“I ricordi di un medico” shpallet ndër 200 librat më të bukur në Itali
“I ricordi di un medico” i shkrimtares Irma Kurti shpallet një nga 200 librat më të bukur në Itali
- Romani përmban faqe nga ditari i shkruar nga babai i saj, mjeku Hasan Kurti
“I ricordi di un medico” (Kujtimet e një mjeku) shpallet një nga 200 librat më të bukur në Itali, i përzgjedhur nga rreth 600 vepra të mbërritura në sekretarinë e Konkursit Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina). Komiteti përzgjedhës dhe juria e seksionit të prozës përbëhej nga rreth njëzet institucione kulturore (biblioteka, qendra kulturore, sisteme bibliotekare), anëtarë të Shoqatës Kulturore “Kinemaja dhe Shoqëria”, organizatore e konkursit, si dhe lexues të shumtë e grupe leximi.
Qëllimi i organizimit të Konkursit, ndër të tjera, është të garantojë prezantime për secilin libër të zgjedhur në këtë kategori në periudhën nga gushti 2021 deri në korrik 2022. Prezantimet e veprave do të zhvillohen në hapësirat e propozuara nga bibliotekat, sistemet bibliotekare dhe institucionet kulturore që bashkëpunojnë me këtë nismë.
Shkrimtarja Irma Kurti tregon: “Ky libër më ka bërë shoqëri gjatë muajve të vështirë të izolimit prej pandemisë. Ai u bë ëndrra që më mbante zgjuar dhe të kthjellët. Për orë të tëra e gjeja veten të emocionuar dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa përpiqesha të deshifroja rreshtat e shkruar prej babait, t’i përpunoja dhe të gjeja mënyrën më të mirë për t’ia përçuar lexuesit. Kujtimet e një mjeku është dëshmia e tim eti. Në këto faqe zbulohen vullneti e këmbëngulja, kuraja e tij për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur, me gjithë vështirësitë e panumërta. Në çdo faqe, në çdo rresht e fjalë unë kam dëgjuar zërin e tij”.
“Kujtimet e një mjeku” u botua së fundi në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “ADA”.