Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Nesër Edi Rama do përjashtojë edhe Edi Ramën

 

 

Nga maji i 2019-ës kur nisi Vetingu, apo reforma mbi verifikimin e pasurive, e ashtuqujtura edhe reforma në drejtësi, 80% e kuadrit të ligjeve nuk e justifikon gjëndjen financiare. Atëhere u fol se do bëhej edhe në institucione të tjera, si policia dhe Kuvendi apo politikanët. Por nuk ndodhi asnjëherë. Kur thua 80% merret me mend se çfarë katastrofe sociale ka përjetuar vendi ynë në lidhje me korrupsionin në drejtësi. Është njësoj si të ilustrosh një ngrehinë me katër kate, duke ia hequr 80% të trupit. A mund të qëndroj më, në këmbë ajo? Asesi. Pra bëhet fjalë për drejtësinë ku paratë e rryshfetit vinë kryesisht nga bota e paligjëshmërive. Vret katër veta në rrugë dhe del i pafajshëm etj. Jo vetëm që i merr tjetrit pronën, por e fut edhe në burg. Vjedh milionat e taksave dhe jo vetëm që del i pafajshëm, por edhe ”intelektual” me diplomë, vilë në bregdet, toka dhe pasuri të tjera kryesisht apartamente. Imagjinojeni vetë tani nëse ky lloj vetingu do bëhej në polici, shëndetësi, arsim, apo dogana. Ndofta më në fund do ta kuptoni se përse pagat a pensionet janë qesharakë, përse akoma diskutohet uji njëzetë e katër orë, rryshfeti në shëndetësi etj. Shifrat do dalin aq marramendëse sa edhe shqiptari më naiv nuk do ta ketë të vështirë të kuptoj se përse Shqipëria e tij ëndrrron të jetë Zvicra dhe jo anasjelltas. Megjithatë kurrë, e ashtuqujtuara esnafëria e vendit, nuk do ta pranoj demin katastrofik që u kanë shkaktuar shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq, por kanë nisur një lojë të fëlliqur me gjoja pak pendesë për pushtetin e gjatë të tek-tuk bashkiakëve në rrethe dhe pandëshkueshmërinë. Aq sa nesër mos u çudisni kur Spaku të thërrasi në bankon e të akuzuarve vetë Edi Ramën dhe kur ky para kamerave do t’u thotë se distancohet publikisht nga Edi Rama. Po, po, do shikoni Edi Ramën të vetëm në krye të një salle me plot Edra të tjerë, ca me qillota, ca me treçerekshe, rruar pa rruar, ku Edi i kreut u thotë, përjashta nga Partia Socialiste. Puna është, a e kanë kuptuar vet shqiptarët? Këta apo ata kryebashkiaë, kush i vuri aty, shqiptarët apo Edi Rama? Në demokraci veprohet jo me t’i vënë gishtit tjetrit, por edhe vetes. Ky vetë asnjë faj nuk ka?

Sigurisht që ka, por kur u thua njerëzve që mandati i tejzgjatur në pushtet është kancer për shoqërinë, revoltohen, bërtasin, mbrojnë me shkumë shtetarin sikur ta kenë aspirator. Do Zoti e ky SPAK vazhdon se do shihni gjëra që do skuqeni. Do u dhimbset vetja sa dëmi breznor është po aq i pariparueshëm sa ai i diktaturës kur aplikonte luftën e klasave. Nuk ka asnjë të pazevëndesueshëm, mjerë ai komb që mendon të kundërtën. Problemi tjetër është opozitarizmi. Është antikombëtare kur shikon studiove sportive ca opozitarë që u shkumosën mbi vjedhjen e votës. E harruan indinjatën, janë pjesë panelesh, e atyre studiove që të nxjerrin sytë. Është po aq antikombëtare kur kryeopozitari u thotë shqiptarëve nga zyra me kondicioner që peshku qelbet nga koka. Sigurisht nga koka qelbet, ashtu si me ty, humb e qëndro në pushtet. Bëj votime Edi Rama, ashtu edhe ti. Nesër mos prisni në pushtet një demokrat, por një varint tjetër të Covid-it Edi Rama, një variant tjetër të shushunjave që me fondet publike blejnë vila dhe çojnë fëmijët në shkollat më të mira të Europës. Opozitari në kushte të tilla, me fakte alarmante, ka vetëm një zyrë, sheshin. Por kjo nuk ndodh. Kësisoj prisni ndonjë skup tjetër me non grata, a ndonjë kryetar bashkie periferike si Prrenjasi, thjesht për t’iu masturbuar, jo për të çuar vendin në Europë. Ata vetë aty do i keni, nuk e lëshojnë istikamin. Është i njëjti soj, i njëjti virus.

Please follow and like us: