Zjarr nuk kursen edhe pyllin me pisha në Vithkuq
Shqipëria vijon të përballet me vatra zjarri të cilat prej ditësh janë aktive në disa zona të vendit.
Sipas informacioneve, një vatër zjarri është aktivizuar në Vithkuq, ku flakët të favorizuara edhe nga era e fortë kanë përparuar në brendësi të pyllit, ndërsa i janë afruar edhe manastirit të Shën Pjetrit.
Forcat e shërbimit pyjor, ushtrisë dhe shërbimit zjarrfikës po punojnë për të mbajtur flakët nën kontroll dhe penguar avancimin e tyre. Dy mjete zjarrfikëse nga Korça, një nga FA kanë lokalizuar disa nga vatrat ku intensiteti i flakëve është më i lartë.
Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, i cili po ndjek nga afër operacionin për vënien në kontroll të zjarrit, kërkoi ndihmën edhe të bashkisë së Pogradecit, e cila nisi drejt Vithkuqit një mjet zjarrfikës.
Deri tani zjarri ka përshkuar rreth 4 ha pyll me pisha, ndërsa dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme./tv klan