Grante të reja për bashkitë në mbështetje të zhvillimit rajonal dhe programit të 100 fshatrave
Programi me financim zviceran dhe austriak për zhvillimin rajonal sapo nisi një skemë grantesh prej 1.2 milion Euro në mbështetje të bashkive dhe bashkëpunimit ndër-bashkiak midis rajoneve në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit
Bashkitë të cilat janë përfshirë në programin e ‘100+ Fshatrave’ tani mund të aplikojnë për të marrë grante të cilat nxisin zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe infrastrukturës: një skemë e re grantesh sapo u lançua nga programi zvicerano-austriak për zhvillimin rajonal në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
“Kjo skemë grantesh është pjesë e reformës së zhvillimit rajonal dhe është konceptuar ndryshe. Ndërhyrjet e mëparshme kanë patur një karakter sectorial, që do të thotë se ato përpiqeshin të përmirësonin transportin, bujqësinë, turizmin. Mirëpo zhvillimi rajonal në thelb është një qasje horizontale, që i prek të gjithë sektorët”, tha Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
“Jemi të gëzuar që përmes kësaj skeme grantesh, bashkitë do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me sektorin privat, shoqata biznesesh, si dhe midis vetë bashkive. Së bashku me përfaqësuesit austriakë ne kemi mbështetur zhvillimin rajonal për disa vite dhe presim të shohim impaktin në përmirësimin e jetës së njerëzve”, tha Chantal Nicod, Drejtuese për Qeverisjen në ambasadën e Zvicrës.
Në aktivitetin kryesor të lancimit ishin të pransihëm përfaqësues nga bashkitë e qarkut Tiranë, të cilët u informuan mbi hapat që duhet të ndërmarrin për të aplikuar. Tre sesione të tjera informuese po kryhen në Vlorë, Shkodër, dhe Korçë.
Projektet të cilat mund të marring grante përfshijnë mbështetje për potencialet e turizmit, ekonominë vendore, zhvillimi kapacitetesh dhe infrastrukturë të lehtë. Ndërhyrjet duhet të sjellin përmirësime në ofertat turistike, aktivitetin ekonomik të komuniteteve vendore, shërbime sociale dhe menaxhimin e burimeve natyrore.
Paketa e granteve (https://tinyurl.com/4ak8pt6t) është dizenjuar që të nxisë bashkëpunimin ndër-bashkiak por edhe bashkëpunimin me biznese private, OJQ, dhe institucione arsimore. Ai synon të rrisë konkretisht zhvillimin dhe kohezionin midis rajoneve, të reduktojë pabarazitë midis rajoneve, dhe të zhvillojë potencialet e zonave të largëta të cilat janë të përfshira në ‘Programin për Zhvilim të Integruar dhe të Qëndrueshëm të 100+ Fshatrave të Shqipërisë 2022-2026”.
Zvicra dhe Austria kanë mbështetur Programin për Zhvillimin Rajonal Shqipëri për disa vite si pjesë e përpjekjeve për inkurajimin e zhvillimit ekonomik, reduktimit të pabarazive dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë në të gjithë rajonet.