Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Lazri: NË BIBLIOTEKËN TONË FËSHFËRIN PYLLI

E dashur, e dëgjon atë fëshfërimë në koridor,

ku rafteve librat heshtin e heshtin paprerë?

Është fëshfërima e pyllit të ngarkuar me dëborë,

se ti e di që librat ishin drurë pylli një herë.

 

Ja, ky libri i Eseninit me kapakët ngjyrë rozë,

ku shkruhen kaq gjëra të ëmbla për dashurinë,

dikur ish një pemë e bukur me emrin beriozë,

si një balerinë që vallëzon nën shi e suferinë.

 

Ja “Dimri i vetmisë së madhe” i gjeniut Kadare,

për të u deshën drurë nga Korabi në Siberi,

ishin drurë krenarë që e mbanin kokën në re,

por i rrëzoi i ftohti i egër i një acari të ri.

 

Tek “Makbethi” i Shekspirit fëshfërin Pylli i Brinjës,

që sipas profecisë do shënonte fundin e mbretit,

tek ky libër i Zhyl Vernit mbase ka drurë të thellësisë,

kur ai zhytej njëzetmijë lega poshtë detit.

 

Dhe libri “Ankesa e mjellmës”, që e shkrojta për ty,

ish ajo pema ku u puthëm për herë të parë në Tiranë,

tani vendin bosh e vështrojmë me lot në sy,

sa pemë rrëzuan pallatet vendit tonë anembanë.

 

Eja, dalim pranë pyllit, ku puhizë e pishave fton,

e për çdo libër të lexuar të mbjellim fidan të ri,

ti e di që fidanët e drunjtë e lulet në ballkon,

më shumë se për humusin kanë nevojë për dashuri.

Please follow and like us: