Arrestohet bashkëshorti i ish-ministres, Besa Shahini
Policia e Kosovës ka arrestuar ditën e sotme Dardan Molliqajn, bashkëshortin e ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Molliqaj dhe shtatë aktivistë të tjerë të Partisë Socialdemokrate janë vënë në pranga gjatë protestës së mbajtur sot në Prishtinë kundër taksës shtesë për regjistrimin e makinës.
Ata kanë ngjitur në veturat zyrtare tiketa me mbishkrimin ‘zhvatës’.
PSD në një reagim ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre. “Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së.
Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton atë. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit.
Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë”, thuhet në reagimin e PSD.