Arqile Garo: ELEGJI PËR PETRIT RUKËN
ELEGJI PËR PETRIT RUKËN
(letër Pëllumb Kullës)
Bri varrit të Poetit kur të shkosh, ti, udhëtar,
qëndro për një moment, vendos një lule a dy,
lexo në epitafin prej mermeri ç’ e ka vrarë,
dhe nisu e bëj tutje, se Petriti s’ është aty.
Për pak u çlodh, u shtri ca pak dhe u qetua
dhe krahët hapi e u nis për udhëtim të madh,
ndaj nëse do që ta takosh, kërkoje në një krua,
a, në një breg të Labërisë, në ledh, në një livadh.
Pse mund ta gjesh aty, mes luleve verdhane,
ndën lisat e vendlindjes plot aromë edhe blerim,
pyet, se mos ka vajtur mes çobanëve në stane,
a, tek një shpellë, si eremit i moçëm në verim.
Pa, mund të jetë bregut të Vjosës lozonjare,
tek thur kurora strofash për buronjën, a për vashën,
o, në kalanë e lashtë të Tepelenës ndën kamare,
me mjegulloren Vasilikë dhe Ali Pashën*.
Ose, në Trebeshinë konak për pak ka shtruar,
tok me skifterë edhe zgalemë e zogj të tjerë,
mbi skërkat e mbi majat ku zbardh bora pikëlluar,
por, mund të jetë dhe mbi Nemërçkë, a Mal të Gjerë.
Të ndjej, ti udhëtar i largët, që me dhimbje e mall,
vjen plot trishtim, e lot, që të takosh Petritin,
them or ti mik, ti shok i ëmbël dhe i rrallë:
Ta presim në udhëkryqin ku balada takon mitin.
Atje do vijë medoemos një natë qoftë apo ditë,
ujëvarash poetike ku shkëlqejnë stërkala vargjesh,
tokën të prekë, e porsi Anteu, i larë me dritë,
të niset rishtas, pelegrin në shtigje malesh.
Do ulemi pajdash aty, mbi bar të stërbekuar,
të gjallët me të vdekur tok, si në legjenda,
t’ ja marrim këngës labe plot lezet e të harbuar,
do na mbajnë iso hone grykash hijerënda.
Do na qarkojnë, or mik, nerajda e shtojzovalle,
nimfat e gurrës atje pranë, do na bëjnë erë,
do lidhen duarsh xhindet e përrallave në valle,
me “gratë e Jugut”*, porsi gonxhet në pranverë.
Pra, po ta them: Mos e kërko Poetin në varreza,
në qimitire nuk ka vend për labin tonë krenar,
ndaj mos humb kohë, mos vish rroba të zeza,
pse Petja* mund të jetë gjithkund, jo veç në varr!
Janinë më, 14 korrik 2021
*me mjegulloren Vasilikë dhe Ali Pashën – aludim për poezinë “Këngë për Vasilikën”.
*me “gratë e Jugut” – aludim për një nga perlat e poetit, poezinë “Grua e Jugut”.
*Petja – përkëdhelësja e emrit Petrit.
Please follow and like us: