Albspirit

Media/News/Publishing

Kroacia përkrah Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO

-Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO/ Nga Behlul Jashari

BLED, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Takimin e parë në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e pati me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordon Grliq Radman, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai shprehu falënderimin e sinqertë për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë. Po ashtu, e falënderoi për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid, që qeveria kroate ka ndarë për Kosovën në shenjë miqësie. U bisedua për fushat e bashkëpunimit bilateral që do të sigurojnë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID 19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Kryeministri Plenkoviq ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.

KRYEMINISTRI PLENKOVIQ I SHKRUAN LETËR KRYEMINISTRIT KURTI, SHPREHET I LUMTUR QË DO TA TAKOJË NË MARGJINAT E FORUMIT STRATEGJIK TË BLEDIT

PRISHTINË, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Dje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka pranuar letër nga Kryeministri i Republikës së Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq, në të cilën ai shprehet shumë i lumtur që do të ketë mundësinë të takohen personalisht në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, më 1 Shtator. “Takimi jonë i fundit i shkurtër në Slavonski Brod u mbajt nën hijen e aksidentit të tmerrshëm me autobus që mori jetët e dhjetë kosovarëve gjatë rrugës së tyre për pushime verore në vendlindje”, ka shkruar z. Plenkoviq. Kryeministri kroat e ka njoftuar kryeministrin Kurti se sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë, 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë. Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik, ka thënë z. Plenkoviq. Duke i shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive tona”. Kryeministri Plenkoviq ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën euroatlantike të Kosovës, në aspektin politik dhe gatishmërinë për të vazhduar ndihmën për reforma.“Mezi pres që të hulumtojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit bilateral, duke përfshirë ngritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtisë dhe investimeve, që do të sigurojnë rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë”, ka shkruar z. Plenkoviq.

Please follow and like us: