Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: POETËT

 

Kushtim Bardhyl Londos.

 

Poetët ngjajnë kaq shumë me njëri – tjetrin,

ndonëse qënie në ikje, në rrallim.

Kanë të njejtat fytyra dhe dëshirën

të rikthehen në vend – shenjtëritë e fëmijërisë.

 

Poetët kanë të njëjtin zë të thellë, të lodhur,

në kërkim tê gjërave të vogla,

fundit të zemrës humbur.

Bëjnë tē njëjtat gjeste, lëvizje me duar,

dëshpërimin e botës ta shkërmoqin në pluhur.

 

Poetët se kanë fjalë të shpërdoruar dhimbjen,

por tingull, gjëmim e gjak në venë.

Poetët ngjajnë veçanërisht tek sytë,

tek drita ku dyshimi ngre folenë.

 

Poetët ngjajnë me njëri – tjetrin dhe këtë ata e dinë.

Poetët dinë të kacafyten egërsisht me qetësinë…!

Please follow and like us: