Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Biden takon ushtarët amerikanë në Poloni

Varshavë, 25 mars 2022 – Presidenti amerikan, Joe Biden, ka vizituar trupat amerikane që gjenden në qytetin polak pranë kufirit me Ukrainën, teksa Moska ka sinjalizuar se do të përqendrojë luftën në lindje të Ukrainës.

Biden u takua me dhjetëra ushtarë gjatë një vizite të realizuar më 25 mars në Rzeszow, që gjendet më pak 160 kilometra larg bazës ushtarake në perëndim të Ukrainës, që u sulmua nga Rusia më 13 mars.

Mijëra trupa amerikane janë të stacionuara në Poloni si pjesë e batalioneve të NATO-s. Ky shtet po ashtu ka strehuar mbi 2 milionë refugjatë ukrainas që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Biden udhëtoi për në Poloni pasi vizitoi Brukselin, ku ai dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftuan për një marrëveshje të bllokut evropian me SHBA-në për blerjen e gazit të lëngshëm natyror, me qëllim që BE-ja të largohet nga importet e gazit rus.

Biden, që është takuar me liderët e NATO-s, BE-së dhe G7-ës, pritet të mbajë bisedime me liderët polakë për çështje të energjisë dhe të refugjatëve.

Para se të nisej për në Poloni, Biden tha se shpresonte që vizita e tij do të riafirmojë përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar ukrainasit e zhvendosur brenda dhe jashtë Ukrainës.

Për shkak të luftimeve, pothuajse 4 milionë civilë janë larguar nga Ukraina, ndërkaq dhjetëra-mijëra të tjerë janë bllokuar në qytetet e rrethuara nga trupat ruse, dhe po përballen me mungesë të furnizimeve të ujit dhe ushqimit.

(REL)

Please follow and like us: