Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Mandati i shitur dhe dorëheqja

 

Ky Lefteri që dha dorëheqjen, është një nga ata qindra kalbësirat e politikës sonë. Me një letër që gjoja të këput shpirtin, po na hap barkun duke u përpjekur të hiqet si një intelektual me vizion për vendin, ku sipas tij është shumë herë më mirë. Në fakt është një përfaqësues i klaneve që kanë shtrydhur, sunduar, përdhunuar vendin. I klanit të Zemunit siç aludonte dikur Partia Demokratike, por që aktualisht e ka deputet nga listat e saj një anëtar të këtij klani. Ai quhet Agron Duka, ka lidhje të afërta, krushqie me Lefterin e Durrësit. Por mafia kështu vepron, sa majtas, sa djathtas, me qëllim që po nuk hëngrën këtë vit me të djathtën, të paktën të hanë me të majtën. Gjë që aktualisht po e bën shumë mirë ky klani i Zemunit. Eshtë nga ato raste kur ndërgjegja kombëtare shqiptare kapi batakun, sa nuk mbeti këmbë injoranti pa u diplomuar dhe u graduar deri me tituj shkencorë. Ky është një nga ata që ka mbaruar një universitet fët e fët në Strugë, në kohën kur mbante edhe detyrën e kryebashkiakut të Durrësit nga 2003 deri në 2007. Megjithëse Universiteti që ai ka ”mbaruar” është themeluar në 2005. Tani nuk e di nëse ekziston më apo jo? Dhe as që dua t’ia di. Shqipëria i pati me bollëk të tillë, ndërsa verifikimi i diplomave nuk u bë kurrë, si nga qeveria Berisha, ashtu dhe kjo e Edi Ramës. Sot vendi ka një shpurë të mahnitshme kuadrosh të dilpomuar në mënyrë bizarre ku rekordin e mban drejtësia. Kësisoj nuk është e rastësishme që sot Shqipërisë i kanë ikur plot 1.5 milion njerëz, ku 80% janë mendje të hapura dhe të mirëarsimuar. Në fakt nuk është dorëheqje, është një tërheqje e detyruar. Ky është pjesë e listës së personave non grata nga Departamenti i Shtetit, i atyre personave që kanë mbajtur poste kyçe, kanë ndarë tendera dhe përfliten për punë të pista. Ajo listë sot është si maja e ajsbergut. Sepse sado të përflitet Amerika për favorizime, apo për goditje të njëashme, radha do vazhdoj. Shqiptarët në të ardhmen do shqyejnë sytë akoma. Amerika thjesht po përpiqet të istalojë demokracinë në një vend që ka prirje perëndimore me shumicë, por që dominohet me nga një kastë klanesh, me mendësi sa otomane aq edhe lindore. Ky dha dorëheqjen me mendimin se do i shpëtoj vetingut, ashtu si shumë hajvanër të drejtësisë shqiptare që sot janë pronarë apartamentesh të panumurt dhe dyshekësh të mbushur me euro. Kurse këta, si ky Lefteri janë edhe klient të bankave ofshore nga përqindjet e larta të tenderimeve. A po e ndihmon Amerika apo Europa, Shqipërinë? Pa asnjë diskutim. Mos dëgjoni shtetarë si Edi Rama që një e më dy i hakërrehet Europës. Por puna është sa po e ndihmon Shqipëria veten, me një fjalë shqiptarët shtetin e tyre, vendin, kombin, kjo lë shumë për të dëshiruar. Praktika e luftës frontale është sot prezente dhe klanet dominojnë totalisht një shoqëri e cila nuk reagon. Klanet sot kanë forca politike më të forta se kurrë, bëhen zgjedhje formale, forumet nuk janë determinues, por fiktivë dhe në shërbim të njëshave. Dorëheqja ka vdekur si institucion aq sa plot emra duket sheshit se vetëm vdekja do t’i largoj nga pushteti. Një traditë që shqiptarët e njohin mirë, e ka emrin Enver Hoxha. I vetmi evoluim, është ai që sot, janë disa Enverë. Pra një evoluim i mbrapshtë. Prandaj ky Lefteri nuk e ka lëshuar mandatin, hiqeni nga mendja. Ai vetëm se e ka shitur. Dhe e ka shitur shtrenjtë biles. Po do Zoti dhe e shikon që një ditë këto para t’u kthehen shqiptarëve, se, as afganët nuk na duan më. Kaq poshtë kemi rënë.

Please follow and like us: