Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti i CIA/ Ahmet Zogu erdhi në Shqipëri me ndihmën e jugosllavëve, u bë agjent i britanikëve dhe amerikanëve

Zenel Shehu në gjyqin e Tiranës, sipas një informacioni të deklasifikuar nga arkivat sekrete të CIA ka shpjeguar se si u rekrutua nga CIA, me urdhër të mbretit për të rrëzuar pushtetin hoxhist në Shqipëri. Gjatë dëshmisë, ai tregonte itinerarin e lëvizjeve në disa shtete të botës deri në mbërritjen e tij në Shqipëri, ku dhe u kap sapo shkeli territorin shqiptar. Në pjesën e dytë të dëshmisë së tij, e cila vijon më poshtë, Shehu tregon se pse u bë Mbreti Zog agjent i amerikanëve. Siç rrëfen Shehu, Zogu kishte qenë më parë agjent i britanikëve, por më pas ishte bërë me amerikanët. Gjatë dëshmisë, Shehu pohon se të gjithë amerikanët dhe britanikët bashkëpunojnë me të gjithë kolaboracionistët e fashistëve dhe nazistëve, duke akuzuar kështu si bashkëpunëtorë të tillë dhe Abaz Kupin e mikun e tij Bilal Kolën. Abaz Kupi formoi më 21 nëntor Lëvizjen e Legalitetit që synonte rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas në Myzeqe. Në emigracion, Kupi organizoi mërgimtarët për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” – organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri. Por Zenel Shehu e akuzon Kupin dhe mikun e tij Kolën se më parë kishin bashkëpunuar me fashistët dhe më vonë me hitleristët gjatë pushtimit gjerman.

Kush është Zogu? Përse është bërë ai agjent i spiunazhit të huaj?

Zogu ka qenë prej kohësh një agjent i amerikanëve. Më parë ai ishte agjent i britanikëve. Më vonë u bë agjent i amerikanëve.

A ka qenë ai më parë agjent i jugosllavëve dhe i imperialistëve të tjerë?

Më falni?

 A keni shërbyer si oficer për Zogun?

Kam qenë oficer i rregullt në shërbim të Zogut për rreth 14-15 vjet.

Si erdhi Zogu në Shqipëri, a mund të më thoni? Përpara se të bëhej mbret, nga erdhi?

Kur erdhi nga Jugosllavia?

Po, kur erdhi nga Jugosllavia…

Kur ai erdhi nga Jugosllavia, erdhi me forcat jugosllave.

Shoku kryetar, i pandehuri ka dokumente që provojnë ato që po thotë. Në fakt, grupi i Zenel Shehut po përpiqet me të gjitha mundësitë për të sjellë të kaluarën me anë të kushteve të reja. (Prokurori, shoku Syri Çarçani lexoi përpara trupit gjyqësor një dokument të marrë nga konsullata italiane në Shkodër më 1924. Dokumenti raporton për pjesëmarrjen e Jugosllavisë në kthimin e Zogut në Shqipëri me ndihmën e forcave ushtarake jugosllave, duke vendosur diktaturën fashiste në Shqipëri, diktaturën e vendosur me anë të bajonetave të huaja. Duke u marrë në pyetje nga prokurori, i akuzuari Zenel Shehu i tregoi gjykatës për politikën e Zogut që solli pushtimin italian në Shqipëri. Prokurori i paraqiti gjykatës dokumente të tjera që hedhin dritë mbi aktivitetin e regjimit të urryer të Zogut, të bazuar mbi vrasje, krime dhe terrorizëm. Ka një dokument që dëshmon mbi krimet e kryera nga elementët e besuar të Zogut, me urdhra të tij dhe të Musa Jukës. Një tjetër dokument i referohet parave të marra nga Abaz Kupi për krimet e kryera. Sipas gjyqit të zhvilluar atëherë, Zogu kishte ngarkuar disa kriminelë profesionistë të vrisnin dy qytetarë amerikanë që po vizitonin Shqipërinë. Ata do të shpërbleheshin me monedha ari. Vrasjet u organizuan për të trazuar situatën, dhe për të treguar se Ahmet Zogolli (Zogu) ishte i vetmi që mund të ruante rregullin në Shqipëri).

(Vazhdim i pyetësorit të Zenel Shehut)

Përse erdhët në Shqipëri?

Arsyeja për ardhjen në Shqipëri tregohet konkretisht nga dokumentet që kam. Pa dyshim misioni im në Shqipëri është shkatërrimi i pushtetit aktual të popullit. Dokumenti që kisha në xhep, kur më arrestuan është plani kundër pushtetit të popullit në Shqipëri, por ai dështoi.

Cilat ishin detyrat tuaja këtu?

Puna jonë këtu ishte të mos kishin fare kontakte me njerëzit. Ne nuk duhet të kontaktonim me familjet.

Cila ishte detyra juaj konkrete këtu?

Puna jonë këtu ishte fillimisht kontaktimi me njerëzit e pakënaqur nga regjimi popullor dhe vendosja e kontakteve me ta.

Çfarë tjetër?

Ne duhet … (ndërpritet nga prokurori)

A duhet të informonit dikë për rezultatet?

Ne duhet të informonim për aktivitetet tona qendrën amerikane të spiunazhit në Athinë.

Çfarë duhet t’u thoje atyre?

Si i kisha kontaktuar elementët, t’u thoja se ata donin Zogun, dhe se regjimi aktual nuk dëshirohet nga njerëzit. Kjo ishte faza e parë.

Po faza e dytë?

Në fazën e dytë, pas vendosjes së kontakteve me oficerët dhe të punësuarit e regjimit, duhet të informoja se ata ishin në favor të rikthimit të Zogut në Shqipëri.

Cilin duhet të informoni?

Të njëjtit, spiunazhin amerikan në Athinë. Faza e tretë: Pasi të kemi kryer përgatitjet për kryengritjen, unë duhet t’i informoja ata se ushtria dhe punonjësit po presin për armë e municione (sipas direktivave) me qëllim përmbysjen e regjimit popullor në Shqipëri.

Kush do të vinte në Shqipëri?

Duke kryer këto aktivitete, në të gjithë Shqipërinë, trupat anglo-amerikane do të ndërhynin që më pas të vinte Zogu dhe amerikanët.

Çfarë konkluzionesh keni nxjerrë nga udhëzimet tuaja? Çfarë konkluzionesh nxirrni nga tre fazat e operacionit që duhet të kryenit?

Konkluzioni është shkatërrimi i pushtetit popullor.

Me kë do ta kishin kryer shkatërrimin e pushtetit popullor?

Amerikanët dhe britanikët do të ndërhynin më pas për të vendosur qeverinë e duhur, për interesat e tyre imperialiste.

Kur u kap Ahmet Kabashi një dokument iu gjet që ju adresohej juve.

Po zotëri.

Kush e dërgonte, çfarë përmbante?

Dokumenti dërgohej nga shoku i spiunazhit amerikan në Athinë, koloneli Xhon.

Cila ishte përmbajtja e dokumentit?

Dokumenti thoshte: “Na informoni sa më shpejt të jetë e mundur, për municionin që ju nevojitet”.

A ju dërguan ata armë dhe municione?

Po, zotëri.

Kush jua dërgoi?

Amerikanët nga Greqia, nga qendra e spiunazhit në Athinë.

Jua dërguan sipas kërkesës tuaj?

Po, sipas kërkesës tonë.

Kujt do t’ia jepnit këto armë?

Të gjithë të pakënaqurve nga pushteti i popullit dhe që ishin bashkëpunëtorët tanë.

Përse kishin ata nevojë për informacionin tuaj?

Siç ju thashë më parë, në lidhje me fazën e tretë të operacionit, për kryengritjen kundër regjimit. Informacioni nevojitej për të hyrë më pas ushtarakisht në Shqipëri.

A ju kërkoi oficeri amerikan gjëra të tjera?

Ai më tha se kur unë të vija në Shqipëri do të dërgonin dy grupe me nga katër persona, njerëz të rinj që dinë të shkruajnë e të lexojnë, duke përfshirë dhe Bilal Kolën e vëllanë e tij, të cilët dinë anglisht.

Për çfarë arsye po i dërgonin ata?

Ai donte t’i stërviste për aktivitete spiunazhi që më vonë të mund të vinin në Shqipëri.

Zenel?

Urdhëro.

Më trego pak për këtë sjelljen e tij gjatë luftës.

Nuk di gjë.

Po për vëllanë e tij?

Nuk di gjë, di vetëm se ishte me Abaz Kupin.

E shikon që diçka dike. Çfarë bënte Abaz Kupi gjatë Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare?

Po. Ai më parë ka bashkëpunuar me fashistët, më vonë me hitleristët gjatë pushtimit gjerman.

A ishte Bilal Kola një prej tyre?

Sigurisht një prej tyre ishte Bilal Kola.

A ka luftuar ai kundër popullit shqiptar?

Më falni?

A ka luftuar kundër popullit të Shqipërisë apo jo?

Po, zotëri.

Përse shërbimet amerikane të spiunazhit mbajnë një njëri që ka bashkëpunuar me fashistët?

Të gjithë amerikanët dhe britanikët bashkëpunojnë me të gjithë kolaboracionistët e fashistëve dhe nazistëve.

Cilat ishin fjalëkalimet që ju do të përdornit gjatë kalimit të kufirit?

Njerëzit që do të dërgoja në Greqi do t’u flisnin rojeve kufitare me fjalëkalimin “molla speciale”

Nga i dinë rojet greke të kufirit fjalëkalime të tilla?

Sigurisht që i dinë. Siç ju kam thënë më parë, amerikanët janë të parët e vendit në Greqi. Kur qëndroja në shtëpinë e Greqisë asnjëherë nuk kam folur me grekë. Kjo do të thotë se territori grek është vend amerikan dhe ata bëjnë çfarë të duan.

Kur u arrestua Halil Branica, atij iu gjet një dokument.

Po, zotëri.

E keni parë dokumentin?

Po, e kam parë.

E keni lexuar?

Po, e kam lexuar.

Kush ua dërgoi dhe cila është përmbajtja e tij?

Na është dërguar po nga kolonel Xhoni, bashkë me mikun e tij Kajko, që dinte pak shqip. Ashtu si në letrën tjetër, më dërgonte të fala dhe kërkonte informacione, duke shtuar se ishte gati të më dërgonte para dhe materiale nëse kisha nevojë. Ai më nxiste ta informoja me saktësi për gjithçka.

A kishit nevojë për këto materiale?

Siç ju thashë më parë, ne kishim nevojë për materiale dhe armë për kryengritjen.

Me çfarë mjetesh e informonit qendrën amerikane në Greqi?

Me radio, me radion që kisha me vete, me anë të njëfarë Tahir Preçi. Çdo 2-3 ditë duhet të informoja qendrën e spiunazhit në Athinë me radio. Për informacione të tjera duhet të dërgoja njerëzit e mi në qendrën e spiunazhit në Greqi.

Kujt duhet t’ia adresoje letrat?

Amerikanëve, me anë të një adrese që më kishte dhënë Majko. Duhet t’i adresoja ata te Faik Ded Miri, një ish-oficer shqiptar.

Ku ishte ky Faiku?

Faik Ded Miri është nja azilant politik. Ai është në Greqi, në shërbim të spiunazhit amerikan.

Kush ju tha t’ia adresonit atij informacionet?

Majko më tha të bëj këtë. Ai më dha adresën e plotë.

Përse ka ardhur Gjyla në Greqi?

Zoti kryetar, kur arritëm në malin Leni, i kërkuam avionit amerikan të na sillte ushqim. Pasi arritëm në Leni, të drejtuar nga i biri i Rapushit që ishte kthyer në shtëpi, një avion amerikan erdhi gjatë natës dhe na lëshoi ushqim, mjete gatimi, mish, domate e të tjera. Pasi morëm furnizimet në malin Leni, vazhduam për në Martanesh.

Përse i lëshoi avioni këto furnizime?

Sepse nuk gjetëm mbështetje për ta dhënë ushqim.

A i informuat ata për këtë?

Po.

Po?

Po, zotëri.

Cilët ishin anëtarët e grupit tuaj? Ju erdhët këtu me të gjithë grupin tuaj?

Kur erdhëm këtu?

Po, kur erdhët këtu.

Kur erdhëm këtu, shoku im Halil Branica u sëmur.

Mori ndonjë ftohje?

Po, zotëri, dhe u kthye për në … Unë vazhdova me Tahir Preçin, operatorin radio, Hamit Matjanin dhe Xheladin Tresovan.

Dhe?

Dhe Haxhi Gjylën, i cili do të mbetej me mua në Shqipëri. Pasi morëm furnizimet në malin Leni në Kukës, u nisën për në Martanesh. Gjatë kësaj periudhe, Haxhi Gjyla që ishte nga Martaneshi shkoi në shtëpinë e tij të fliste me gruan për situatën e përgjithshme, për të mësuar nëse mund të vendosnim si bazë Martaneshin. Në të njëjtën mbrëmje që arritën ai shkoi në shtëpi. Gruaja nuk donte ta priste dhe i tha: “Ke bërë një gabim të madh dhe bën gabim që vjen këtu. Unë kam vuajtur shumë. Prandaj të kërkoj të kthehesh e të dorëzohesh përgjithmonë”. Po atë natë ajo i dha bukë e djathë dhe ne u kthyem në mal nga kishin ardhur. Ai na tha: “Nuk qëndrova në Martanesh sepse gruaja më tha atë që ju thashë”. Ne shpresonim që ditën tjetër ai të takohej me motrën dhe kunatin, diku në zonat afër Martaneshit. Shkuam në fshatin ku jeton motra e Haxhi Gjylës. Ai nuk foli gjatë me të. Burri i saj ishte aty dhe na tha të largoheshim menjëherë (sepse ishte i zënë dhe duhet të shkonte në Tiranë me punë). Ne i kërkuam të na drejtonte deri në fshat. Ai nuk pranoi. U largua dhe nuk e pamë më. Në atë moment Haxhi Gjyla na tha: “Motra ime dhe buri i saj janë të vdekur për mua”. Unë i thashë se meqenëse nuk kishte krijuar lidhje në Martanesh, nuk ishte e nevojshme që të qëndronte më shumë aty, prandaj pasi më shoqëruan në afërsi të Martaneshit, Hamit Matjani, Tresova dhe Haxhi Gjyla u kthyen në Greqi. Pasi ata u kthyen, unë vazhdova rrugën drejt Bulqizës, rajonit tim. Kur arrita në malet e Bulqizës, në malin e Murrizës, vazhdova drejt Bulqizës./SOT

Please follow and like us: