Albspirit

Media/News/Publishing

Florian Vlashi: In memoriam, Luigj Vlashi!

Mbrëmë afër mesnatës u shua xhaxhai im, Luigj Vlashi. Gjithë jetën punoi si mesues në disa shkolla dhe vitet e fundit përballonte jetën me një pension prej 150€ në muaj, thuajse në varfëri të plotë. Për fat, kishte pranë të bijën që u kujdes për të deri në fund.
Tani shtëpia e tij është e heshtur bashkë me llampadarin e madh të viteve 30 trashëguar nga prindërit të cilët patën studjuar në Vienë dhe Venedik, bibliotekën me botimet e para në shqip të klasikëve, televizorin e hershëm dhe… asgjë më shumë. Diku duhet të jenë dhe këpucët e tij të vjetra që, nuk e di pse, sa herë ja shikoja e mendoja duke u spjeguar nxënësve Migjenin… Xhaxhi, burrë shumë i hijshëm dhe elegant si i dalë nga filmat francezë bardh e zi, bëri një jetë tejet modeste por plot dinjitet… Dhe ashtu u largua. Pa zhurmë. Beti më tha se fjalët e tij të fundit ishin: eh, si përfunduam kështu… “Përfunduam”? Për kë e ka pas fjalën? Për mësuesit e vjetër apo për gjithë gjeneratën e tyre? Brez që ja shfrytëzuam sakrificën pa ja shpërblyer. Brezi i humbur.
Nesër nuk do ketë asgjë për të në shtyp, as tek lajmet e mengjesit e as në debatet televizive të mbrëmjes. Por, kur një mësues “përfundon kështu” diçka thelbësore moralisht shkon keq në atë vend…
(Nejse, ndjesë për tonin. Tani le të shijojmë përfaqësuesen e Shqipërisë në Eurovizion. Panem et circenses).
3 maj 2022