Të përndjekurit politik të diktaturës komuniste, homazh pranë Memorialit Kombëtar të Internim-Dëbimeve
Simon Mirakaj, legjenda e gjallë e qëndresës antikomuniste dhe të përndjekurit politik të diktaturës komuniste kryen nderime si çdo vit te memoriali i të përndjekurve politikë në Lushnjë. Simon Mirakaj shkruan: “Nga takimi sot me dt.22-08-2021 pranë Memorialit Kombëtar të Internim-Dëbimeve kushtuar ish të internuarve politik shqiptar. “Ne erdhëm në Lushnjë kur shiteshte ujë me kutrove. Ato thërrisnin në pazar :”Hajde re ujë të ftohtë, dy lek gota”. Kur e blije (se Lushnja një çezmë kishte) gotën e ujit, ajo ishte e ngrohtë. Nga populli i Lushnjës ruajmë kujtime të bukura. Të gjithë këta që ishin prezent sot erdhën fëmijë në kampin e internimit, sot janë gjyshër. Në takim mori pjesë dhe kryetari i PD dega Lushnjë Sajmir Korreshi bashkë me vjehrrin e tij e mikun tonë ish-kulakun nga Ngurza Baftjar Çelën e nipin e tij. Në këtë takim ishte prezent dhe kryetari i Shoqatës anti-Komuniste të Përndjekurve Politikë z.Nebil Cika bashkë me bashkëshorten. Në këtë takim përkujtimor u mbajt edhe një minut heshtje për të nderuar kujtimin e ish të internuarëve e të burgosurve që nuk jetojnë e atyre të ekzekutuar. Ne u rritëm e u shkolluam (aq sa diktatura na lejoi, pra vetëm të mesmen) nga sakrifica e nënave tona heroina. Ato na shohin nga lart. Pushofshin në paqe” mbyll shënimin e tij Simon Mirakaj.
Më tej në profilin e tij zyrtar z.Mirakaj sjell nga kujtesa emrat e atyre që u arrestuan në Saver: Ahmet Kolgjini, Vasil Kokali, Llambi Plasoti, Zydi Kasa, Emror Koleci, Shanisha Dosti, Stefan Pollo, Loli Mavro, Musa Sina, Nikoll Mernaci, Elez Hoxha, Një djal i ri Poda (17 vjeç), Spiro Gjoka, Fran Tina, Avdulla Nela, Seit Taho, Marko Spiro Gjoni(16 vjeç), Njazi Bylykbashi, Gezim Bylykbashi. Në Gjaz(Lushnje) u arrestuan: Selim Daci, Ded Gjonmarkagjoni, Haredin Nasufi(Dine Dine), Dom.Mikel Koliqi. Të arrestuar pati në Gradishtë, Grabian, Plug, Çermë etj. Emrat nuk më kujtohen të Gradishtit vetëm disa si: Mojs e Lek Mirakaj, Fatbardh Kupi, Qemal Dema, Naim Staravecka, Medi Bylykbashi. Në Plug: Kurt Kola, Evgjen Merlika. Në Çermë: Shefqet Dobra, Ahmet Kolgjini, Eqerem e Fatmir Muja, Rene Dangellia. Në Grabian: Medi Celiku, Tefta Tasi Besa, Meleq Cane, Sejat Tare, Besa Duma, Xhemil Zace, Xhem Sadria, Baki Shehu, Tahir Agolli etj. Ka dhe të tjerë por këta më kujtohen. Kemi qenë larg njëri -tjetrit (ishim të izoluar). Mund të plotesohen nga të tjerët sipas kujtesës nëpër kampet e ndryshme të internimit. Nga Savra nuk besoj se kam harruar njeri. Gradisht, Plug, Grabian, Çermë, po kam harruar.Kujt ti kujtohen emrat të mi dërgojë që ta plotësoj listën” u drejtohet z.Mirakaj bashkëvuajtësve të tij. Kundërshtarët e regjimit komunist u persekutuan gjysëm shekulli në Shqipëri thjeshtë se deshën lirinë e jo diktaturën.