Albspirit

Media/News/Publishing

DW: Triumvirati politik Rama-Zaev-Vuçiç takohen pa Kurtin

Rama, Vuçiç dhe Zaev u takuan online në kuadër të Mini-Shengen. Kryeministri maqedonas tha se emërtimi i ri i kësaj nisme do të vendoset në Forumin e Shkupit më 29 korrik.  Ky takim erdhi tre ditë pas bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel, ndërsa kritikë e shohin iniciativën e tre liderëve si ekspansion i Serbisë dhe si kthim i kursit nga Brukseli në Beograd

Pak ditë pasi Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel për vijimin e normalizimit të marrëdhënieve, tre liderët e Ballkanit u panë sërish online, në kuadër të “Mini Shengen”. Edhe këtë herë pa Kosovën. Megjithëse ishte diskutuar më herët mundësia e pjesëmarrjes së Kosovës, e artikuluar kjo nga kryeministri shqiptar Edi Rama, edhe dje u vu re mungesa e kreut të qeverisë së Kosovës, ndërsa takimi në Bruksel nuk prodhoi asgjë konkrete. Serbia i ka refuzuar sërish gjashtë pikat e Kurtit. Pas takimi mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev, Boiken Abazi i Qendrës Vetëvendosja në Shqipëri e komentoi si nj veprim i kryeministrit shqiptar për ta futur në korsinë e shpejtë ekspansionin e Serbisë. Më herët, Kurti e ka parë shengenin rajonal si një përpjekje për ringjalljen e ish-Jugosllavisë. Sipas Abazit, Rama ka miratuar në heshtje deklaratën e presidentit serb, i cili tha dje se ”nëse kushdo njeh pavarësinë e Kosovës, në atë moment nisim fushatën tonë për tërheqje të njohjeve”. Rama, tha Abazi, nuk ka publikuar asgjë nga takimi i djeshëm, dhe nuk ka pasur asnjë reagim për deklaratat e Vuçiçit. “Dikush mund edhe ta quajë mungesën e reagimit të Ramës si miratim në heshtje, por në fakt është kolaboracionizëm i drejtpërdrejtë. Mediat kanë raportuar se në kuadër të “Zonës së Novi Sadit”, në datat 28-29 korrik, pritet të lidhen marrëveshje të reja për tregtinë dhe lejet e punës mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruante Boiken Abazi në Facebook, ndërsa vijonte se tre qeveritë po planifikojnë edhe korsi të veçanta të shpejta në pikat kufitare vetëm për qytetarët dhe bizneset e këtyre tre shteteve. Rama e ka diskutuar më herët rëndësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave mes vendeve dhe heqjen e barrierave kufitare, ndërsa pak ditë më parë do t’i bënte thirrje Greqisë t’i kthente sytë nga rajoni. “Pa kaluar tri ditë nga dialogu në Bruksel, kur kryeministri Kurti i numëroi Vuçiçit gjenocidet dhe krimet e Serbisë, si dhe 11 shkelje tregtare që Serbia po kryen aktualisht, Rama saboton çdo përpjekje për të vendosur drejtësi”, shkruante Abazi. Vuçiç deklaroi nga Brukseli se pala kosovare kishte shkuar në takim për të shkatërruar bisedimet dhe se ka kushtëzuar vazhdimisht me kritere të reja politike duke akuzuar Serbinë si përgjegjëse për të kaluarën e saj. Në takimin e parë, Vuçiç tha se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. “Serbia as nuk është penduar, as nuk ka kërkuar falje, as nuk ka hequr dorë nga synimet grabitqare, por kjo nuk po e pengon kryeministrin Rama ta ftojë Serbinë të fusë kriminelë gjenocidialë në Shqipëri nga korsia e shpejtë”, përfundonte Abazi. Rreth takimi të djeshëm online do të reagonte edhe deputeti i zgjedhur i PD-së, Tritan Shehu, i cili e cilësoi si okult atë mes Ramës, Vuçiç dhe Zaev. “…ne vend të Brukselit përcakton për neve si Europe, Beogradin!”, shkruante Shehu, duke komentuar deklaratën e Zaev se Ballkani i ri ishte ai europian. Kjo deklaratë vjen si retorikë kundërthënëse e asaj para pak kohëve, pasi Brukseli nuk caktoi një datë për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata u shprehën të zhgënjyer dhe madje Rama tha se kishte dështuar BE dhe jo kandidatet, ndërsa ka folur edhe se dy vendet janë pengje të politikave nacionaliste të shteteve anëtare. “Pa dyshim me qendër Beogradin e lider universal Vuçiç. Duke “zhdukur” kështu nga harta e Ballkanit jo vetëm Kosovën, por dhe tetë shtetet te tjera, nga të cilat pesë janë anëtare të BE”. Edhe Shehu e sheh si rikrijim të Jugosllavisë takimet në kuadër të Mini-Shengenit. “Dhe ndërkaq ne fshehtësi e pa asnjë transparence po përgatisin takimin vendimmarrës të 29 korrikut”. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka zbuluar se kanë pasur një takim virtual me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për përgatitjet e Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, në Shkup. “Nuk përjashtohet që aty të përfshihet në këtë nocion të ri gjeopolitik anti-shqiptar, edhe Rusia. Në fakt janë të gjitha premisat për këtë, se Serbia e ka firmosur tashti Traktatin EuroAzian me Moskën, si “zinxhir” tërheqje për këtë “Jugosllavi të Re”, pavarësisht se mbi “gjethen e fikut” te saj shkruhet MiniShengeni ballkanik”, përfundonte Shehu. Pak ditë më parë, Kurti do të thoshte se ende nuk e dinte se çfarë përfshin mini-Shengen. “Unë nuk e shoh pse na duhet mini-Shengen kur kemi Procesin e Berlinit, i cili tani ka përfshirë, që nga Samiti i Sofjes, Tregun e Përbashkët Rajonal. Pra, pse do të na duhej mini-Shengen nëse kemi Tregun e Përbashkët Rajonal nga Samiti i Sofjes?”, shprehej Kurti. Sipas tij nuk mund të bënte këtë iniciativë pa njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. “Sepse niveli në të cilin politika në zonën Shengen të vendeve të ndryshme bashkëpunojnë me njëri-tjetrin është e paimagjinueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për sa kohë që nuk kemi njohje reciproke”. Në një intervistë për Deutsche Welle, Zaev thoshte se çdo shtet duhet të gjykohet sipas rezultateve, duke shtuar se Shqipëria nuk duhet të penalizohej nga ngërçi që Maqedonia e Veriut me Bullgarinë. “Fqinji ynë meriton të vazhdojë në rrugëtimin e tij drejt Bashkimit Europian dhe nuk është e drejtë që procesi të jetë i lidhur me shtete te tjera. Unë e besoj se të dy vendet është më mirë të gjykohen veçmas”, tha Zaev. Kryeministri maqedonas do të thoshte se emërtimi i ri i kësaj iniciative ballkanike që do të mësohen në takim e ardhshëm në Shkup. Këto takime mes tre liderëve janë intensifikuar së fundi, edhe si presion ndaj BE-së, e cila po zvarrit procesin e negociatave me dy kandidatet e Ballkanit. Edhe pse Rama, Zaev dhe Vuçiç flasin për bashkëpunimin rajonal, janë vetëm këta tre liderë që e kanë marrë përsipër procesin e Mini-Shengenit, duke vendosur kështu edhe në emër të shteteve të tjerë.

Zaev: S’është e drejtë që Shqipëria të bllokohet

Mos caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i fqinjit tonë lindor Zoran Zaev e konsideron si të padrejtë për shqiptarët të penalizohen nga përplasja e shtetit që ai drejton me Bullgarinë. Gjatë një interviste për “Deutche Welle” Zaev theksoi se Shqipëria nuk mund të mbetet peng i konfliktit dhe se i uron shqiptarëve sukses. Ai tha se me krijimin e qeverisë së re në Sofje do të zgjidhen çështjet që kanë mbetur pezull. Ky është hera e parë që Zaev e thotë hapur qëndrimin e tij që të ndahen dy vendet. Ai edhe më parë pati thënë se vendimi është shumë i pandershëm për të dyja vendet, por mbi të gjitha është shumë i pandershëm për Shqipërinë.  Kujtojmë se nga vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë nuk kishte asnjë kundërshti nga 27 vendet anëtare, por pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i probleme të Maqedonisë së Veriut.  Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.

Biseda për forumin ekonomik që do të mbahet në Shkup

Kryeministri Edi Rama, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti Serbisë Aleksandar Vucic e nisën paraditen e kësaj të enjteve me një video konferencë për të avancuar me projektin e Shengenit Ballkanik. Është kryeministri Zaev ai i cili ka publikuar dy foto nga ky takim online, ku thotë se i shërbeu përgatitjeve për Forumin Ekonomik dhe Bashkëpunimin Rajonal që do të mbahet në Shkup më 29 Korrik. “Nëse ndërlidhemi edhe më shumë thotë Zaev, e bëjmë jetën e qytetarëve tanë dhe të lehtë e më të mirë. Ky është Ballkani i ri në Europë thekson shefi qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Rama, Zev dhe Vucic tre javë më parë zhvilluan një takim të ngjashëm online nga ku është rënë dakord. Në takimet e para të Shengenit Ballkanik morën pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina por në ato që pasuan, këto dy vende nuk kanë marrë pjesë. Pritet me interes të shihet nëse në Forumin e Shkupit do të marrë pjesë kryeministri Kosovës Albin Kurti i cili disa ditë më parë në Bruksel, pati debate të forta me presidentin Vuçiç.

Please follow and like us: