DISTRIA KRASNIQI, MEDALJE ARI NË LOJËRAT OLIMPIKE
Nga Behlul Jashari
Xhudistja Distria Krasniqi lan Kosovën në ar. Ajo rrëmbeu me meritë Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 teksa mundi në finale japonezen, Funa Tonaki. Xhudistja Krasniqi para se të shkonte në finale mundi Urantsetseg Munkhat të Mongolisë. Kosova u vesh në ar që në ditën e parë të garave në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Kjo medalja e dytë olimpike, pas të artës së Majlinda Kelmendit në Rio 2016. E arta e Kosovës Distria Krasniqi, pas fitores së madhe, deklaroi: “Ndihem e përmbushur. Synoj pjesëmarrjen edhe në dy olimpiada”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh me këtë rast: “Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme. Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës. Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty” shkruan në mesazhin e saj Presidentja Osmani. Kyeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti pas suksesit të xhudistes Krasniqi u shpreh: “Distria e artë. Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio” përfundoi kryeministri Kurti. Distria Krasniqi nuk ishte vetëm në luftën për medaljen e saj të parë olimpike. Krahas Presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, të pranishëm në sallë në përkrahje të xhudistes shqiptare nga Kosova ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarin e BE, Avni Nuha, përfaqësuesit nga Ambasada e Kosovës në Japoni, si dhe ekipi i xhudos me në krye kryetarin, Agron Kuka.