Ambasadorja amerikane takohet me gjyqtarët e KPA
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim vijon takimet me aktorët në institucionet e reja të drejtësisë shqiptare.
Ndalesa e radhës e Ambasadores ishte Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
“Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kanë një ndër përgjegjësitë më të vështira: dhënien e gjykimit përfundimtar mbi vendimet e vettingut. Pavarësisht presionit të madh, ata kanë këmbëngulur në zbatimin e këtij elementi kyç të reformës në drejtësi”, shkruan Kim.
Brenda dy ditëve, Kim është takuar me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe me 15 prokurorët e SPAK-ut.
Në takimet me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Ambasadorja theksoi rëndësinë e vendimeve me integritet dhe paanësi.
“Teksa Gjykata Kushtetuese kthehet në seancë, unë shkova për të nderuar gjykatësit. Kritike për Kushtetuesen që të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi, në përputhje me betimin e tyre në detyrë. Ne jemi duke punuar me institucionet përkatëse kështu që Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarësim të plotë”, tha Kim.
Të SPAK, Ambasadorja vlerësoi punën e deritanishme dhe tha se ky institucion po jep gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë.
“Pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cilës parti…. Me më shumë prokurorë dhe hetues të rinj të BKH, SPAK po jep gjithnjë e më shumë rezultate çdo ditë”, – theksoi ajo në një postim në rrjetet sociale.