Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Amarda Ekmekçiu

??????????

Pas një prezantimi të shkurtër për lexuesit, Amarda Ekmekçiu sjell poezi të përzgjedhura nga cikli i ri për botim “Kënga e drurit që digjet”.

Linda më 8/1/1977 në qytetin e Elbasanit, në të cilin mora arsimin përkatës deri në kryerjen e studimeve të larta për gjuhë- letersi shqipe në universitetin Aleksandër Xhuvani. Letërsia, si art i fjalës së shkruar, tërhoqi vëmendjen time që në moshen 8 vjeçare me librin e këndimit të klasë së dytë. Poema “Nënë e bir” e Nonda Bulkës, e cila ka mbetur thellë në kujtesën time, nxiti pjesën krijuese brenda meje. Kështu nisa të shkruaj krijimet e para. Gjithçka lidhej me jetën, kohën, fantazinë e një fëmije mbushur dëshira e ëndrra për jetën. Krijimet e para i botova në gazetat lokale të rrethit dhe jashtë tij, si Fjala e Lirë, Nositi, Koha e jonë etj. Shkruajta romanin tim të parë në moshën 16 vjecare i cili mbetet ende një dorëshkrim që meriton ende vëmendje dhe punë.

Emigrova në 1998 në Athinë të Greqisë ku jetova 23 vjet të jetës time. Nga viti 2012 punova mësuese vullnetare e gjuhës shqipe pranë FShShG (Federata e Shoqatave Shqiptare të Greqisë) duke qenë në kontakt me miq e intelektualë, dashamirë të artit e kulturës. Po ate vit u anëtarësova në Liter Art (Shoqatë kulturore) dhe nga 2014 jam Anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, ku m’u besua roli i zëdhënëses së shtypit.

Kam botuar krijime të miat gjithashtu në gazetën e Athinës, mendime kritike letrare, ese etj.Kam moderuar aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar në Greqi, duke promovuar vlerat e kulturës e artit shqiptar.

Përmbledhjen e parë me poezi të titulluar Rozmarinë e botova në vitin 2015 dhe më pas në 2019 botova librin e dytë të titulluar Korali Blu.

Sot jetoj në Londër dhe po merrem me përgatitjen e librit tim Kënga e Drurit që Digjet, nga i cili kam shkëputur këto poezi.

Burrat që dashurojnë një grua si unë

Ata nuk  mund t’i braktisin lehtë foletë e tyre,
Shtegtojnë e kthehen sërish të rindërtojnë
me fije kashte rrënojën e lënë aty
Më kujtojnë dallëndyshet…

E pra, burrat
Se bëjnë dot…
gjysmë nxjerrin  fjalët dhe kokë ulur i dorëzohen fatit të shkruar nga ca ligje të vjetra,
mendësive fatale që vdesin shpirtra kanune e kush dreqin e di se çfarë tjetër bluajnë mendjeve të tyre.

Mëkatare kjo grua si unë!

……………………………………………………….

Myku bie erë mbi trarët e çatisë kaq kohë
Koren e tokës së tharë nga i njejti diell
e quajnë një shpresë të humbur
nën këmbët e tyre,
thërrmohet fati
në grimca ajrit shpërbëhet
marramendje turbullirash, ciklonesh e gjithëfarësoj shqetësimesh brenda tokës së tyre vërtiten
duke mos kuptuar gjymtyrët në ecje dikdrejt të vazhdojnë.

Mbeten silueta!

Atë çat, ata humbin si shtëllunga cigaresh në rrugë dilemash
Thithin helmin mes buzësh t’plasaritura si shkretëtira e djegur prej diellit

Zot në je diku,a çfarëdo qofsh!
Shpëtona nga zjarret e shpirtit!
Ah, veç një puthje prej saj!
Pëshpërin nën zë.

Kush thotë se burrat nuk qajnë?
Kam parë burra të kullojnë dënesë  prej  shpirtit të tyre,
nga mungesa në ritualet njerëzore,
jetojnë dimrave të largët
n’veti që vdesin për s’gjalli shpirtra.

Ata të duan
Të derdhen pranë teje duan
dhe rreken krahëndrrës për një tjetër grua
Besomë, ata kanë një dhembje fëmije
Paçka se të rritur duken pas
krenarisë që i gjunjëzohet Dashurisë
Bëhen vetevrasës kësisoj.
Historitë e tyre litarë të tejzgjatur mbështillen rreth teje,
zvarranikë që ushqehen prej faljeve të tua
Prej zemrës kur nuk njeh llogjika gjykimi.
Peng i kohës mbeten.
Ke dëgjuar për të  verbërit?
Këta janë
Burrat që dashurojnë një grua
Si Unë
Si Ti
Çdo grua që ka dritë në faljet e saj
Që premtimin e ruan të gjallë
deri në vdekje e,
vdekje në historinë e saj
nuk ka kurrë.

Ambel

Ky është emri yt.
S’di ku e gjetëm njëri -tjetrin!
Gabojmë.
Tek e fundit, njeriu është qenie që gabon. Pa gabimin do të ishte Perëndi.
E unë Perëndi nuk jam.
As ti.
Kam gabuar.
Do gaboj ndoshta deri sa të vdes.
Sepse të dua…
…por, dua të shpjegoj

Bëj durim.
Ambel dëgjomë
Gabimet e mia, “mëkatet “për shumë të tjerë, më mësuan shumë
Shijova shumë
Desha shumë
Dashurova deri në çmenduri.
U bëra bisha e egër.
Ulërita deri në kupë të qiellit, sepse dhimbja ime qe e tillë
nga dashuria
Qe e madhe dhimbja ime

Skalita durimin.
Fala shumë
pranova të vërtetat e tua.

Qe gruaja e një burri të dashuruar

E VERTETE E MADHE!
E dija.
Heshta.
Ulërija
Qaja.
Më dhembi shumë
Desha të largohem.
Nuk munda.
Qëndroj akoma.
Mes gjijve të tu marr frymë i mekur
Të gjitha këto,
sepse je, DASHURIA E JETËS SIME!!!
Ambel !

për të pashpjeguarat…

Të gjithë të dashuruarit

janë budallenj- thashë

Por unë

jam krejt i çmendur

që besoj diçka të tillë

dhe kjo mjafton të shpjegosh

të pashpjeguarat

Po shkel mbi vetë veten

Që ditën kur të pashë

kuptova se

Botēs

ju shtua një tjetër çmenduri

më e madhe

se vetë bota

Një bela e madhe

Kupton?

Ç’do të bëhet me ty?

I hapa punë vetes me këtë histori.

Më duket se bashkë kemi  lindur

Në ishullin e largët të vetmis sonë

Ku veç buzëqeshja jote e ëmbël

mbretëron

E ja tek nis të shkruaj përsëri…

Mungesa fizike më ngjall

sërish  dëshirat

Ndizet në flakë nata

rrugën merr tek ti

kalon përbri lumit.

furishëm  gjëmon  çdo hap.

Sa ngjajmë ne të dy!

Pas xhamit të dritares

të kundroj së largu.

Nga frika se mos del

Krahëhapur më pushton

ngjyrat e mallit

i shuajmë në blu qielli.

Nga larg shquaj siluetën tënde

Tek lëviz shpenguar

Hutuar nëpër dhomë

Duket se diçka kërkon doemos.

Ndoshta ke harruar sot të më urosh?

Urimi yt më gëzon pa masë.

Mos kërko shpjegim për të pashpjeguarat. janë njësoj si dëshirat që si ngas

Nga Olimpi i largët

prej zotash erdhe ti.

Zot i jetës sime

pranë meje mbretëron

E sa herë më ndizet malli

e di se ku rri

Shkëlqim i dritës tënde

Vegim që bëhem e zhbëhem….

Please follow and like us: