Albspirit

Media/News/Publishing

Kujdes: Jo vetëm armiku, por edhe miku përgjon

Softueri ‘Pegasus’ i firmës izraelite NSO është një nga mjetet më të fuqishme të përgjimit në botë. Programi mund të instalohet fshehurazi në telefonin celular, pa dijeninë e personit të prekur. Zgjodhëm emrin “Pegasus”, sepse softueri është një kalë Troje, madje një kalë Troje me krahë, që fluturon direkt në telefonin celular, qe shprehur njëherë në një intervistë Shalev Hulio, shefi i firmës izraelite NSO. Madje programi i spiunimit mund të instalohet nga distanca, pa asnjë ndërhyrje në aparaturë, në mënyrë krejtësisht të fshehtë, pa dijeninë e personit që përgjohet, madje edhe pa qenë nevoja, që viktima të bëjë diçka.

Produkti më i shitur

Trojani “Pegasus” është bestselleri i firmës. Në mbarë botën shërbimet sekrete dhe autoritetet policore e shfrytëzojnë këtë program, për të spiunuar plotësisht dhe pa u vënë re personat që kanë në shenjestër. Nëse sulmuesit kanë arritur të fusin „Pegasus” në celularin e dikujt, atëherë ata kanë kontrollin e plotë mbi aparaturën. Ata janë në gjendje të kopjojnë të gjitha të dhënat nga telefoni celular dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofonin apo kamerën dhe të lexojnë madje edhe mesazhe të koduara. Një ndër arsyet kryesore për popullaritetin e softuerit konstrovers është ndoshta fakti, se “Pegasus” mund të instalohet relativisht lehtë në celular dhe kjo vështirë se mund të pengohet.

Për të shpëtuar jetë?!

Prodhuesi bën të ditur se ua shet teknologjinë e tij vetëm organizatave qeveritare të verifikuara. Dhe vetëm për të luftuar terrorizmin dhe krimin. Për këtë qëllim, raporton NSO, softueri përdoret “çdo ditë” në të gjithë botën duke përmbushur një “mision që shpëton jetë”. Por në mbarë botën qindra gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, avokatë dhe politikanë, ndër ta edhe presidentë shtetesh, janë spiunuar me softuerin e fuqishëm të spiunazhit.

Përgjim gazetarësh dhe aktivistësh

Kjo rezulton nga hulumtimi i bërë prej një konsorciumi ndërkombëtar gazetarësh, në të cilin bëjnë pjesë edhe NDR, WDR, “Süddeutsche Zeitung” dhe gazeta javore “Zeit”. Kërkimet e gazetarëve së bashku me organizatën Forbidden Stories dhe Amnesty International zbuluan një rekord prej më shumë se 50.000 numrash telefoni të përgjuar. Softueri spiun është përdorur kundër gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, Hungari dhe Arabinë Saudite. Sipas mediave softueri i spiunazhit Pegasus është përdorur edhe kundër presidentit farncez Emanuel Macron dhe politikanëve të tjerë francezë.

Please follow and like us: