Përkundër legenëve konspiracionistë/moderatoristë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës fton besimtarët të vaksinohen
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, u ka bërë thirrje besimtarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës, njoftoi se Tërnava ka marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19. “Ai e ka quajtur të paarsyeshme çdo tentim për të arsyetuar refuzimin e vaksinimit, ndërsa potencoi se besimtarët janë të obliguar t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për vaksinim”, thuhet në postimin e BIK-ut. Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit. Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Infektologu, Xhevat Demiri, i tha Radios Evropa e Lirë se situata me pandeminë është shumë e rëndë dhe kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 dhe për vaksinim kundër kësaj sëmundjeje. “Pasojë e kësaj situate të rëndë me pandeminë është në radhë të parë mosrespektimi i masave kundër COVID-19. Çdo ditë e më shumë kemi grumbullime që rrezikojnë situatën. Vaksinimi është i ulët. Por, është edhe një faktor tjetër që një pjesë e popullsisë vazhdon të mos besojë që ka virus”, thotë ai. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion. Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.