NDAHET NGA JETA KUJTIM ALIJA, SIMBOL I DASHURISË PËR MUZIKËN DHE FËMIJËT
Ramazan Çeka
Të gjithë e njohën dhe dhe e respektuan dirigjentin, drejtuesin dhe organizatorin e nderuar shkodran, të palodhur dhe energjik të paharruarin Kujtim Alija. Kujtim Alija ishte një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Vjen nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve. Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Kjo bëri që ky festival të mbesë deri më sot, si të thuash “Pronë” e këtij qyteti. Ky festival në vite zbuloi dhe u dha rrugën e artit shumë talentëve të cilët më vonë shkëlqyen në skenat shqiptare dhe ato botërore. Në gjithë këto vite dirigjenti, drejtuesi dhe organizatori shkodran Kujtim Alija, pati jo vetëm fatin, por edhe aftësitë të bëhej vazhdues i mjeshtrave, që drejtuan këtë festival, duke e drejtuar atë deri sot, pa munguar dhe pa i ndryshuar klasin asnjëherë, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë, duke pasur parasysh së paku ngjarjet e vitit 1991 dhe 1997. Nga ana tjetër, ai i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në mënyrë të natyrshme, Festivali i Fëmijëve u bë Mbarëkombëtar (në vitin 1993) gjë që i jep një meritë tjetër shumë të rëndësishme z. Kujtim Alija. Kujtim Alija ishtë njeri i palodhur. Ishtë ideatori, organizatori dhe themeluesi i veprimtarisë “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, veprimtari që konsiderohet si një ndër aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë, që aktualisht organizohet për të 26-tin vit me radhë në Shkodër, si një ndër aktivitetet më të arritura të botës fëminore, duke evidentuar nivelin e lartë të pjesëmarrësve. Edicioni ka tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë, përmes një organizimi model, bashkërealizuar nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, me mbështetjen e Bashkisë. Ky aktivitet institucionalizoi kontributin e vet shumë të vlefshëm për zbulimin e trajtimin me profesionalizëm të talentëve të rinj, të cilët kanë shpalosur vlerat e tyre në olimpiada muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndihmë e tij e pandarë ishte Qendra Kulturore në Shkodër me stafin e vet të apasionuar e të përgatitur. Gjithë rezultatet e tij, z. Alija ia dedikoi njerëzve punëtorë me të cilët punoi vazhdimisht. Kujtim Alija me mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës, bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për disa vite me radhë nuk ishte efektive. Pas një pune intensive me këtë trupë, dha me sukses premira që paten një interesim të madh për publikun. Rrjedhojë e kësaj pune të vazhdueshme ishte edhe vlerësimi i merituar i Çmimit të parë në Festivalet Kombëtare të Orkestrave Frymore në Sarandë, për katër herë rrjesht (aq herë sa u organizua) dhe çmimin e parë akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane, në “X Festival internazionale BANDE MUSICALI” në tetor 2009 në Giulianova-Itali. Një ndër meritat e rëndësishme të dirigjentit dhe organizatorit Kujtim Alija ishte edhe rikthimi në Shkodër, pas 17 vitesh, i orkestrës sinfonike, shumë e njohur ndër vite për profesionalizmin dhe aktivitetet e saj, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin. Riorganizimi i kësaj orkestre konsiderohet si një ndër evenimentet më të rëndësishme kulturore në Shkodër, me nismën e Departamentit të Kulturës në Bashkinë e Shkodrës nën kujdesin e Lorenc Lukës (kryetar Bashkie). Ajo kishte si qëllim jo vetëm gjallërimin e jetës artistike e kulturore në kryeqendrën e Veriut, por dhe risjelljen e vlerave të harruara. Pas viteve ’90, u angazhua edhe në një plan tjetër, duke udhëhequr evenimente të ndryshme artistiko-fetare. Pas kontributit vullnetar në disa veprimtari fetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i besoi atij drejtimin artistik të disa programeve festive që fillojnë në Teatrin “Migjeni”, vazhdojnë në skenat e Maqedonisë dhe bëhen të përvitshme në Tiranë, “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”, organizuar në sallën e Pallatit të Kongreseve. Për t’i realizuar këto, Kujtim Alija mblodhi, shkroi, muzikoi partitura të këngëve të ndryshme fetare, të pashkruara, por vetëm të kënduara, ndër të cilat edhe atë të Mevludit Sherif. Ai vazhdoi me pasion punën për pasurimin e këtyre vlerave. Gjatë viteve është angazhuar edhe me punë mësim-dhënëse në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, apo në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kujtim Alija ishte një figurë karizmatike në Shkodër. Një figurë që e nderoi Shkodrën. Muzikant i kultivuar, dirigjent për ta patur zili, organizator i shkëlqyer. I dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “NAIM FRASHËRI” i Argjendtë dhe nga Bashkia e Shkodrës me titullin “MIRËNJOHJE E QYTETIT” dhe pas 32 festivaleve, në qershor 2017, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Planet e Kujtimit për të ardhmen ishin aktivitetet artistike, me të cilat ka ndarë jetën, si: Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë (që këtë vit realizoi me shumë sukses edicionin e 59-të, kurse z. Alija të 36-tin si drejtor artistik dhe dirigjent). Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, në këtë vit, në Shkodër, erdhi si gjithnjë më i pasur dhe më i arrirë e natyrisht meritat më të mëdha i meriton ai, që ka vite që e udhëheq dhe që jo më kot për këto merita, u laurua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Me modesti e emocion Mjeshtri Kujtim Alija gjithmonë falenderimet më të mëdha ia dedikoi qytetit të tij dhe fëmijëve të mrekullueshëm që e kanë gëzuar dhe e kanë bërë krenar për gjithë jetën. Pushofsh në paqe profesor Kujtimi, luftove deri në fund me armikun e shekullit, duke mos e larguar asnjëherë buzëqeshjen dhe optimizmin. Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve e bashkepunëtorëve të profesorit! Kotributi i tij do mbetet gjithmonë i gjallë dhe i paharruar në kujtesen e seicilit që ka punuar me profesorin, por edhe për të gjithë dashamirësit e artit.