Moska kishte si pronë të saj informacione të një grade tejet të lartë por Stalini ishte skeptik ndaj spiunëve që kishte në perëndim. Ai kishte frikë se mos ata bënin lojë të dyfishtë dhe se u jepnin Moskës ato informacione që ja diktonte Britania apo Amerika. Kjo paranojë e Stalinit e minimizoi dëmin e shkaktuar nga spiunët e Kembrixhit. Nëse Stalini do u kishte besuar plotësisht spiunëve të Kembrixhit dhe nëse ai do i kishte përdorur ato informacione kundër perëndimit nuk dihet se si do kishte shkuar rrjedha e historisë.
Gjithsesi, Spiunët e Kembrixhit, vazhdojnë të njihen si grupi më i aftë i agjentëve të huaj në historinë e KGB-së./ Gazeta Shqip