Xhuzepe NAPOLITANO: 25 vitet e Festivalit “Ditët e Naimit”

NJË FARË JETE PËR TË NESËRMEN
25 vitet e Festivalit “Ditët e Naimit”
Xhuzepe NAPOLITANO (ITALI)
25! 25 vjet janë një pikësynim i rëndësishëm – “martesa e argjendë”, thuhet. Një çerek shekulli! Ky fillim i stuhishëm i kuvendimit është një miratim zemre, një urim i sinqertë për kënaqësi të tjera, për dhurata të tjera shumë më të bukura nga jeta. Por, këtu nuk flasim për përvjetor privat: 25 vjet që mbush një manifestim kulturor i nivelit ndërkombëtar, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, kushtuar Tetovës, poetit Naim Frashëri. Pra, urimi i drejtohet poezisë që prej kaq vitesh bashkon poetë nga e gjithë bota dhe që i afron të njihen, të miqësohen, të jetojnë bashkë për disa ditë, por që mbeten së bashku përgjithmonë, sepse fjalët e tyre mblidhen dhe publikohen në një libër – dhe librat mbeten në kohë. E gjithë kjo e ka një emër, emri i një njeriu, emri i Shaip Emërllahut. Ndoshta kur i lindi ideja që të themelonte dhe organizonte një Festival Ndërkombëtar Poezie (në fund të shekullit të kaluar, gadishulli ballkanik ishte ende i paqetë, e përshkuar nga tensione të rrezikshme), Shaip Emërllahu dëshironte të dëshmonte në mënyrë paqësore vullnetin që të shkonte përtej, t’i kapërcente pengesat e lashta dhe u përpoq ta bënte, dhe e bëri duke bashkuar zërat e botës në një zë të vetëm, atë të poezisë, pikërisht atë që i gjithë arti e bën – mund të lidhë secilin me një tjetër që ka ndjenja të përbashkëta. Të mbërrish në edicionin e 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, është një rezultat me vlera të pamohueshme, nuk është vetëm një pikësynim personal për themeluesin e tij, që megjithatë meriton gjithë respektin për guximin dhe vendosmërinë, kompetencën dhe dashurinë që derdhi në këtë sipërmarrje: shumë pak manifestime kulturore në botë mbërrijnë kaq larg, veçanërisht ato që kanë si argument letërsinë dhe në veçanti poezinë.
Në Tetovë që prej 25 vjetësh vijnë poetë nga çdo anë, me gjuhët dhe kulturat e tyre, me përvojat dhe shpresat e tyre, me jetën e tyre që është shndërruar në fjalë. Dhe fjalët e gjithë këtyre poetëve bashkohen që të formojnë një këngë të vetme – këngën e së nesërmes. Ja përse duhet t’i urojmë jetë të gjatë Shaip Emërllahut, duhet t’i besojmë atij dhe ta ndihmojmë të besojë në atë që bën: janë shumë 25 vite (ai ishte ende i ri kur filloi të punonte për Festivalin e tij, duke arritur të përfshijë Entet publike, përveçse Akademi poezie, Institucionet ndërkombëtare…). Shumë të tjerë do të vijnë akoma dhe ende këtu do të jetë Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” në Tetovë.
Rëndësia e një manifestimi kulturor i një niveli të tillë, suksesi që ka arritur, qëndrojnë te numrat që e karakterizojnë: janë qindra poetë që në udhën e 25 viteve kanë marrë pjesë në Festivalin e Tetovës, që shpesh është mirëpritur edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Zëra të shumta kulturash të shumëllojshme dhe të largëta janë takuar këtu në emër të poezisë. Nga skena e Qendrës kulturore të Tetovës dhe e qyteteve të tjera që e kanë mirëpritur Festivalin, vetëm një zë u ngrit dhe u përhap në botë – e përkthyer në shqip, poezia e shumë e shumë autorëve u bë e njohur për lexuesit, studentët dhe të apasionuarit që nuk i njohin gjuhët e botës dhe e kanë kështu mundësinë të vihen në kontakt me shprehje të tjera letrare. Në disa edicione të Festivalit ishin kuptimplota takimet e poetëve të ftuar me studentët e Universitetit të Tetovës. Për këtë shërben një Festival ndërkombëtar: të punojmë së bashku dhe të lëmë një trashëgimi për gjithë ata që do duhet të besojnë në vlerën e fjalës, në forcën e fjalës që komunikon, jo vetëm ndjenja dhe mendime, por edhe bëhet një mjeshtëri e një modeli jete që duhet bashkëndarë, që brezat e rinj të kenë mundësinë (veçanërisht në këtë botë kaq të lidhur me imazhet dhe me transmetimet kulturore me konsum pa thelb) të shohin përreth, duke zbuluar modele më të mira dhe të shohin përpara me më shumë besim: njeri është ai që mendon dhe ai që flet – fjala e poetit është një farë që do të rritë një jetë më dinjitoze për ta jetuar.
Përktheu Arjan Kallço.