FITUESIT E PRIFILM FEST 2021, PRIN ME ÇMIME FILMI “LUANESHAT E KODRËS”
Mbrëmjen e së Dielës janë ndarë çmimet e edicionit të 13-të të PriFilm Fest 2021.
Në mbylljen e këtij festivali jashtë Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila ishte mbushur plot dashamirë të filmit u ndanë çmimet.
Çmimi ‘Prifest best project in Pitch Competition for PriForum 2021’ shkoi për regjisoren Ajola Dala dhe producenten Sabina Kodra për filmin “Made of Dust”.
“Faleminderit shumë. Kjo është hera e parë që jam këtu dhe PriFilmFest është duke u bërë një familje për mua dhe jo vetëm një festival. Vjosa, Fatos, ju jeni më të mirët. Ajola Dala nuk është këtu por jam e sigurt që ajo është shumë shumë e lumtur për këtë çmim. Ne do të bëjmë më të mirën për të sjell këtë projekt sa më larg që të mundemi”, thotë Kodra.
Fituesi i çmimit të shërbimeve ‘Video Post-produksion’ shkoi për filmin “2000: A Post-War Odyssey” të regjisorit Zgjim Terziqi.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur dhe faleminderit jurisë. Ky ka qenë çmimi që ne e kemi dashur dhe e morrëm, andaj jemi shumë të lumtur”, thotë Terziqi.
Fituesi i çmimit të shërbimeve ‘Sound Post-produksion’ shkoi për filmin “The sun, the moon and the eleven stars’’ të regjisores Ema Kulara dhe producentes Ema Ogzan-Tenoglu.
Çmimi për filmin e shkurtër më të mirë ndërkombëtar shkoi për “Shakira”, Francë.
Filmi më i mirë i programit të filmave të metrazhit të mesëm shpallet filmi “Jesus Egon Christ”, Gjermani.
Filmi fitues i programit të filmave dokumentarë shpallet filmi “The end of kings”, Francë.
Fituesi i zgjedhur nga juria e mediave për këtë edicion të PriFest-it është filmi “Mehrunisa”, Austri.
“Faleminderit shumë jurisë dhe festivalit. Ne kemi pasur një rrugëtim të gjatë dhe mendoj se kjo është pjesa më interesante e rrugëtimit tonë me këtë çmim. Është hera e parë në Kosovë dhe do të mbaj me vete shumë kujtime dhe ky festival me të vërtetë është një vend ku vjen si vizitor por shndërrohesh në një mik shumë të mirë”, thotë regjisori i filmit.
Çmimi për filmin më të mirë global shkoi për “Rival”, Gjermani.
Fituesi i zgjedhur nga juria FIPRESCI për filmin më të mirë ballkanik është filmi “Full Moon”, Bosnje dhe Hercegovinë.
Çmimi i përvitshëm për arritje për një artist nga Kosova në fushën e kinematografisë shkoi për regjisoren Blerta Basholli.
“Është kënaqësi me qenë në Prishtinë dhe PriFest. Ne gjithmonë kemi dëshirë që filmat tonë dhe projektet tona të shkojnë çdo ku në botë por në fund të fundit kënaqësia dhe qejfi më i madh është kur jemi këtu në Kosovë afër kolegëve dhe njerëzve tonë. Çmimi vjetor për arritje kinematografike është një çmim shumë i veçantë dhe falënderoj shumë PriFestin sepse fillimisht ishte e veçantë të shihja premierën e parë fizike dhe atë pikërisht në Kosovë”, thotë Basholli.
Çmimi “Aktori më i mirë” (Ballkan) shkon për aktorin e “Full Moon”, Alban Ukaj, Bosnje dhe Hercegovinë.
Çmimi “Aktorja më e mirë” (Ballkan) shkon për aktoret e “Luaneshat e Kodrës”, Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani, Kosovë/Francë.
“Jam shumë e emocionuar sepse me të vërtetë nuk e kam pritur këtë çmim. Është hera e dytë në një festival por është hera e parë në festivalin e vendit tim dhe me të vërtetë kam shumë emocione më të mëdha dhe më të mira ndoshta për shkak që është vendi im, jeni njerëzit e mi. Jam shumë e lumtur dhe ju falënderoj të gjithëve për krejt këtë energji kaq të mirë që ma keni dhuruar edhe gjatë prezantimit të filmit”, thotë Latifi.
Çmimi për regjisoren më të mirë të filmave ballkanik shkon për Luana Bajramin për regjinë e filmit “Luaneshat e Kodrës”, Kosovë/Francë.
“Faleminderit shumë. Ky çmim ka shumë domethënie për mua. Ky çmim mendoj që e vlerëson normal filmin, punën tonë si ekip por edhe e vlerëson rininë, gjeneratën e re dhe ta mbajnë që arti dhe artistët nuk duhet të paragjykohen por vetëm të diskutohen dhe të mbështeten. Faleminderit shumë”, thotë Bajrami.
Filmi më i mirë i Ballkanit shpallet filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Basholli, Kosovë/Maqedoni e Veriut/Shqipëri/Zvicër./KultPlus