27.XI.1974/Kur Tefta Cami ankohej për Haxhi Lleshin te Enver Hoxha
LETRA E TEFTA CAMIT PER ENVER HOXHEN DHE HYSNI KAPON
I DASHUR SHOKU ENVER
Dua t’Ju informoj për një çështje, që mendoj se ka rëndësi.
Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Hekuran Isaj, (për dijeni) dhe kryeredaktorit të gazetës “Oshëtima e maleve”, shokut Velo Cfarku, i ka ardhur një letër nga shokët Qazim Prishtina, Rexhep Doda, Ahmet Jegeni, Ymer Lleshi, Xhavit Hatipi dhe Hilmi Çausholli. Këta janë disa veteranë që punojnë dhe jetojnë në Tiranë.
Letra citohet se është personale dhe sekrete. Në të shkruhet për një skicë letrare që ka shkruar gazeta lokale për babanë tim, në 23 tetor me rastin e përvjetorit të rënies. Të tilla shkrime janë bërë edhe për dëshmorë të tjerë që kanë luftuar në rrethin e Dibrës.
Në letër, veteranët bëjnë këto vërejtje;
1. Në skicën letrare mohohet roli i Partisë dhe i shokut Enver.
2. Nuk evidentohet roli i shtabit të batalionit, i çetave të tjera dhe partizanëve të tjerë që janë vrarë atë ditë.
3. Skica ka paskatësira dhe nuk përputhet me realitetin.
4. Vargjet që citohen sipër shkrimit, nuk i takojnë dëshmorit, Ahmet Cami.
(Në fakt vargjet janë zgjedhur si okelio, për rubrikën e dëshmorëve)
5. Bëjnë biografinë e babait tim, duke e motivuar se bëhet për interesin e Partisë. (Faktet historike mendoj se duhen diskutuar, pasi nuk jam aspak dakord me ta).
Për qëllimet dhe metodat që kanë përdorur këta shokë, i jam drejtuar Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, shokut Manush Myftiu, me qëllim që ata t’i shpjegojnë nëpër organizatat e tyre të Partisë, brenda normave të Partisë. Të njëjtën kopje të letrës, për njoftim ia kam dërguar edhe Sekretarit të Komitetit Qëndror, shokut Hysni Kapo.
Vendosa t’Ju shkruaj Ju, sepse më këtë çështje implikohej edhe shoku Haxhi Lleshi.
Po gjatë këtyre ditëve, shoku Haxhi Lleshi i bën të njëjtat vërejtje për shkrimin në shtëpinë e tij Sekretarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, shokut Haxhi Rama.
Jam e shqetësuar, shoku Enver, qoftë për veprimin e veteranëve, letërshkruesëve, të cilët e dërgonin letrën personale dhe sekrete, për të mos marrë dijeni unë, qoftë dhe për trajtimit të këtij problemi nga shoku Haxhi Lleshi që nuk komunikoi drejt për drejt me Komitetin e Partisë dhe me mua, kur u takova me të në mbledhjen e Kuvendit Popullor.
Nuk do t’Ju shqetësoja shoku Enver, por jam e bindur tashmë se shoku Haxhi Lleshi kërkon të krijoj opinione kundër meje, pas krahëve, ashtu siç veproi para një viti.
Më falni për shqetësimin. Të na rroni sa malet shoku Enver.
Do jem përjetë ushtare e Partisë.
Me respekt e dashuri, Tefta Cami.