Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Metodat e pushtimit dhe sundimit të Perandorisë Ruse

Një nga fushat ku ka shumë pak studime dhe analiza janë perandoritë dhe metodat e tyre të sundimit. Kjo mangësi bën që shumë nga intelektualët e sotëm, madje dhe analistë e gazetarë të njohur si në Shqipëri po edhe në botë, të bjen preh e mashtrimeve dhe të mos e kuptojnë thelbin dhe natyrën e disa fenomeneve të ditës.

Perandoria Ruse pushtonte territore që ishin fqinjë të saj. Menjëherë në territorin e pushtuar dërgohej një grup popullsie, persona e familje të zgjedhura e të përkushtuara ndaj perandorisë Ruse, të cilët do të ishin klasa sunduese që do të mirrte pozitat kyçe në çdo nivel jetës. Gjthashtu punohej intensivisht për të ndryshuar faktet historike. Rishkruhej historia ku thuhej se dikur këto toka kishn qënë përjetësisht toka ruse, madje djepi i Rusisë. Në këtë pikë ndërhynte fuqimisht Kisha Ortodokse Ruse që pushtonte ose ndërtonte kisha e manastire, krijoheshin legjenda, persona të ndryshëm transformoheshin në shenjtorë, varre e objekte kulti bëheshin pjesë e liturgjive dhe histori krejt të shpikura e të transformuara u mësoheshin fëmijëve në shkolla si të vërteta historike, madje këto bëheshin pjesë e liturgjisë dhe fesë perandorake. Toka e porsapushtuar fillonte tani të quhej “djepi i Rusisë”. Nga demagogët perandorakë lufta për pushtimin e tyre quhej “luftë për rikthimin e tokës së shenjtë të etërve”. Këtu ndërhynte fuqimisht dhe Kisha Perandorake dhe tani shkohej edhe një shkallë më lart: lufta që bëhej për të fituar këto territore quhej “ luftë e shenjtë” që sillte “faljen e mëkatëve” dhe hapte dyert e parajsës. Kështu u veprua me Ukrainën e cila quhet edhe sot si qëndra ku u krijua kombi Rus dhe Perandoria Ruse. Që Ukraina, e sidomos Krimea, ka qënë djepi i Rusisë na jep shumë “dokumenta bindëse” Akademia e Historisë në Moskë, na jep dokumente Kisha Ortodokse e Rusisë etj. Këto dokumenta duan të na mbushin mendjen se në një kohë të caktuar, si për çudi, Rusët dhe Perandoria Ruse vendosi të shpërgulet nga Deti Zi, nga zona e begatë e Krimesë dhe vendosi ta bëjë qëndrën e kryeqytetin e saj në Moskë edhe në kënetat e Sankt Petersburgut, zona të ftohta joprodhimtare në të cilat kushtet janë shumë më të vështira për të jetuar. Megjithatë duan të na bindin se Rusët vullnetarisht, të padetyruar nga askush, vendosën ta braktisin Krimenë e begatë dhe u shpërngulën në zonat e Moskës dhe në kënetat e Sankt Petërsburgut. Historiografia Ruse do të na bindë se popullsia ruse që jeton në zonën e Krimesë janë popullsia autoktone e atyre trevave. Pastaj, shumë më vonë, ardhën Ukrainasit të cilët për çudi u shtuan shumë dhe padrejtësisht tani bëjnë shumicën. Për këtë ishte detyrë patriotike e Putinit të pushtonte Krimenë. Këto lloj luftrash madje quhen “luftra të shenjta” nga kisha Ortodokse Ruse. Nga ana e tyre Ukrainasit thonë se Ukraina i ka takuar gjithmonë Ukrainasve, thonë se atdheu i Rusëve ka qënë gjithmonë Rusia, thonë se qëndrat e rusëve e të Rusisë kanë qënë gjithmonë atje ku janë edhe sot, në Moskë dhe në Sankt Petërsburg. Për origjinën e popullsisë ruse në Krime ata thonë se ata janë sjellë nga pushtuesit rusë dhe u janë dhënë tokat që ju rrëmbyen me forcë popullsisë ukrainase që u masakrua ose u shpërgul me forcë nga ushtria Ruse. Për fat të keq, që nga koha e pushtimit të Ukrainës nga Rusia kanë kaluar shumë kohë dhe nuk ka persona që e kanë jetuar atë kohë dhe të mund të na shërbenin si dëshmitarë okularë. Sot mbeten vetëm dokumentat e shkruara që ne jemi mësuar ti quajmë si “dokumenta historike” dhe shumica nuk e ve në dyshim vërtetësinë e atyre që shkruhen në këto të ashtuquajtura “dokumenta historike”, duke injoruar faktin se ato janë shkruar nga historianë e shkrues në shërbim të perandorëve ruse, janë shkruar nga klerikë të kishave në shërbim të Perandorisë Ruse, nga klerikë që nuk nguronin jo vetëm të transformonin faktet, por edhe të keqpërdornin emrin e Jezu  Krishtit dhe parimeve të Krishterimit në shërbim të perandorit e perandorisë. Më vonë nga Kisha Perandorake Ruse u zgjerua në Kishën Pansllave ku u fut edhe Kisha e Sërbisë. Kisha e Sërbisë adoptoi metodat e kishës perandorake të Rusisë, dhe jo vetëm kaq po tani ajo që quhej “tokë e shenjtë” nga kisha e Sërbisë ish njëkohësisht “tokë e shenjtë” e për kishën Pravosllave Ruse. Nën shembullin e Kishës Ruse, Kisha Ortodokse e Sërbisë  veproi sipas të njëjtave parime në Dardani, që ata me forcë ia ndërruan emrin në Kosovë. Tani Kosova na u quajt nga Kisha Serbe e Pansllave si “Djepi i Sërbisë”, na thuhet se aty u krijua kombi sërb, pastaj edhe sërbët, ashtu si rusët, papritur u shpërngulën drejt veriut dhe themeluan Beogradin, ndërkohë aty na ardhën shqiptarët që tani padrejtësisht bëjnë shumicën. Këto ide u propaganduan fuqimisht nga të gjitha levat e Kishës Ortodokse Ruse e nga kisha Ortodoke Sërbe saqë arritën të verbojnë jo vetëm popullin e thjeshtë, po edhe shkrimtarë e mendimtarë të shquar të këtyre kombeve si Leon Tolstoi. Një  personazh i tija, konkretisht Kont Vronski tek libri “Lufta e Paqja” shkon të luftojë në Kosovë sipas idealeve e thirrjes së kishës Ortodokse Pansllave, për të fituar paqen shpirtërore e për tu shenjtëruar para Zotit. Ajo që e bën më të fortë e më vdekjeprurës mashtrimin është elementi religjioz, i cili pavarësisht se quhet i krishterë, nuk ka asnjë lidhje me Krishterimin e vërtetë biblik. Duke qënë se idetë ekspansioniste të “Sërbisë së madhe” dhe të Pansllavizmit propagandohen madje dhe u mëkohen fëmijëve sërbë e rusë që në famijërinë e hershme, duke qënë se xhihadi sërbomadh e Pansllavist propagandohet jo vetëm si shkalla më e lartë e idealit patriotik por edhe si rruga e shenjtërimit që të çon në “Parajsën e Sërbisë së Madhe” dhe në “Parajsën Pansllave” këto ide kanë arritur të pushtojnë dhe mbajnë edhe sot të skllavëruara mendjet e shumë serbëve e rusëve që ju qëndrojnë besnikë mësimeve të kishave të tyre shtetërore. Shembull i qartë ilustrimi nga historia është shkrimtari Leon Tolstoi, i cili padyshim ka qënë jo vetëm një shkrimtar i madh, po ka patur shumë cilësi që e lartonin në pjedestalin e një nga personaliteteve më të shquar të kohës së tij. E megjithatë edhe ai, nëpërmjet personazhit të tij kont Vronskit na thotë se në qoftë se duam të gjejmë paqen shpirtërore dhe të sigurojm Parajsën, duhet të shkojmë të luftojmë në Kosovë ashtu si na thotë teologjia e kishave Ortodokse të Rusisë e Sërbisë.

Këto fakte duhet të na hapin sytë kur kemi para sysh e analizojmë sot persona e personalitete të Serbisë e të Rusisë, persona që janë mëkuar që në fëmijërinë e tyre me idetë e Kishës Ortodokse Sërbe e Ruse. Kur analizojmë personalitete të sotme si Aleksandër Vuçiç e Goran Bregoviç, etj, duhet të analizojmë veprat e faktet dhe jo të flemë mbi dafina duke ju besuar retorikës, fjalëve boshe të vetëreklamimit. Vetëm po të analizojmë thellësisht faktet mund të dallojmë nëse kemi të bëjmë vërtet me emisarë të paqes apo me xhihadistë të maskuar të ideve të “Sërbisë së madhe” e Pansllavizmit.

Please follow and like us: