Arrestohet vrasësi i dyshuar i Marigona Osmanit
Një orë para se t’i jepej lamtumira e fundit Marigona Osmanit, Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë Dardan Krivaqën, i dyshuar për vrasjen e saj.
Ndërkohë Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji të dyshuarit tjetër A. Sejdiu.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se kanë vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar që të dy me dashje në mënyrë mizore kanë ushtruar dhunë psiqike e fizike ndaj Marigona Osmanit derisa ajo ka ndërruar jetë. E tëra ka ndodhur për shkaqe xhelozie pasi bashkëjetuesi i saj ka dyshuar se ajo e ka tradhëtuar me djalin e dajës së tij.
Sipas familjarëve të viktimës të cilët janë thirrur në raportin e autopsisë, është konkluduar se viktima kishte vdekur 24 orë para se të dërgohej në spital.
Në ceremoninë e varrimit morrën pjesë familjarë të shumtë e përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Para ceremonisë së varrimit, protesta janë zhvilluar para Policisë së Kosovës, për të vazhduar edhe para Gjykatës e Prokurorisë. Protestuesit kanë akuzuar institucionet e drejtësisë se nuk po reagojnë në kohë.
Dy personat e dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit kanë pasur disa precedente penale, madje A. Sejdiut më 2013 i është ngritur akt-akuzë për tentativë vrasje ndërsa seanca gjyqësore është caktuar pas 8 vjetësh, në Shtator të këtij viti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje KGJK-së të tregojë emrin e gjykatësit që e neglizhoi rastin e të dyshuarit./tv kaln