7 shkrimtarë të famshëm dhe zakonet e tyre të çuditshme
Nga Focus
Përktheu Adela Kolea
Pikësëpari, edhe shkrimtarët më të aftë e popullorë mund të bien viktimë e të ashtuquajturës “fletë e bardhë”, e vënë në dukje si dukuri më 1947 nga psikoanalisti, Edmund Bergler:
Një bllokim i natyrës psikologjike, që e pengon atë që shkruan për të vijuar shkrimin dhe ndonjëherë, për të kompletuar qoftë edhe një faqe.
Historia e letërsisë përbën njëkohësisht edhe një histori më vete për t’i kapërcyer këto vështirësi, duke aplikuar rituale ekstravagante nga shkrimtarët.
Ja disa prej tyre:
1. LART E POSHTË.
Autori DAN BROWN.
Të varesh kokëngulthi, me kokën poshtë e këmbët lart, është kura e zhbllokimit të shkrimtarit, zgjedhur nga Dan Brown, autor i best seller si “Kodi da Vinci” e “Ëngjëj dhe Djaj.”
Sipas Brown-it, kjo terapi e ashtuquajtur “e përmbysjes”, duke u varur në një tub kokëposhtë, e ndihmon atë që të përqendrohet e të zgjedhë fjalët e duhura. Sa më shpesh e praktikon këtë ritual, aq më shumë ndihet i lehtësuar dhe i vjen frymëzimi.
Një tjetër zakon i Dan Brown është ai që të mbajë në tryezën e punës, një klesidër.
Pas çdo ore që kalon, ai ndal punën e tij, reflekton e bën gjimnastikë.
Sesa kjo, e frymëzon në të shkruar, s’dihet por, të paktën mban trupin në formë.
2. SKEDA.
Autori VLADIMIR NABOKOV.
Autor i “Lolita”-s, ai kishte zakon që pjesëza nga romani i tij i radhës, t’i shkruante nëpër copa letre, tip biletash e t’i mbante të ruajtura nëpër kuti.
Në këtë mënyrë, kur i bashkonte rrëfimet e tij, sekuencën e tyre e përziente siç dëshironte.
Ndonjëherë, edhe nën jastëk mbante të tilla copëza letre, në rast frymëzimi për të shkruar.
3. NË PROVË.
Autori AARON SORKIN.
Skenarist i serisë televizive, “The West Wing” e “Newsroom”, njëkohësisht edhe i filmit “The Social Network” mbi lindjen e Facebook-ut, ka deklaruar se ka thyer hundën gjatë realizimit të një skenari.
Si i ndodhi kjo gjë?
Ai pohon se dialogët e skenarëve të shkruar prej tij, parapëlqen t’i përsërisë para pasqyrës.
Por, një ditë në një provë të tillë, aq shumë i qe afruar pasqyrës, saqë ishte përplasur në të, me pasojë thyerjen e hundës.
4. LAKURIQ.
Autori VIKTOR HUGO.
Autor i kryeveprave si, “Të Mjerët” etj, detyronte veten që kur të shkruante, të qendronte krejtësisht i zhveshur.
Kur i qe afruar data e dorëzimit e romanit “Katedralja e Parisit”, pati urdhëruar ndihmësin e vet që t’ia sekuestronte të gjitha veshjet, që ky vetë të mos kishte mundësi që të dilte nga shtëpia.
Kjo, edhe në ditët më të ftohta të dimrit, ku qendronte i mbështjellë vetëm me një mbulesë të leshtë, ndërkohë që shkruante veprën “Katedralja e Parisit”.
5. I SHTRIRË
Autori TRUMAN CAPOTE.
Autor ky, të cilit i detyrohemi për kryevepra si, “Me gjakftohtësi” apo “Mëngjes te Tiffany”, preferonte të shkruante i shtrirë.
Rrëfehet se ka shkruar bocat e para të çdo romani të tij, çdo tregimi apo artikulli, i shtrirë në divan, duke pirë kafe, çaj, koktejl, sipas orarit.
Dhe, po ashtu si Hugo qendronte i zhveshur, më tepër për komoditet, sesa për imponim ndaj vetes.
Në fakt, përveç të qenit shkrimtar, Capote ishte edhe një ‘dandy’, i pasionuar pas elegancës e modës.
Këtë e dëshmon edhe kronika mondane e viteve ’60 -’70, ku ai shfaqet me veshje elegante e origjinale.
6. SUPERSTICIONE
Autori JACK KEROUAC.
Autor i librit “Në rrugë”, ai ishte një frekuentues i njohur i jetës së natës dhe i dedikonte shkrimit, orët nga mesnata deri në të gdhirë.
I pëlqente të shkruante nën dritën e qiririt dhe sa herë vendoste penën mbi fletë, lutej e çdo natë zbulonte supersticione të reja, që i stimulonin venën krijuese.
Nga hëna e plotë, te magjia e numrit 9 – i përsëriste disa gjëra 9 herë – rituale disi të kthyer në formë manie këto por, e frymëzonin për kryeveprat e tij.
7. NË HOTEL
Autori MAYA ANGELOU
Poetja amerikane MAYA ANGELOU, për të shkruar, kishte nevojë që të braktiste routinën e përditshme, ndaj merrte një dhomë në hotel dhe i sugjeronte personelit që të mos i ndërronin çarçafët e që të hiqnin çdo tablo nga muret.
Please follow and like us: