Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mbi raportet e Kosovës me Shqipërinë, Gjermaninë dhe SHBA

Një udhëheqës i mirë kurrë s’ mund të jetë ai që grindjet dhe konfliktet i ka parime të punës e të veprimit politik. E kjo vlen sidomos për vende të vogla. Në rastin tonë, ndërkaq, logjika e veprimeve të tillë politik mund të jetë fatale.
E mjerisht, Kosova sot ka në krye të saj udhëheqës kryeneçë e të papërgatitur, dhe që udhëhiqen nga mendësia grindavece e konfliktuoze e ngjizur dhe formësuar gjatë rrugëtimit të tyre si opozitë.
Pa mundur ta tejkalojnë këtë mendësi, të tillët bëjnë çmos që t’ i stimulojnë grindjet e konfliktet politike si formë për të zotëruar e dominuar mëtej hapësirën publike.
Asnjë mendje racionale s’ mund ta besojë e as të arsyetojë se si Amerika, Gjermania, Shqipëria e vendet tjera na qenkan kundër Kosovës e gjoja një aksh lideri po na shpëtoka Kosovën. Këto janë marrina të pastra politike.
Në të vërtetë “fajet” e këtyre keqkuptimeve duhet kërkuar të mahallat e vogla politike në Prishtinë që intrigat dhe thashethemet i kanë ushqim politik, e të cilave shpeshherë verbërisht u shërbejnë edhe mediat e ndihmuara nga tallavat në rrjetet sociale.
Marrinat e tilla politike s’ kanë të bëjnë asgjë me interesa jetike të Kosovës, por lidhen kryekëput me interesa për pushtet dhe ata që duan pushtet e dinë mirë se pushteti mbahet duke i mbajtë turmat e përndezura rreth tyre.
Por për Kosovën – sot dhe nesër – raportet me Shqipërinë, Gjermaninë, Amerikën, s’ janë raporte të natyrës politike, siç mund të jenë raportet me shtetet tjera, por raporte ekzistenciale, prandaj ruajtja e tyre është obligim dhe detyrim shtetëror përballë historisë dhe sidomos përballë të ardhmes. Sepse ne vetë, në kushtet e sotme globale, s’ mund të ndërtojmë të ardhme në paqe e demokraci. Prandaj, na duhen miqtë dhe ata duhet t’ i ruajmë si sytë e ballit.
Please follow and like us: