Albina Deda: Sot Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të komunizmit
Albina Deda
Sot është një ditë e veçantë përkujtimi dhe homazhi: Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të komunizmit.
Më shumë se kushdo popull në kontinent populli shqiptar i ka përjetuar mizoritë komuniste diktatoriale.
Mijëra vetë të pushkatuar, burgosur e internuar në 45 vjet totalitarizëm.
Ironia dhe paradoksi i shoqëron akoma qytetarët e vendit tonë tek shikojnë sot pas 30 viteve post-diktaturë të drejtojnë shtetin e pushtetin pikërisht bijtë biologjikë të etërve gjakatarë.
Jo vetëm fizikisht e gjenetikisht, por dhe me të njëjtin mentalitet arrogance sot Shqipëria përjeton një kastë qeverisëse të shëmtuar moralisht e të korruptuar totalisht.
E në këtë ditë komemoracioni për gjithë Europën e vendin tim, unë nuk kam si të mos veçoj jo për lokalizëm por për realitet Mirditën, vendlindjen time!
Askush si kjo trevë nuk vuajti pasojat e makabritetit të diktaturës.
Ndaj me respekt e nderim përkulem sot përpara atyre martirëve që u flijuan për fajin e vetëm se ishin fisnikë, nacionalistë e antikomunistë.
Po ashtu përkujtimi i tyre nuk do të ishte i plotë e i sinqertë pa një apel kombëtar për reflektim të thellë shoqëruar me pyetjen e thjeshtë:
Ku po shkon vendi im, vendi ynë?
Si ka mundësi që çmenduria paradoksale të shoqërojë vendin krenar të shqiponjave!
Ne nuk e merituam, por e përjetuam diktaturën.
Ne nuk e meritojmë, por realisht po përjetojmë arrogancën e oligarkisë.
Sot përkujtim, por mbi gjithçka zgjim, zgjim dhe kthjellim!