Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadori i SHBA-së në Serbi: Zgjidhja me Kosovën të gjendet mes dy vendeve

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, ka thënë se intervenimi ushtarak i vitit 1999 ka ardhur pasi diplomacia kishte dështuar.

Në një intervistë për “Novosti”, ai ka thënë se ishte regjimi i Slobodan Milosheviqit ai që detyroi forcat aleate të bombardojnë Serbinë.

“E pranoj që e kaluara jonë është plot sfida dhe e di që, për shembull, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu keqardhje publike për viktimat civile në 1999. Unë e bëra të njëjtën gjë vetë. Por ai vendim duhej marrë atëherë, dhe Shtetet e Bashkuara e shohin atë si një ditë kur diplomacia dështoi. Ishte një vendim i detyruar, ne nuk e donim, por u detyruam ta merrnim në mënyrë që të ndalonim veprimet e kryera nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Unë do të bëja një dallim të qartë midis atij regjimi dhe udhëheqjes serbe tani. Unë mendoj se Serbia nuk duhet të përqendrohet aq shumë në të kaluarën dhe të jetojë me hidhërim për shkak të ngjarjeve të së kaluarës, por në të ardhmen e saj, e cila sipas mendimit tim është jashtëzakonisht e ndritshme”, ka thënë Godfrey, transmeton Zeri.info.

Ambasadori në largim i SHBA-së në Serbi, u pyet nëse vendi i tij po “përzien një çorbë” për sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

“Mendoj se për këtë çështje duhet gjetur një zgjidhje. Me fjalë tjera, të citoj një thënie tjetër të dashur serbe – ‘në atë shkurre fle lepuri’. Nëse e shihni problemin, nuk mund të shtireni sikur ai nuk ekziston”, u shpreh ai.

 

I pyetur nëse është e vërtetë që administrata e Presidentit Biden dëshiron që çështja e Kosovës të mbyllet deri në fund të vitit 2022, dhe se a është e mundur një zgjidhje që nuk do të nënkuptojë se Serbia e njeh Kosovën, Godfrey tha: “Mendoj se tani ka mjaft vullnet politik për të gjetur një zgjidhje. Procesi që po zhvillohet midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Mirëpres faktin që miku im Gabriel Escobar pati mundësinë të mbështesë Miroslav Lajçakun në zgjidhjen e krizës së fundit në kufi. Sfida është që zgjidhja të jetë afatgjatë. Zgjidhja nuk mund të imponohet nga jashtë, duhet të rezultojë nga marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës”, potencoi ambasadori në largim.

Duke u ndalur te çështja e raporteve të Serbisë me Rusinë, Godfrey thotë se përshtypja e tij nuk është se serbët janë “rusofilë”.

“Jo, nuk kam marrë atë përshtypje. Së pari, kalova një kohë të mrekullueshme në Moskë, e dua atë qytet, është një nga qytetet më të bukura në botë. Por mendoj se serbët marrin vetë vendimet e tyre se ku duan të jenë në të ardhmen. Vendimi që morën është se vendi i tyre në të ardhmen është në BE. Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht atë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Serbinë të arrijë qëllimin e saj – anëtarësimin në BE. Unë nuk do të them asgjë të keqe për vendin që kam shijuar aq shumë para se të vija këtu, por megjithatë pyes veten nëse Rusia ndan synimin amerikan dhe evropian për të mbështetur Serbinë për t’u bashkuar me BE-në”, deklaroi ambasadori në ikje i SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey.

Kujtojmë se ditë më parë, Administrata e Bidenit propozoi ambasadorin Christopher Hill për ambasador në Serbi. /Zëri

Please follow and like us: