Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Kosova ka nevojë për një ofensivë diplomatike

Në muajin e saj të gjashtë në detyrë, qeveria e Kosovës ende nuk ka në kalendar vendosjen e ambasadorëve të rinj në të gjitha kryeqytetet kryesore të botës.

Në mënyrën më të dukshme mungojnë diplomatët në rang ambasadori në Washington DC, Bruksel, Londër, Paris, Berlin. Një lajm nga Australia, ish-ambasadori thotë se iu desh ta mbyllte fare ambasadën se qeveria e Kosovës nuk dërgoi ndonjë përfaqësues që të merrte zyrat në dorëzim. Sipas tij, shumë kërkesa të tij kishin mbetur pa përgjigje.

Tani, e vërteta është se qeveria e Albin Kurtit ka pasur shumë punë për të bërë. Mbi të gjitha shpërthimi i epidemisë do të rrëmbejë shumë energji dhe vëmendje. (Edhe këtu duket sikur ka pasur pak vonesë dhe mungesë përqendrimi vëmndjeje.) Vera e nxehtë në mes, disa sheshim mosmarrëveshjesh mesiguri në mbrapaskenë, shumica relativisht e brishtë në Kuvend etj të gjitha mund të kenë ndikuar në ngadalësimin e procesit të emërimeve.

Kujdesi në këtë proces është virtyt. Emërimet nuk kanë pse nxitohen, mirëpo mungesa e titullarëve të lartë në kaq shumë kryeqytete në të njëjtën kohë nuk është imazh i mirë. Disa mbështetës të qeverisë kanë thënë se largimi i shumë ambasadorëve ekzistues ka qenë i detyrueshëm për shkak të të metave në punën e tyre, lidhjet me pushtetin e vjetër etj.

E vërteta është se qeveria e re mund të sillet sikur është “viti zero” në Kosovë, por në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo është sigurisht e pamundur. Për arsyen e thjeshtë se diplomacia serbe dhe ajo ruse nuk është duke ndenjur duarkryq duke pritur sa të ndërrojë ekipin Kosova. Po ashtu edhe aleatët tanë duke nisur nga SHBA, forumet ndërkombëtare etj duan ta shohin Kosovën të pranishme në nivelin më të lartë. Nuk kam dyshim se ndërkohë diplomatët e përkushtuar të Kosovës në nivele më të ulëta si dhe të ngarkuarit me punë janë duke dhënë maksimumin që puna të vazhdojë edhe pa titullarët, por ata nuk mund të kapërcejnë kufizimet e protokolleve. Ta themi troç, Kosova ka nevojë për përfaqësim maksimal sa më shpejt.

Rasti më flagrant është në SHBA, ku Serbia është në ofensivë diplomatike. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka sjellë një nga këshilltarët e tij më të afërt, që ka vënë shpresat në identitetin e tij të pretenduar si hebre dhe natyrën gjoja të hapur pro-perëndimore e të moderuar për të joshur mbështetje për Serbinë. Një numër deklaratash të zyrtarëve të lartë amerikanë duke filluar që nga Presidenti Joe Biden, te Sekretarja e Tregëtisë Gina Raimondo pasqyrojnë pasaktësira, fryte të diplomacisë dhe propagandës serbe. Nuk kam dyshim se ka ngjashmëri edhe në kryeqytete të tjera.

Udhëheqës të Vetëvendosjes janë ankuar shpesh në vite për ambasadorë e për diplomatë, për qendrimet e tyre, për lidhjet partiake e nepotiste etj. Nganjëherë kjo ka qenë e padrejtë se ambasadorët nuk bëjnë politikën e jashtme vetëm zbatojnë vizionin e presidentit dhe qeverisë. Sido që të jetë, tani në qeveri, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe njerëzit e tyre kanë në dorë të tregojën se si mendojnë duhet bërë ndryshe diplomacia e Kosovës. Ata nuk duhet të vonohen më në këtë drejtim.

Të ndërrosh ambasadorët është normale, por të mos kesh gati emrat për zëvendësimin e tyre pas gati gjysëm viti në pushtet duket herë si pazotësi e herë si papërgjegjësi. Është tani e kotë të debatohet se pse nuk ka ecur përpara procesi. Le të jetë shtatori dhe tetori muajt e ofensivës për rindezjen e diplomacisë kosovare në botë.

Nuk ka ambasadorë idealë. As 100% besnikë të partive dhe politikanëve. As nuk mund të kënaqen të gjitha rrymat në një parti apo koalicion. Është koha që kryeministri Kurti e presidentja Osmani të dëshmojnë udhëheqje dhe tolerancë. Të piketohen emrat, të nisë procesi pa vonesë. Të caktohen data në Kuvend për prezantimet. Ideale do të ishte që opozita të tregojë pozitivitet ndaj ambasadorëve të emëruar sepse Kosova nuk mund të vonohet më.

Nuk ndonjë reagim nga qeveria, me sa di për shqetësimet lidhur me këto zëvendësime. Do të ishte mirë që një sqarim publik të bëhej me këtë rast. Ministria e Jashtme ka deklaruar se Kosova do të fillojë lobimin për njohje të reja. Kjo është një arsye shumë më e fortë për të pasur në detyrë ambasadorët e rinj sidomos në SHBA e BE.

Injorimi i problemit, justifikimet apo akuzat partiake, relativizimet cinike, nuk ndihmojnë askënd. As vetë qeverinë Kurti. Le të fillojë apo përshpejtohet procesi sa më parë. Kosova ka nevojë për ambasadorët e saj.

Please follow and like us: