Albspirit

Media/News/Publishing

Formacioni më i madh luftarak në kufi me Kinën, mesazhi i anglo-amerikanëve për Kinën

Tre aeroplanmbajtëse, që mbajnë në bord dy modele të fundit të avionëve të pakapshëm nga radarët, F-35 janë mbledhur si rrallëherë më parë pranë ujërave të Okinawas, në Japoni. Grupi i luftëanijeve, amerikane e britanike është formacioni më i fuqishëm luftarak që lundron në këto ujëra prej shumë kohësh dhe pyetja që po ngrihet është se përse pikërisht tani?

 Përgjigja nuk është e vështirë të jepet, as për kohën e zgjedhur dhe as për vendndodhjen. Marina kineze javët e fundit ka “testuar” manovra ushtarake që ilustrojnë një pushtim të Tajvanit, ndaj tre aeroplanmbajtëset janë një paralajmërim, se një sulm mbi ishull do të prodhojë pasoja për Pekinin.
HMS Queen Elizabeth, aeroplanmbajtësja më e re e flotës britanike me karburant konvencional, së bashku me shoqëruesit e saj, luftanije britanike, amerikane dhe holandeze prej disa javësh ndodhen në Paqësor.
 Aeroplanmbajtësja me dy skuadrilje avionësh F-35B në bord, një nga Forcat Ajrore Mbretërore dhe një tjetër nga flota ajrore e SHBA-u largua nga Mbretëria e Bashkuar për lundrimin e saj të parë në maj, lundroi përmes Mesdheut dhe më pas përtej Oqeanit Indian për të arritur në Paqësor përmes Ngushticës së Singaporit.

USS America ishte aeroplanmbajtësja e parë amerikane që u bashkua me Queen Elizabeth. Ajo është në gjendje që gjithashtu të mbajë dy skuadrilje F-35B. Prej vitesh, kjo aeroplanmbajtëse lundron në ujërat japoneze e shoqëruar nga shkatërruesit dhe anijet e tjera amfive nga Flota 7 e SHBA.

“America” dhe “Queen Elizabeth” kaluan javën e kaluar duke furnizuar me karburant F-35 të njëri-tjetrit në një të ashtuquajtur stërvitje “kryq”. “Ky ndërveprim tregoi se sa shpejt dhe pa probleme SHBA dhe Britania e Madhe mund të mbledhin së bashku fuqinë ajrore të kombinuar dhe të kryejnë operacione fluturimi shumë të ndërlikuara dhe të qëndrueshme me efekt shkatërrues vdekjeprurës”, tha kapiteni i “America”, Ken Ward.

Super-transportuesi USS Carl Vinson, në gjendje të transportojë armë bërthamore dhe një skuadrilje F-35C iu bashkua “America” dhe “Queen Elizabeth” ditën e mërkurë, duke udhëtuar përmes Paqësorit, nga lindja.

Së bashku, tre transportuesit dhe shoqëruesit e tyre posedojnë më shumë fuqi zjarri sesa fuqia totale e flotave të shumicës së vendeve në botë. Marina kineze aktualisht ka vetëm dy aeroplanmbajtëse dhe të dyja të ngjashme me “Queen Elizabeth” në madhësi dhe aftësi.

“Queen Elizabeth” ka 16 F-35B në bord. Një skuadron F-35B ndodhet në bazat amerikane në Japoni, ndërsa është e paqartë se sa avionë të tillë ka në bord “America”. Ndërkohë, “USS Carl Vinson” është e para nga 10 super aeroplanmbajtëset e Marinës amerikane që lundroi me një skuadron F-35C, 10 avionët më të fundit të pakapshëm nga radarët. Kjo aeroplanmbajtëse është në gjendje gjithashtu që të mbajë 36 avionë të tjerë F/A-18E/F dhe gjashtë dronë të modelit EA-18G.

Në total pranë Kinës sot janë tre aeroplanmbajtëset ndër më të mëdhatë në botë, që në bord kanë një flotë ajrore me të paktën 80 avionë, më shumë se gjysma e të cilëve fjala e fundit e teknologjisë. Kësaj force u shtohen edhe dhjetra anijet luftarake “Corvette” shkatërruese, disa nëndetëse dhe potencialisht një gamë e gjerë raketash me rreze të mesme e të gjatë veprimi.

Marina kineze këtë verë ka përshkallëzuar stërvitjet e saj për një sulm të mundshëm në ngushticën e Tajvanit. Më alarmante, marina ka mobilizuar disa nga anijet e transportit civil nga të cilat do të varej ushtria kineze për të transportuar potencialisht qindra-mijëra trupa pushtuese. Nëse sinjali nga Kina nuk merret, duket se SHBA dhe Perëndimi e kanë marrë sinjalin kinez në lidhje me Tajvanin dhe ishulli është në rrezik.

Burimi Forbes. Përktheu Gazeta Shqip

Please follow and like us: