Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Njerëz të ndryshëm, fate të ngjashme

***
Unë jam një njeri që e dua dhe e çmoj fort natyrën dhe njerëzit sidomos të vendit tim.
Kjo më bën të mos resht së eksploruari natyrën dhe njerëzit.
Të udhëtosh është të fitosh eksperienca, ndërsa të takosh njerëz është ti shtosh shpirtit thesare.
Dje pasdite kur po ktheheshim nga Pogradeci e hodha në diskutim brenda familjes time të vogël se ku mund ta hamë drekën, përjashto mundësitë që të japin dy anët e rrugës nacionale.
Endi ishte rast i përjashtimit tim dhe u skualifikua pa vërtetim, Vetimi si oportunist që është tha ku të doni.
Ajrisi tha që donte të kthehej sa më parë në shtëpi, ndërsa nana e tyre Mimoza, bashkëudhëtarja ime e jetës këtu e 30 vite, tha që dua të shkojmë në Gjinar.
I kishin mbetur në mendje përshkrimet që i kisha bërë unë një udhëtimi në atë vend me miqtë e mi të letrave.
U tha u ba, gruaja vendos në shpi, kot mburremi ne burrat.
Deri sa mbërritëm në fshat pati vetëm ankesa ndaj Mozës, aty e mbrapa deri sa kthyem në Tiranë veç lavdrime për vendimmarrjen e saj.
Por unë s’dua të ndalem hiç te gastronomia, shërbimi, çmimi simbolik i drekës, ajri i pastër dhe klima e freskët që afron ky atraksion i njohur në tregun turistik të Shqipërisë.
Diçka tjetër më shtyu të hedh disa mbresa nga kjo vizitë në fshatin Gjinar dhe ajo diçka ishte pikërisht njeriu.
Ai njeriu që po e humbim, ai njeriu që ka nevoj për një fjalë të mirë, për një përshendetje me dorë.
Ai njeriu që e gjen cep e në cep të Shqipërisë .
***
Unë si poet e shkrimtar flas dhe ju afrohem njerëzve edhe pa i njohur fare.
I pyes për shëndetin, për familjen, për jetën që bëjnë.
Kryesisht këtë e bëj me njerëzit e moshës së tretë por edhe me të rinjtë.
Kam vënë re se ata jo vetëm nuk bezdisen, por përkundrazi ndihen mirë dhe të vlerësuar.
Mosha e mesme burra dhe gra kam konstatuar që janë ma pordhacë , gjasme s’kanë kohë për të humbur edhe pse shumicën e kohës e harxhojnë pa asnjë efektivitet.
***
Pas drekës në Bujtinën “Andrra” u ulëm në qëndër të fshatit në njërën prej dy a tri bar-kafeve që gjendën aty .
Në qoshen e majtë të verandës ishin dy vajza të reja nën shoqërinë e kamarjerit simpatik.
Në qoshen tjetër qe ulur e vetme një grua në moshë, veshur me të zeza , me tipare të skalitura që tregonin që kishte qënë një grua të hijshme, veç kësaj me përsonalitet të fortë dhe krenare.
Sapo hodha nja dy a tri romuze tek tavolina e të rinjëve, shkova tek tavolina e zonjës së moshuar.
E nisa shtruar bisedën me të.
Historia e saj më bëri të qaj.
Burri e kishte lënë para shumë vitesh, e vetme ja kish dalë të rriste dy djemtë e tyre.
Ata, djemtë si shumica e të rinjëve kishin vite që jetonin në Itali, por më e keqja njëri prej tyre kishte vdekur në një aksident automobilistik tragjik pa i mbushur të 30-at.
“Ma ka lënë një djalë të paktën, prapë kam dy djem, djalin e vogël dhe nipin, djalin e djalit”.
Ndërsa sytë e mi pas syzeve u lagën, asaj i rrodhën dy lotë kristal që i fshiu pa i ra poshtë mollëzave…
Me zor e qerasa me një fanta.
E pranoj dhe më uroj me zemër në dorë për ato pak minuta që i kushtova.
“Jetoj mirë, s’më mungon asgjë, po na griu vetmia more bir.
Dalë e rri në këtë kafe, e cila pas pak mbushet plot me pleq e plaka.
Flasim për fëmijët, për nipër e për mbesa. Po nata nuk shtyhet, është e gjatë ferr”.
I mora leje të bëja një foto me të dhe i tregova që do ta nxjerr në rrjetet sociale ndoshta edhe në ndonjë gazetë .
“Nxire ku të duash mor bir, ta ruajtë perëndia kokën dhe familjen…”.
***
Bisedën me zonjën fisnike nga Gjinari e ndoqën e gjithë familja ime që ishte vetëm një tavolinë larg.
Ashtu të prekur u nisëm të zbrisnim drejt Elbasanit.
Nja tre- katërqind metra më poshtë pashë një dardhë plot me kokrra që skuqnin nga pjekja.
U ndalëm, dolëm nga makina të gjithë.
Në rruginën që të nxirte në rrugën e asfaltuar po ngjitej një plak shumë i moshuar.
Ecte me hapa të lehtë, dhe tepër ngadalë duke u mbajtur në një shkop të sajuar.
E përshendeta nga larg, mu përgjigj me një zë burri që tregonte jo vetëm vëndosmëri por edhe dinjitet.
Pasi u afruam ja dhamë dorën njëri tjetrit sikur të ishim të njohur të vjetër.
Fjala e dytë që më tha ishte “Hajdeni shkojmë nga shpia, merri të gjithë familjen”.
I thashë që jemi për rrugë por ndalëm se pashë dardhën poshtë rrugës.
“Shko e merr sa të duash, por kujdes mos biesh e vritesh”.
I kishte kaluar të 90-at, dhe i tregonte, ishte i lëshuar, tërhiqej thuajse zvarrë për të mos zënë krevatin.
“Po u shtriva në krevat varri më çon prej tij, plaka më ka lënë tash 10 vite.
Siç duket se paskam dashur aq sa duhej dhe tani po e vuaj dënimin e saj.
Kam gjashtë djem të gjithë të martuar e me fëmijë.
Që të gjashtë bashkë me familjet e tyre jetojnë jashtë Shqipërisë nga Greqia në Amerikë.
Në verë vinë thuajse të gjithë, tani e kam shtëpinë plot.
Ndaj të thashë hajdeni në shpi se ka kush jua bënë kafenë, ka kush ju nxjerr rakinë dhe mezen.
Më kanë lutur djemtë t’ju shkoj nga pas, e kam provuar, por unë këtu kam lindur dhe këtu dua të vdes”, vazhdonte e fliste gjithë mburrje plaku i urtë.
Me burrin në moshë të thyer që nisi të më tregonte se ishte dikushi as qamë, as u jargavitëm por u ndamë si burrat e maleve duke u përqafuar me prekje krye për krye dy a tri herë…
***
Duke u larguar nga ato male dhe duke më rënduar mendimi që Shqipëria mund të jetë azili më i madh në botë për numër popullsie, gjithashtu më i paorganizuari në rruazin tokësor.
Rreth shtatëqind mijë pensionist jetojnë shumica e tyre sa nga krenaria, aq nga pamundësia të vetmuar nëpër shtëpitë që jua kanë ndërtuar në më të shumtën e rasteve fëmijët emigrant.
Ata fëmijë që i ka “përzënë” atdheu i tyre ndër më të beguarit në planet.
Herë me dëshirën e tyre dhe shumicën e herëve nga politikat e mbrapshta të qeverive antishqiptare që nuk vinë në pushtet përmes votës, por përmes dallavereve ballkanike, parave të drogës dhe korrupsionit.
Mosha e tretë kjo plagë e dhimbshme sociale po tretet nga vetmia, ajo ka nevojë për dashuri dhe respekt.
Ata kanë nevojë për një fjalë të mirë. Jepjuani o njerëz të moshës së mesme se kohë edhe më të këqia ju presin, na presin…
Tiranë me 23 Gusht 2021.
Please follow and like us: