Një varrezë mesjetare zbulohet në Përmet!
Gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit Task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”, dolën në dritë disa varre.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër ndërmori menjëherë pezullimin e punimeve, dhe në datën 07.07.2021 specialistët tanë realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren.
Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar.
Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.
Lajmet e rreme u përhapën sot pasi kreu i shoqatës Anti-komuniste të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika ka thënë se Përmeti ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit, dhe vendi i varreve sipas tij ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në fakt, janë varre mesjetare.