13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN
Foto: Komisioni Themelues i Vatres dhe Dr. Turtulli. (Lexo ne Dielli -arkiv www.gazetadielli.com)
Me 3 Qershor 1917, organizata ‘Vatra’ fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë” dhe mblodhi 150 mijë dollarë me të cilat u shpëtua Shqipëria në Konferencën e Paqes.
Qershori ka dy ngjarje madhore për Federatën Panshqiptare të Amerikës ‘Vatra’, 3 qershor 1917- Dita e Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë dhe 13 Qershor 1912- vatra njihet zyrtarisht prej shtetit të Massachusetts.
Në Kalendarin e Vatrës dhe rekordet arkivore shkruhet: Me 13 Qershor 1912, u njoh prej shtetit të Massachusetts dhe mori diplomën e saj (Charter), të shënuar prej zotit Albert P. Langtry, sekretarit të Shtetit. Në aplikim ishin të shënuar emrat e Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota.
Me 13 Qershor 2021, mbushen 109 vjet nga regjistrimi i Vatrës në shtetin e Massachusetts, ndërkohë që data e themilimit të Vatrës mbetet 28 Prill 1912.
3 QERSHOR- VATRA DHE DITA E SHPËTIMIT TË SHQIPËRISË NGA SHQIPTARËT E AMERIKËS
Data 3 qershor, e cila njihet si Dita e Shëptimit të Shqipërisë, e kishte fillesën që në një takim të Komisionit të Vatrës në muajin Maj 1917. Komisioni që drejtonte Vatrën u mblodh me 20 maj 1917 në orën 3 pas drake. Në qendër të punës ishte raporti i dërguar nga Delegati diplomat i Vatrës në Londër, Mehmet Konica. Pas atij raporti një letër dërguar nga delegat tjetër i Vatrës në Zvicër, Dr. Turtulli, i mallëngjeu vatranët e pranishëm. Delegati propozonte që të ngrihej një komitet për mbrojtjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Këtij qëllimi t’i paraprinte një fushatë për të mbushur arkën e Vatrës me qëllim që të mundësohej financimi i këtij shërbimi diplomatik i munguar në mungesë të një shteti shqiptar dhe të financoheshin miqtë diplomatë të Shqipërisë në Amerikë dhe Europë. Propozimi i dr. Turtullit shoqërohej me shembullin e tij dhurues, duke dërguar një mijë dollarë.
Komisioni drejtus i Vatrës e priti propozim-dhurimin me duartrokitje dhe menjëherë nisën diskutimet për detyrat e shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të Atdheut në ato kohë kritike. Diskutantët arritën në një pikë të përbashkët: Vatra do të mbetej gjithnjë e turpëruar në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e Botës po të mos i përgjigjej nisjes së fushatës të propozuar nga dr. Mihal Turtulli, i cili duke dërguar 1000 dollarë, e bënte fakt të kryer hapjen e fushatës dhe Vatra duhej ta niste sa më parë. U mor vendimi që Vatra t’i përgjigjej dhuratës dhe thirrjes së nxehtë të atdhetarit të shkëlqyer, ashtu si ua kërkonte nderi atdhetarëve të Botës së Re, trimërisht me dorë dhe zemër të hapur.
U vendos me një zë:
- Të caktohej e Diela e 3 qershorit, si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë, për të mbledhur një shumë së paku prej 40 mijë dollarësh të këshilluar prej Dr. Turtullit.
- Ftoheshin të gjitha degët e Federatës Panshqiptare të Amerikës me anëtarët e tyre, të gjitha shoqëritë shqiptare të vecanta, të gjitha shoqëritë fetare Kombtare dhe të gjithë shqiptarët-të organizojnë mbledhje në këtë ditë dhe të japin ndihmën e tyre sa më të madhe për Shpëtimin e Atdheut.
- Ftoheshin të gjitha gazetat dhe revistat shqiptare të bashkëpunonin për të mbaruar këtë vepër, e cila do t’i nderonte në sytë e botës dhe në sytë e Shqipërisë, atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend nderi në historinë e përlindjes kombëtare.
- U drejtohej të gjithëve lutja që të dhuronin 10 USD e sipër për të mbledhur kështu shumën e këshilluar nga Dr. Turtulli.