Çausoglu: Lidhje të forta me serbët, Erdogan dhe Vuçiç, raporte vëllazërore
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çausoglu gjendet sot për një vizitë zyrtare në Serbi, gjatë së cilës nuk i ka kursyer lëvdatat për popullin dhe drejtuesit serb. Mediat serbe raportojnë se Çausoglu theksoi se mes turqve dhe serbve ka lidhje të forta kulturore dhe historike, të cilat i afrojnë mjaft popujt respektivë, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes Vuçiçit dhe Erdoganit sipas tij. Shefi i diplomacisë turke njoftoi gjithashtu edhe vizitën e Vuçiçit në Ankara gjatë muajve në vijim, në kuadër të përgatitjes së Samitit të Bashkëpunimit, gjatë të cilit pritet të nënshkruhen një mori marrëveshjesh ekonomike. Turqia dhe Serbia patën një volum shkëmbimesh tregtare prej 1.5 miliard euro gjatë vitit të shkuar, ndërsa bizneset turke kanë investuar vitin e fundit 250 milion euro në Serbi. Turqit janë bërë gati t’u shesin serbve edhe dronët e tyre “Bayraktar TB2”, të cilat Vuçiç është shprehur se do t’i marrë për të rritur sigurinë e Serbisë duke patur si synim pikërisht Kosovën dhe Kroacinë.