Komuniteti hebre i Rumanisë përshëndet kthimin e trashëgimisë së grabitur nga nazistët
Komuniteti hebre në Kluzh do të jetë midis një sërë komunitetesh në Evropën Lindore dhe Qendrore që do të përfitojë nga konfiskimi dhe rikthimi i 17 regjistrave të vjedhura gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat po nxirreshin në ankand në SHBA.
Shtatëmbëdhjetë regjistra vdekjesh dhe dorëshkrime të vjedhura nga komunitetet hebreje në Evropën Qendrore dhe Lindore nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore tani do t’u kthehen pronarëve të tyre të ligjshëm, tha të enjten Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Një prej artikujve, një regjistër varrimesh i shekullit të 19-të i shkruar me dorë, do t’i kthehet Komunitetit Hebre të Kluzhit, në Rumaninë perëndimore, megjithëse kryetari i komunitetit Robert Shvartz e mori vesh për këtë lajm vetëm nga Balkan Insight.
“Unë nuk jam informuar nga askush, as zyrtarisht as jozyrtarisht. Po e dëgjoj për herë të parë këtë gjë dhe jam shumë i lumtur”, tha Schëartz, edhe vetë një i mbijetuar i Holokaustit. “Tani dua vetëm dhe pres me gjithë zemër që dorëshkrimi të kthehet në Kluzh dhe jo diku tjetër”, tha ai.
Artikujt historikë tërhoqën vëmendjen e autoriteteve amerikane teksa po nxirreshin në ankand në Nju Jork shkurtin e kaluar.
Ato përmbajnë “lutje për të vdekurit, faqe përkujtimore dhe/ose emra të anëtarëve të vdekur të komuniteteve hebraike” si dhe “rregulla funksionimi të shoqërisë” dhe, në disa raste, “emrat e anëtarëve të shoqërisë që u dëbuan nga nazistët në kampet e përqendrimit në Aushvic”.
“Dorëshkrimet dhe regjistrat u konfiskuan nga individë që nuk kishin të drejtë ta bënin këtë gjatë dhe pas Holokaustit”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA-së në deklaratë.
Dokumentet nuk u shoqëroheshin nga ndonjë regjistër origjine ose bartjeje nga të mbijetuarit e atyre komuniteteve, gjë që bëri që hetuesit të arrinin në përfundimin se ata nuk mund të ishin importuar në mënyrë të ligjshme.
Hetimi u nxit nga një peticion i formuluar shkurtin e kaluar nga organizatat e trashëgimisë hebreje dhe komuniteti hebre i Kluzhit, për të ndalur shitjen në një ankand në Nju Jorku të një regjistri përkujtimor të shkruar me dorë të shekullit të 19-të të varrimeve hebrejeb të qytetit.
Një ekzaminim i mëvonshëm i pjesëve të tjera që u ofruan në ankand çoi në zbulimin e dokumenteve të ngjashme që u përkisnin komuniteteve të tjera hebreje në Hungari, Sllovaki dhe Ukrainë.