Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: BOSTANI I MARINËS

Skërmitjet e vjehrrit,
thumbimet e vjehrrës,
gërhimat e tjetrit,
si gërricje e ferrës,
ta shtuan inatin,
Maro moj Marinë,
pa e ngrite shtatin,
the: do kërrej zinë!
Ndaj atë pasdite,
hodhe krahut shatin,
për tërë ato vite,
ta çprazje inatin.
Hodhe supit shatin,
rrugës për bostan,
e përçmove fshatin,
për të shkretë jaran.
Maro moj Marinë,
yll o ylli i fshatit,
ç’ e le burrë zinë,
në cep të krevatit.
Mbrrite bri bostanit,
shatin hodhe tutje,
buzëqeshje e jaranit,
e ëmbël këputje.
Kur hoqe fustanin,
lulëzove specat,
çele jargavanin,
fryve kastravecat.
Kur hoqe sutjenat,
ndriti gjiri i bardhë,
kungujt ngriten krenat,
shullehur mbi gardh.
Mani kokën uli,
fërfëlleu një shegë,
edhe buf maluli,
u çkreh mbi një degë.
Tek fustanin hodhe,
lehtas përmbi bar,
bluzën përmbi rrodhe,
tjetri u ndje Car.
Si Car i Rusisë,
kur pushtoi Krimenë,
iu lut Perëndisë,
që t’i shtojë shëndenë.
Që t’i shtojë shëndenë,
që t’i shtojë takatin.
Ti s’ja ke idenë,
si shprehje inatin.
Pa kur e mbështolle,
me kofshët e bardha,
atje bri një molle,
shkundi gjethet dardha.
Tej, lumit të qetë,
ulën krahët rosat,
në gjol e kënetë,
këngën prenë bretkosat.
Rënkimet e tua,
rapsodi epshore,
fluturojnë mbi ftua,
mbi ledh’ e bregore.
Rënkimet e tua,
tek shkrehje inatin,
më zgjuan dhe mua,
veç, tërbuan fshatin.
Rënkimet jehuan,
fushës së Llovinës,
ndaj e emërtuan:
Bostani i Marinës!
S’ishe ti pronari,
punë kooperative,
veç një natë behari,
ti atje… u dive.
***
Ikën vitet vanë,
shkoi kooperativa,
mbollëm në bostan,
kanabis sativa.
Veç kur era fryn,
tej nga kodr’ e Glinës,
gryka oshëtin:
– Bostani i Marinës.
Që një arë pa emër,
pa ngjyrë e pa bojë,
por u desh një femër,
që ta pagëzojë.
Tetor 2021.
Please follow and like us: