Albspirit

Media/News/Publishing

Halil Rama: 400 numra të gazetës “Veterani”

Në 400 nr. të saj, gazeta “Veterani” ka mbrojtur dhe promovuar vlerat e LANÇ, të heronjve dhe dëshmorëve të saj.

 

NUMRI  400

 

Nga Halil RAMA*

 

Katërqint numrat e kësaj gazete, tashmë konkuruese e denjë në tregun mediatik shqiptar janë një kontribut modest. për të njohur të kaluarën e lavdishme, për të vlerësuar të sotmen dhe për të projektuar të ardhmen

 

 

 

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it (OBVL) boton këtë fillim tetori numrin 400 të gazetës “VETERANI”. Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Shpendi Topollaj, në urimin e tij, me këtë rast, ndër të tjera shkruan :“Numri 400 në gazetarinë e përditshme nuk përfaqëson ndonjë gjë të madhe. Por kur atë e arrin me sukses të padiskutueshëm një gazetë mujore si “Veterani” ynë, kjo do të thotë shumë. Janë vite të tëra që kjo gazetë është bërë kaq e mirëpritur për lexuesit, pasi ka ndjekur pa ekuivoke rrugën e piketuar nga mendimi atdhetar dhe i mençur i krijuesit të saj, Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, gjeneral – leitnant Rrahman Parllakut. Ka pasur një bosht të qartë dhe të palëkundur që buron nga programi i vetë OBVL – së, i cili i ka qëndruar besnik vlerave të mëdha të LANÇ, betejave dhe heroizmit të Brigadave partizane, nderimit të atyre që dhanë jetën për liri, të cilat i ka parë si burim frymëzimi edhe për brezat e rinj. Në vëmendjen e saj nuk ka munguar asnjëherë çështja jonë Kombëtare, trashëgimia jonë historike, evidentimi i sakrificave të popullit të Kosovës dhe Ushtrisë së tij çlirimtare nga okupatori serb, apo demaskimi i krimeve gjatë periudhës së diktaturës komuniste”.

Në 25 vite që nga botimi i numrit të parë “VETERANI” ka mbrojtur dhe promovuar vlerat e LANÇ, të heronjve dhe dëshmorëve të saj. Në përmbushjen e këtij misioni historik “VETERANI” u bë udhërrëfyes  i dhjetra mijëra veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të OBVL. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë zëdhënëse e denjë e  Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) që është një organizatë shoqërore atdhetare.

Nëpërmjet kujtimeve, intervistave e artikujve të protagonistëve kryesorë të saj, si Dr.Ymer Dishnica – “Nderi i Kombit”, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”, Edip Ohrit, Skënder Malindit, Liri Belishovës etj, gazeta ka synuar të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra nga regjimit diktatorial i E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar.

Pikërisht mbi këtë platformë nisi botimi i numrave të parë të gazëtës nën drejtimin e poetit të mirënjohur Çobo Skënderi – kryeredaktor i parë i saj dhe gazetarit Mirdash Agolli, të cilët me mbështetjen e Prof.Dr.Elmaz Lecit si ish-Drejtor i Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes, bënë realitet ëndrrën e dhjetra mijëra lufëtarëve,  heronjve e dëshmorëve të LANÇ.

Pikërisht kjo gazetë që botohet prej çerek shekulli ka pasqyruar gjërësisht, ndonjëherë edhe në detaje, pa pretenduar se ka thënë gjithçka, punën e madhe të mbi 15 mijë veteranëve që milituan dhe militojnë në OBVL, në të mirë të demokracisë shqiptare dhe të së ardhmes së brezave, duke pasqyruar sa më drejt Luftën legjendare Nacionalçlirimtare, që e renditi Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të Luftës së II Botërore.

Pikërishtu pse i është përmbajtur këtij vizioni “Veterani” ka patur vlerësimin dhe mbështetjen e  figurave politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani, Mine Doraci e të tjera.

Gazeta ka kontribur për të vënë në vendin e merituar figurën e respektuar të veteranit të LANÇ, duke i bërë jehonë propozimeve të Kryesisë së OBVL për miratimin nga qeveria e parlamenti të ligjeve e akteve nënligjore për Statusin e Veteranit, akte këto që ligjëruan figurën e respektuar të veteranit të LANÇ.

Në faqet e saj kanë zënë vend veprimtaritë e degëve të OBVL të rretheve si: të Tiranës me kryetar z.Muhamar Spahiu, Korçës, me kryetar Z.Haxhi Runi, Elbasanit me kryetar z.Sami Vinçani, Durrësit, me kryetar z.Idriz Hoxha, Shkodrës me kryetar z.Muharrem Bushati, Lushnjës me kryetar.z.Iliaz Ahmeti, Krujës me kryetar z.Fadil Veseli; Lezhës me kryetar z.Loro Gjeçi, Tropojës me kryetar z.Hamit Neziri; Fierit me kryetar z.Nazif Ago, Matit me kryetar z.Ismail Muharremi, etj. Në vijimësi kanë qenë prezent me artikujt e tyre veteranët Fluturak Vinçani (Korçë), Genc Ballanca (Durrës), Osman Xhindoli (Shijak), Jorgji Terca (Tiranë), Xhemal Meçi (Pukë), Agim Dylgjeri (Elbasan), Ali Demushi (Shkodër) etj.

Në faqet e “Veterani”-it zënë vend nderi veprimtaritë përkujtimore për ngjarjet kryesore të LANÇ, përvjetorët e krijimit të formacioneve partizane (çeta, batalione, brigada e divizione) si dhe përvjetorët e të rënëve në luftë, të të pushkatuarve nga diktatura, të të vdekurve në burgje e internime, si dhe të figurave patriotike me kontribute të veçanta në luftrat për liri kombëtare.

Gazeta “Veterani” si zëdhënëse e OBVL u bë promotore në mbrojtje të luftës së UÇK dhe të luftës së Kosovës, të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Mal të Zi, të komunitetit çam etj.

Në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike dhe denoncimin e shtrembërimeve të historisë nga historiografia komuniste kanë dhënë kontributin e tyre të shquara gazetarët Sakip Cami, Shpendi Topollaj, Xhemal Meçi, Isuf Imeraj, Maksim Vinçani, Hyqmet Zane si dhe miqtë e bashkëpunëtorët nga Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës: Bashkim Hisari, Vehap Shita, Pajazit Nushi e anëtarë të tjerë të Kryesisë të kësaj organizate.

Gazetës “Veterani” ia kanë rritur prestigjin me artikujt e tyre studimorë e shkencorë, veçanërisht firma të mirënjohura si Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Prof.Dr. Jusuf Bajraktari, Prof.dr. Ana Lalaj etj. Dhe duke perifrazuar sërisht shkrimtarin dhe publicistin Topollaj: “Gazeta ‘Veterani’ka qenë e hapur për këdo, dhe asnjëherë nuk ka rënë në kurthet e debateve shterpë. Si e tillë, ajo ka mbetur përherë e freskët dhe e kërkuar, një shembull sesi shtypi duhet t`i paraprijë problemeve që nxjerr koha, një model sesi duhet krijuar një frymë besimi dhe optimizmi te lexuesit”.

Katërqint numrat e kësaj gazete, tashmë konkuruese e denjë në tregun mediatik shqiptar janë një kontribut modest. për të njohur të kaluarën e lavdishme, për të vlerësuar të sotmen dhe për të projektuar të ardhmen.

Si bilanc, mund të them pa asnjë mëdyshje se 400 numra ta gazetës “VETERANI” janë një histori suksesi. Shpreh bindjen se ky rrugëtim i saj do të vazhdojë suksesshëm edhe  në të ardhmen për të përmbushur misionin si themeli i rritjes dhe konsolidimit të OBVL-së dhe për të motivuar anëtarët e saj që të jenë përherë mbrojtës dhe promovues të vlerave të historisë sonë kombëtare.

 

*Kryeredaktor i Gazetës “VETERANI” & “Mjeshtër i Madh”

 

 

 

Please follow and like us: