Alfons Zeneli: Hije nate
1-
Për shkak të zemrës kuq dhe qelqeve të dimrit
po shuhen brenda teje ndër mijëra kumbime
ca vargje shtegtare që bartin stinë e mote.
Mu si litar shtrëngohen në fyt të natës time.
2-
Për shkak të kohës tonë dhe hapësirës tënde,
brengave që struken poshtë fjalësh mbledhur varg
dëgjon kakofoninë e stinëve që nuk ikin
sado që s’është larg ai që ikën larg.
3-
Për shkak të dritës sime a fare kot, pa shkak
një borë e padukshme mbulon. Nga jasht fryn era
dhe vesh me avull frike dy zgavra dhe dy sy
që klithin nëpër plagët e stinëve të tjera.
Please follow and like us: