Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuri dhe poezi në parkun e Moldavisë

Chișinău është kryeqyteti i Republikës së Moldavisë, qendra kryesore dhe ekonomike e vendit, nyje për transportin dhe industrinë. Por jo vetëm, ky është edhe qytet i romantizmit, pasi ekziston një park ku lulëzon dashuria dhe poezia.

Quhet “Stephen the Great Central Park” dhe është një vend kushtuar Stefanit të Madh, sovrani i parë i cili luftoi për integritetin e Moldavisë.

Megjithatë, pak e dinë se ky park u ndërtua për shkak të një gruaje, gruaja e guvernatori të Besarabisë, Behmetev, e cila i sugjeroi idenë e krijimit të një parku publik në nder të perandorit.

Parku, me sipërfaqe 7 hektarë, u mbyll fillimisht me një gardh me thurje për të penguar lopët, delet dhe kafshë të tjera të hynin brenda. Fisnikëria e atyre kohëve shëtiste në këtë park. Sipas dokumenteve të kohës “në vitin 1847 u mbollën 4 mijë bimë; në vitin 1829 u restauruan pavijonet; në vitin 1834 u vunë 56 stola, si dhe u ndërtua shatërvani dhe në 1835, kopshti u dekorua me lule, u ndërtua një serë dhe u pasurua me lojëra të ndryshme.

 

Në vitin 1958, mjeshtri i artit, Fiodor Naumov, pati idenë që të krijonte një ansambël skulpturor (“Rruga e letërsisë klasike moldave”), ndërsa në vitin 1964 u themelua “Rruga e miqësisë”, sot e harruar. Në periudha të ndryshme, pemët u mbollën nga heronjtë e çlirimit nga pushtimi nazist dhe nga astronautët, përfshirë Yuri Gagarin.
Në 1970, arkitektura e parkut filloi të priret drejt krijimtarisë – fotografitë tregojnë një shatërvan në formë lule dhe skulptura të tjera, të cilat sot nuk ekzistojnë më – përveç kafesë “Guguţă“, simbol nostalgjik i brezave të tërë.

 

Ashtu si gjithë parqet me emër e njohur, edhe Parku Qendror ka traditat e tij të famshme, ku nëse prekni kokat e luanëve prej mermeri në park, të cilat shkëlqejnë nga lustrimi i përditshëm i qindra duarve, thuhet se ju ndihmon të realizoni ëndrrën më të fshehtë, apo nëse hidhni një monedhë në shatërvan, në qendër të këtij parku të mrekullueshëm, ju sjell fat.

Në skaj të parkut ndodhet statuja e Ștefan cel Mare (Stefanit të Madh) monumenti i princit të madh, i cili bëri historinë e Moldavisë në fund të 1400. Statuja, në bronz dhe gur, u përurua në vitin 1928 dhe e përshkruan atë me krahun e majtë të ngritur ndërsa mbante një kryq. Ky është një nga vendet “kult” ndër më të vizituarit nga të dashuruarit.

Të sapomartuarit u dhurojnë buqeta me lule sovranit, ashtu si poshtë ballkonit të Romeos dhe Zhuljetës në Verona betohen për dashuri të përjetshme./monitor.al

Please follow and like us: