Albspirit

Media/News/Publishing

Altin Joka: Diaspora kërkon lidership

Diaspora nuk jeton dot pa Shqipërinë dhe Kosovën, por politika e qeverive jo vetëm i mban larg si një copë akulli në ditë të acarta, por largon dhe ato pak rreze dielli që kjo Diasporë do të ofrojë për atdheun e saj.

Qeveritë e përdorin tinëzisht e qëllimisht fjalën Diasporë si diçka të largët, pa peshë.

Duke i veshur tinguj harrese nga instrumente plot pluhur e mendime ku myku të shpon perceptimet.

Kjo bëhet për qëllimin e frikërave dhe mankthit që pushtetarët dhe politika ka për të ardhmen e saj, ku rotacionet mendjen e tyre pushtojnë, e shohin funde pa lavdi të këtyre pushteteve.

Gjithkush e di mirë e sidomos qeveritë se në rast që administrata do kishte një drejtim nga diaspora, po ashtu nivelet e drejtësisë, pushtetit lokal, ekspertizës në shumë fusha, kontributit ekonomiko-financiar, shumë fije korrupsioni dhe vendosja e të drejtës ligjore në shtratin e demokracisë do ishte vetvrasje për pushtetet, por begati për qytetarin.

Shikoni shembullin e ekipit kombëtar të futbollit i cili është i ndërtuar me djem që jetojnë në diasporë, sikur administrata në të gjitha nivelet të merrte këtë shembull, prosperiteti nëpërmjet dijeve dhe përvojave të sjelle nga Diaspora do ishte një bum zhvillimi dhe ecurie drejt synimeve të kombeve tona.

Por askush nga qeveritë s’mund ta dojë realisht këtë të ndodhë madje, krijohet Ministria e Diasporës jo për bashkim si qëllim krijimi dhe përthitje vlerash në të mirë të kombit, por për ta përçarë edhe më shumë nëpër rripa të hollë e të ngushtë diasporën, si një lum i ndarë në mijra degë i cili kthehet i parrezikshëm dhe inekzistent.

Fatkeqësisht diaspora ka rënë në këtë batak të projeksioneve politike dhe është bërë një karem i lehtë për t’u komanduar për disa kacidhe që justifikojnë ekzistencën e shumë shoqatave që gëzohen në marrëzinë e tyre me disa kumtesa, ftesa, promovime dhe fjalë të ngrohta boshe.

Ashtu siç ka qenë bashkimi kombit, lufta për liri dhe prosperitet detyrim obligativ për diasporën, ruajtja e traditave dhe gjuhës, kontributi madhor në çdo sferë, ashtu pikërisht sot del obligativ bashkimi i saj për qëllime madhore.

Ajo duhet të projektojë drejtimin e vendit nga kjo kalbësirë mos shpresash dhe demoralizimesh që vend ka zënë kudo, nga kjo prapambetje e pa merituar e shteteve tona që po nëpërkëmbin me arrogancë pushtetesh qytetarin, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona.

Kjo diasporë duhet të gjej rrugët e bashkimit mes vedi e të ngrihet mbi interesa thërrimesh e ta çojë Diellin ku të ngrohi shpresën e kombit e ta kthejë në një Zonjë të Randë duke e nxjerr nga pusi i batakut të mënxyrave që e kanë pllakosur.

Pa një bashkim të Diasporës si një forcë, pa nje lidership, nuk mund te mendohet kontributi i kerkuar që ajo mund të japë, madje edhe më e dobët do ndihet.

Bashkim… kordinim… fuqi… lidership… kjo është fjala që do trembë pushtetet, ky është thelbi i asaj që duhet të ndodhë, ndryshe Dielli i diasporës do jetë i ftohtë, pa peshë dhe me mundësi të humbura historike dhe do perëndojë për të mos lindur më.

Sot nuk na duhet vesa e agimi poetik, por një qiell ku retë të bashkohen e të shkrepëtijnë fuqishëm, që të paralajmërojnë një shtrëngatë ndryshimesh.

Please follow and like us: