Regjimi përdor forcë vdekjeprurëse në javën e dytë të protestave iraniane për ujin, mes bllokimeve të internetit
Protestuesit në provincën jug-perëndimore të Khuzestanit e në provinca të tjera u derdhën nëpër rrugë për të dytën javë për të kërkuar ujë, ndërkohë që policia anti-rebelim ka përdorur forcë vdekjeprurëse për t’i shtypur protestuesit.
Në një raport të sotshëm, Amnesty International thotë se forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën tetë protestues e kalimtarë, duke përfshirë një adoleshent, që nga nisja e protestave.
Amnesty i ka identifikuar të vrarët si Mostafa Asakereh (Naimavi) në Shadegan, GhassemNaseri (Khozeiri) në Kut-e Abdollah, Isa Baledi dhe MeysamAchrash në Taleghani, Hamzeh (Farzad) Fereisat në Ahvaz, Mehdi Chanani në Shoush, Hamid Mojadam (Jokari) në Chamran, dhe një djalë adoleshent, Hadi Bahmani, në Izeh. Këto vdekje kanë qenë rrjedhojë e incidenteve më 16, 19, 20 dhe 21 korrik.
Protestuesit e vrarë – Amnesty International
Raporti thotë se forcat e sigurisë kanë përdorur municione dhe saçma për të shtypur protestat e Khuzestanit. Sipas kësaj organizate, “filmimet nga java e shkuar, së bashku me raportet nga terreni, tregojnë se forcat e sigurisë kanë përdorur armë automatike vrasëse, pushkë me municione të padiskriminuara, dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.”