Ruben Avxhiu: Si Obama dhe Trump
Biden dëshmon se kur vjen puna në çështjet ndërkombëtare, ai nuk ndryshon në thelb nga parardhësit e tij
Fjalimi i mbrëmshëm i presidentit Biden në të cilin justifikoi largimin nga Afganistani dhe shpalli se epoka kur SHBA përdor ushtrinë për të shndërruar vende të tjera ka mbaruar, ishte dëshmi se megjithë deklaratat e bujshme dhe teatralitetin politik, presidenca e tij është në shumë mënyra një vazhdim i presidencës Trump.
Ishte një fjalim të cilin edhe presidenti Donald Trump mund ta kishte mbajtur pa i ndryshuar ndonjë gjë të madhe. Ishte një hap më tej i tërheqjes amerikane nga garantimi i sigurisë dhe paqes në botë.
Mbase Afganistani, i vendosur në një terren të vështirë, i rrethuar nga vende problematike, asnjë prej të cilëve aleat i vërtetë i SHBA-së ishte një projekt i kotë. Mirëpo, pyetja është se cili vend është mjaftueshëm afër që të derdhet gjaku i ushtarëve amerikanë?
Tucker Carlson në emisionin e tij televiziv të ndjekur nga shumë amerikanë të djathtë, e pyeti copë presidentin Trump se pse duhej amerikanëve të jepnin jetën për një vend si Mali i Zi apo Shqipëria që as që e dinë se ku ndodhet?
Ai mund të kishte thënë edhe Kosova, mirëpo tha Mali i Zi, sepse vendi i vogël ballkanik sapo ishte anëtarësuar në NATO përkundër protestave, lobimit dhe madje edhe një puçi për rrëzimin e qeverisë malazeze nga sigurimi rus.
Trump tha se janë njerëz “agresivë”, mbase duke folur për malazezët, mbase për të gjithë ballkanasit dhe e pohoi që një konflikt aty mund të tërhiqte SHBA-në dhe Rusinë duke shkaktuar Luftën e Tretë Botërore. “Ashtu janë caktuar rregullat”, tha Trump, një përgjigje që mbase qetësoi aleatët e NATO-s por nuk e mërziti as drejtuesin televiziv që e quajti një përgjigje jopërfundimtare.
Për Biden mbase Afganistani është shumë larg, por numri i amerikanëve që mendojnë se Ballkani është shumë larg, apo që nuk e dinë se ku është Ballkani, apo që një numër emisione lajmesh mund t’i bëjnë që ta shohin paqeruajtjen ne Ballkan po aq të kotë sa atë në Azinë Qendrore është shumë i madh.
As Bushi i Vjetër e as Clinton nuk ndërhynë si duhet dhe kur duhet në Bosnje dhe NATO ndërhyri në Kosovë vetëm në 1999, pas gati një dekade luftërash të nisura nga Serbia, pikërisht nga pretendimi se këta njerëz kanë qenë gjithmonë në luftë me njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë të jenë në të ardhmen. Se këto vende nuk bëhen, nu kia vlen të investosh e mbi të gjitha nu kia vlen të derdhësh gjak për to.
Edhe kur ndërhyri, Clinton refuzoi deri në fund që të përdorte trupa tokësore sepse druhej për koston politike në vend, nëse do të kishte amerikanë të vrarë. Për ironi, Joe Biden ishte në atë kohë në grupin e vogël të njerëzve që mbështeste ndërhyrjen nga toka, në mos gjerësisht me trupa amerikanë, të paktën me një grup specialistësh e forcash speciale në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-së do t’u jepeshin armë e do të trajnoheshin si afganët në këto 20 vite.
Pyetja që bëhet kudo në botë sot është nëse në një pikë tjetër të globit sulmohen aleatët amerikanë e qeveri që respektojnë të drejtën ndërkombëtare e sigurinë botërore, e sulmi vjen nga aktorë rivalë si Kina apo Rusia, apo aleatët e tyre si Serbia, a do të dërgojë djemtë dhe vajzat e saj drejt rrezikut Amerika?
Biden ka një lidhje personale me Kosovën. Përveçse që ka qenë një mbështetës i madh i saj, sidomos në vitet më të vështira, djali i tij i ndjerë ka shërbyer aty. Kosova është i vetmi vend që ia ka nderuar djalin personalisht për rolin që ka luajtur.
“Kosova është në zemrën e familjes Biden”, tha presidenti në një mesazh me video në ditën kur po ia dekoronin pas vdekjes djalin në Kosovë.
Kjo mbase jep shpresë për momentin se SHBA nuk do ta braktisë investimin e saj të madh të sigurisë në Ballkan, ndonëse Kosova nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare amerikane e as ndonjë interes ekonomik të veçantë.
Po ashtu Shqipëria e Mali i Zi nuk kanë pse druhen SHBA mbetet e vendosur për të mbrojtur aleatët e NATO-s nëse ndonjë prej tyre sulmohet.
Mirëpo, në një plan më të afatgjatë, siguria që vjen nga SHBA është në pikëpyetje. Presidenti Barack Obama erdhi në pushtet me premtimin për t’u tërhequr nga Iraku dhe Afganistani. Si një denoncues i politikave të presidentëve përpara tij. Si një udhëheqës që do të përqendrohej në punët e brendshme të vendit dhe do të linte aleatët në botë të merrnin më shumë përgjegjësi. Tërheqja e tij e nxituar nga Iraku la një zbrazëtirë që u mbush nga ISIS.
Obama u pasua nga Donald Trump, një tjetër i apasionuar i tërheqjes amerikane. Edhe premtoi se do t’u jepte fund luftërave pambarim si i quajnë disa angazhimet amerikane në botë. Ajo që ia mbajti dorën ishte përvoja e Irakut. Ai iu bashkua kritikëve që akuzonin presidentin Obama për papërgjegjësi në Irak.
Biden shihej si dikush që do ta zbuste këtë pririje për t’u tërhequr nga detyra e pashpallur e garantimit të sigurisë nëpër botë. Mirëpo, mënyra se si u tërhoq nga Afganistani dhe justifikimet që ka dhënë në këto fjalimet përpara kombit, tregon se ai është thjesht vazhdim i të njëjtës rrymë.
Kjo nuk është thjesht zgjedhja e tyre. Ajo reflekton opinionin e shumicës së amerikanëve që nuk kanë më dëshirë e interes të dinë për zhvillimet në botë. Ata dyshojnë se këto angazhime i kanë bërë amerikanët më të varfër e më të harruar, kanë përmisuar jetën në pjesë të ndryshme të globit në kurriz të vendeve të punës dhe interesave ekonomike të qytetarëve amerikanë.
Biden dëshmoi edhe në një drejtim tjetër se ishte pasues i denjë i paraardhësve të tij Obama dhe Trump. Ai refuzoi të pranonte ndonjë përgjegjësi për çfarë ndodhi, se si u tërhoq SHBA nga Afganistani, sesi talebanët erdhën aq shpejt në pushtet, se pse aleatët kanë mbetur të zhgënjyer nga SHBA, apo për qindra amerikanë e dhjetëra mijëra aleatë afganë që mbeten ende në Afganistan. As Obama e as Trump nuk kanë pranuar ndonjëherë në publik gabimet e tyre.
Fjalimi i mbrëmshëm nga Biden ka dëshpëruar edhe ata kritikë që të paktën shpresonin për disa përjashtime deri në figura të larta në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit. Mirëpo, Biden duket i vendosur të fshihet mbas suksesit të evakuimeve që janë meritë thjesht e ushtrisë amerikane, e cila ndonëse e gjymtuar nga vendimet të nxituara e kokëfortë politike dëshmoi edhe një herë veten duke evakuuar rreth 100,000 vetë në pak ditët që talebanët i lejuan administratës Biden.
Problemi me refuzimin për të reflektuar me sinqeritet për këtë tërheqje nuk është ogur i mirë për presidencën Biden që ende sapo ka filluar. Problemi me kufizimin e diskutimit vetëm te a ia vlente qendrimi i mëtejshëm në Afganistan, është se lë jashtë ndikimin që do të ketë nëpër pika të tjera të nxehta në botë. Mjafton të lexosh gëzimin e serbëve për epokën që po fillon sipas tyre. Cili vend apo actor armiqësor do ta provokojë Amerikën për të parë se ku tjetër është “tepër larg” për presidentin Biden. Më së paku, SHBA duhet të jetë gati që të jetë e pamëshirshme në rastin më të parë të një sulmi ndaj interesave amerikane. Luftërat botërore nuk fillojnë nga gatishmëria për të mbrojtur vende si Mali i Zi e Shqipëria, por nga e kundërta, nga mungesa e një force që garanton mbizotërimin e paqes në botë. Nga ideja se gara për të caktuar superfuqinë e radhës ka filluar.