Albspirit

Media/News/Publishing

Haxhi Krasniqi fiton titullin e kampionit në WBA e WBO

 

Prishtinë, 15 korrik 2016 – Boksieri shqiptar që bokson me flamurin gjerman, Haxhi Krasniqi, e fitoi titullin e kampionit në kategorinë super të mesme në dy versionit,  WBA dhe WBO.

Krasniqi e mundi me pikë kampionin e deritashëm, gjermanin Jurgen Doberstein, i cili e mbante titullin WBA Inter-Continental dhe vendin e 12-të në botë, në këtë kategori. Dy referë ia dhanë fitoren Krasniqit, ndërsa referi i tretë iu dha pikë të barabarta të dy boksierëve.

Ky ishte duel jubilar i Krasniqit, i 50-ti me radhë në karrierën e tij në boksin profesionist.

Ky ishte një duel apo më mirë një luftë shumë e vështirë, pothuajse e balancuar gjatë pjesës më të madhe të meçit, por Krasniqi e kishte iniciativën pothuaj gjatë gjithë kohës. Krasniqi e bëri diferencën vetëm në raundin e njëmbëdhjetë, kur i dha kundërshtarit  një seri goditjesh të fuqishme. Megjithëse i dërmuar, kundërshtari i Krasniqit, Doberstein, arriti të qëndrojë disi në këmbë, deri në fund, kur u përkul në dysheme për ta marrë veten.

Pas përfundimit të duelit, Krasniqi i përshëndeti tifozët e tij, në gjuhën gjermane dhe në gjuhën shqipe.

““I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që janë. Unë gjithmonë do të luftoj për ta. Unë jam me zemër Kuq e Zi. Ju dua shumë”, iu drejtua ai tifozëve shqiptarë që e mbështetën gjatë gjithë duelit. (r.m.)

Please follow and like us: